Nga Bordi Editorial i New York Times
Qysh ditën që presidenti Obama mori detyrën, ai nuk ka çuar përpara drejtësisë asnjë person përgjegjës për torturat ndaj të dyshuarve për terrorizëm – një program qeveritar i ideuar dhe zbatuar në vitet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Ai e lejoi departamentin e Drejtësisë të hetojë shkatërrimin e videove të CIA-s me sesione torturash dhe ata që mund të kenë tejkaluar teknikat e torturave të miratuara nga presidenti George W. Bush. Por hetimi nuk çoi në padinë ndaj ndokujt, ose nuk u dha as llogari pse nuk u padit askush.
Obama ka thënë disa herë që “kemi nevojë të shikojmë përpara, në vend që të shikojmë mbrapa, sikur këto të mos kishin lidhje. Por, ja që kanë. Kombi nuk mund të shkojë përpara në asnjë mënyrë të kuptimtë pa sqaruar ligjërisht dhe moralisht aktet e tmerrshme që u autorizuan, me mbështetje ligjore flas, dhe u kryen nga qytetarë e qytetare amerikanë, nga niveli më lartë në qeveri deri poshtë.
Amerikanët kanë pasur dijeni për shumë nga këto akte prej vitesh, por përmbledhja 524 faqe e raportit të Komisionit të Senatit për Shërbimet Sekrete fshin çdo dyshim në lidhje me privimin dhe paligjshmërinë. Informacione të reja dolën për taktikat sadiste si “ushqimi me jashtëqitje”, me dhjetëra të burgosur u përmbytën me ujë (në fytyrë dhe organet e frymëmarrjes), u varën nga kyçet e duarve, u mbyllën në arkivole, u lanë pa gjumë, u kërcënuan me vdekje dhe u rrahën në mënyrë brutale. Në shtator 2002, një i burgosur, i lidhur me zinxhirë në dysheme, vdiq “nga temperatura e lartë”.
ciatorture2Këto janë thjesht krime. Ato janë të ndaluara nga ligji federal, i cili e përkufizon torturën si shkaktim i qëllimshëm i “vuajtjeve ose dhimbjeve fizike dhe mendore”. Ato janë ndaluara dhe nga Konventa Kundër Torturës, traktati ndërkombëtar që SHBA e ratifikoi më 1994 dhe kërkon ndëshkim për çdo akt torture.
Kështu që nuk është befasuese që apologjetë u vendosin gjithfarë emrash këtyre akteve, vetëm jo torturë, siç ishin realisht. Siç e zbulon raporti, këto pretendime dështojnë për një arsye: zyrtarët e CIA-s e pranojnë se ajo që kishin ndërmend të bënin, ishte e paligjshme.
Në korrik 2002, juristët e CIS i thanë departamentit të Drejtësisë se agjencia kishte nevojë të përdorë “metoda më agresive” hetimi, të cilat “përndryshe ndalohen nga statuti i torturës.” Ata i kërkuan departamentit të premtonte të mos i ndëshkonte ata që do të përdornin këto metoda. Kur departamenti refuzoi, ata erdhën vërdallë pazarit në kërkim të përgjigjes që donin. Dhe e gjetën nga juristët ideologjikisht të orientuar të Zyrës së Këshillit Ligjor, që shkroi memo për të fabrikuar një bazë ligjore për torturat.
Tani zyrtarët e qeverisë mbështeten te memot si provë që, gjoja, veprimet e tyre kanë qenë ligjërisht në rregull. Por raporti ndërron fatin e lojës: tani ne e dimë që përkrahja ligjore që ata pretendojnë nuk u bë me qëllime të mira.
Asnjë logjikë ligjore nuk mund të justifikojë sjelljen e detajuar të raportit. Është e pamundur që të lexohet të arrihet në përfundimin se askush nuk mund të mbajë përgjegjësi. Të paktën Obama ka nevojë të autorizojë një hetim penal të plotë dhe të pavarur.
Unioni i Lirive Civile dhe Organizata e të Drejtave të Njeriut (Human Rights Watch) do t’i japin prokurorit të Përgjithshëm Eric Holder Jr. të hënën (e kaluar) ku i kërkojnë të caktojë një prokuror special për hetimin e asaj që duket se është “një veprimtari e gjerë kriminale, nën veshje ligjore, për të kryer tortura dhe krime të tjera serioze.”
ciatorture1Pyetja përgjigjen e së cilës e kërkojnë të gjithë, sigurisht është: Kush duhet të mbajë përgjegjësi? Kjo do të varet në zbulimet e hetimit, por është e vështirë të imagjinohet që zoti Obama të gjejë kurajo politike për të urdhëruar një hetim të ri, dhe akoma më e vështirë të imagjinohet një akuzë penale për veprimet e një ish-presidenti.
Por çdo hetim i besueshëm duhet të përfshijë zëvendëspresidentin Dick Cheney; shefin e stafit të tij, David Addington; ish-drejtorin e CIA-s, George Tenet; dhe John Yoo e Jay Bybee, juristët e Zyrës së Këshilltarit Ligjor, të cilët hartuan draftin për ato që tashmë njihen si memot e torturës. Ka shumë emra të tjerë që mund të merren në konsideratë, përfshi Jose Rodriguez Jr., zyrtari i CIA-s që urdhëroi shkatërrimin e kasetave filmike; psikologët që krijuan programin e torturave; dhe nëpunësit e CIA-s që zbatuan programin.
Republikanët, të cilët janë ngjirur duke denoncuar tejkalimet ekzekutive, pritej që të ishin të parët të kërkoni nxjerrjen e përgjegjësisë, por, me përjashtim të senator John McCain, ata ose kanë heshtur, ose përpiqen të mbrojnë atë që nuk mund të mbrohet. Ata nuk mund të veçojnë asnjë rezultat: në kundërshtim me pretendimet e CIA-s, raporti arriti në përfundimin se teknikat e përdorura nga CIA nuk dhanë “asnjëherë” rezultat, për të shmangur ndonjë sulm terrorist. Dhe të paktën 26 të arrestuar në fund u përcaktuan si “të arrestuar gabimisht.”
Nisja e hetimit penal nuk është për hakmarrje; por ka të bëjë me sigurinë që kjo të mos ndodhë më dhe për të rifituar besueshmërinë morale për të zhdukur torturën nga qeveritë e tjera. Për shkak të raportit të senatit, tani e dimë që zyrtarët në degën ekzekutive u munduan të racionalizonin dhe fshihnin krimet që ata donin të kryenin. Çështja është nëse vendi do të rrijë duarkryq e do të lejojë përdoruesit e torturës të kenë më imunitet të vazhdueshëm për veprimet e tyre.
Burimi: The New York Times