Bujar Vokrri edhe më tutje vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga goditja që iu bë atij të shtunën nga një veturë, e cila po qarkullon në qytet me një shpejtësi prej 130 kilometra në orë. Mirëpo, raste të tjera kur këmbësorët janë mbytur madje edhe në vija të bardha, ditëve të fundit janë duke u shtuar dukshëm.
Ndonëse, Vokrri deri më tash u është nënshtruar dy operacioneve, gjendja e të cilit, sipas mjekëve, tash është stabile. Këtë e kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” stafi mjekësor në QKUK, por edhe familjarët e Bujarit. Meqë këta të fundit edhe më tej brengosen për gjendjen e tij. Kujtim Vokrri, vëllai i Bujarit, mezi fliste nga trishtimi.
Ai që 28 orë, nuk kishte lëvizur nga QKUK-ja, duke pritur për të parë gjendjen e Bujarit. Kujtimi së bashku me shumë familjarë të tjerë, me orë të tëra pritën para sallës së operacionit. Më pas, pasi u krye operacioni, me të dalë mjekët nga salla, që të gjithë iu afruan mjekëve dhe e pyesnin për gjendjen e tij.
Kelani: Vdekjet në rrugë janë rritur
Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se numri i aksidenteve në komunikacion me fatalitet gjatë muajve të parë të këtij viti, është rritur krahasuar me muajt e parë të vitit të kaluar. “Aksidentet që janë evidentuar nga Policia e Kosovës, gjatë tre muajve të parë të këtij viti, ka shkuar diku 27 persona që kanë humbur jetën në aksident trafiku, ndërkaq, tre muajt e parë të vitit të kaluar, jetën në komunikacion e kanë humbur 17 persona”, ka bërë të ditur Kelani.
Sipas tij, një pjesë e kryesve janë zënë nga Policia e Kosovës, e ata të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes, sipas tij, janë duke u kërkuar nga policia, siç është rasti i kërkimit të personit që shkaktoi aksident vdekjeprurës para Kuvendit të Kosovës. “Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht për t’i kapur kryesit e këtij aksidenti. Po ashtu, ne bëjmë apel që të gjithë që kanë njohuri rreth këtij rasti në identifikimin e këtij rasti të na lajmërohet”, ka thënë ai.
Ndërsa, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë, ka bërë të ditur se aksidentet me fatalitet gjatë tre muajve të parë të këtij viti, janë rritur krahasuar me tre muajt e parë të vitit të kaluar. Ndërkaq, sa i përket aksidentit të fundit të shkeljes së këmbësorit afër kompleksit “Te Santea” në Prishtinë, ai tha se policia është duke i hetuar se si ka ndodhur aksidenti. “Në tremujorin e parë të këtij viti, kemi pasur rritje të aksidenteve fatale”, ka bërë të ditur ai.
Po ashtu, ai ka treguar se përafërsisht janë diku rreth 10 persona që kanë humbur jetën në aksident në trafik në nivel lokal. Sipas tij, janë evidentuar të gjithë kryesit e kësaj vepre, vetëm një rast, siç ka bërë të ditur Borovci, është që ende nuk është identifikuar nga Policia e Kosovës edhe pse siç ka bërë të ditur ai, janë duke punuar në lidhje me zbardhjen e këtij rasti, mirëpo deri tash nuk kanë mundur që ta identifikojnë as makinën e as personin që kanë kryer veprën.
“Rasti që ka shkelur një person një makinë, të cilën ende nuk e kemi identifikuar, është te xhamia e madhe, ndërkaq Policia është duke punuar në këtë drejtim për zbardhjen e këtij rasti fatal”, ka bërë të ditur ndër të tjerash Borovci.
Ramadani: Pasiguria në rrugë po rritet dita-ditës
Për gjendjen e sigurisë në komunikacion, alarmojnë njohësit e fushës së sigurisë në vend, duke thënë se kjo çështje duhet të ngrihet në nivel qendror.
Burim Ramadani, nga departamenti për Sundim të Ligjit në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se rastet e fundit që po ndodhin në Kosovë, e sidomos kjo e fundit që para dy ditësh, ka pësuar një këmbësor, janë raste që po dëshmon se pasiguria në Kosovë, çdo ditë e më shumë po bëhet më e madhe.
“Rreziku në trafik është rritur tej mase gjatë këtyre muajve të fundit. Rasti që ka ndodhur në qendër të Prishtinës dëshmon për pasiguri të madhe në rrugë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pothuajse më shumë se një vit, është duke e ngritur vazhdimisht çështjen e pasigurisënë trafik, mirëpo, sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë veprim që të jetë serioz dhe ta përmirësojë gjendjen aktuale.
“Siguria e jetës dhe pronës është detyrë themelore e Qeverisë. Kjo Qeveri në shkuarje vetëm ka rritur pasigurinë e qytetarëve, ka shkaktuar rritje të rrezikut në rrugë, përmes kontrollit fiktiv të automjeteve dhe përmes shitjes së patentë-shoferëve”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Sipas tij, kryeministri Thaçi duhet të mbledhë urgjentisht Këshillin Kombëtar për Siguri në Trafik dhe të ndërmarrë veprime konkrete, të dukshme dhe të detajuara. Për më tepër, ai ka thënë se kjo Qeveri duhet të qëndrojë afër familjeve që kanë humbur anëtarët e tyre, si pasojë e rritjes së aksidenteve në trafik. “Papërgjegjësia e kësaj Qeverie për gjendjen në trafik duhet të adresohet fuqishëm dhe të ndëshkohet si një nga dështimet kryesore të saj”, ka thënë ndër të tjerash Ramadani.
R.Ballazhi/zeri