Miti i kamatës
Shumë njerëz, madje edhe njohës të ekonomisë, janë të bindur se një institucion financiar nuk ka mundësi të realizojë fitime dhe të rrisë kapitalin në ndonjë formë tjetër, vetëm se duke paraparë fitime të bazuara në logjikën e interesit kamatar. Rrjedhimisht, edhe tentativat e pranishme sot në botë, për të ofruar shërbime bankare dhe investime financiare, duke mënjanuar aplikimin e kamatës, nga shumë studiues bashkëkohorë të ekonomisë shikohen me skepticizëm, pamundësi e bile edhe me ironi. Arsyeja është se shekullin e kaluar, në të cilin ka marrë hov ekonomia botërore, kamata ka qenë kapilari kryesor i zhvillimit dhe çdo investim i realizuar ka pasur në thelb të përfitimit dhe rritjes së kapitalit, përqindjen kamatare të paraparë në ato investime. Aplikimi i kamatës me këto përmasa shumë të mëdha në sistemin modern ekonomik, ka bërë që njerëzit ta shikojnë praktikën e kamatës si diçka të patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme. Ky botëkuptim i vetë ndërtuar ka shkaktuar krijimin e mitit rreth kamatës në ekonominë bashkëkohore, duke paragjykuar se nuk ka mundësi të ekzistojë një sistem ekonomik pa aplikime kamatare.
Mirëpo, nëse hulumtojmë vetëm pak në historinë e njerëzimit, mund të kuptojmë se kjo nuk është e saktë, sepse kemi me dhjetëra kultura, sisteme, shtete e perandori që kanë ekzistuar në të kaluarën dhe kanë qenë në kulm të përparimit dhe rregullimit ligjor, kuptohet në përputhje me rrethanat e asaj kohe, por që fushën e ekonomisë e kishin rregulluar duke përjashtuar kamatën; madje pothuajse të gjithë kishin qëndrim kritik ndaj kamatës dhe e shikonin si diçka të keqe e të padrejtë.
Sidoqoftë, nga sqarimi i mëparshëm nuk duam që të kuptohet se jemi duke kërkuar që t’u rikthehemi sistemeve të kaluara të aplikuara nga njerëzimi, pasi rregullimi i atëhershëm ishte në përputhje me rrethanat e asaj kohe, por duam të vëmë në pah një të vërtetë që e rrëzon mitin e kamatës. Pra, që është e mundur të zhvillojmë një sistem ekonomik pa u bazuar në përfitimet kamatare, madje ekziston mundësia të krijojmë edhe banka që përfitimet dhe rritjen e kapitalit të tyre të mos e bazojnë vetëm në përqindjet kamatare.
Zhvillimet aktuale dhe krizat ekonomike që janë duke u shfaqur dekadave të fundit e bëjnë edhe më bindës faktin se kamata është një fitim i sigurt përballë një investimi i cili mund të jetë edhe i pasuksesshëm, prandaj është e nevojshme që njerëzit të hulumtojnë për mënyra investimesh të cilat mund të konsiderohen si alternativë e sistemit bankar me kamatë.
Jurisprudenca islame posedon platformën ekonomike, bazën e shëndoshë dhe parimet e qarta për të ndërtuar një sistem efektiv ekonomik dhe financiar, larg elementeve që dëmtojnë ekonominë e një vendi apo të individit, ndryshe nga ç’mund të paraqitet nga dikush. Kështu, le ta kuptojmë se kur Islami e ndaloi kamatën, nuk e bëri vetëm duke ngritur dilema dhe vënë kufizime, por duke ofruar alternativa dhe zgjidhje.
Në fund po përmendim edhe faktin se ndalimi i kamatës nuk është specifikë e jurisprudencës islame, me një fjalë ajo trajtohet kështu pothuajse në të gjitha fetë, sistemet dhe legjislaturat që ka njohur njerëzimi, mirëpo fatkeqësisht në kohën bashkëkohore për dëmin dhe trajtimin e saj si mëkat flasin vetëm muslimanët. Islami është sistemi i vetëm që ka mbetur në këtë betejë dhe vazhdon ta luftojë këtë ves, edhe pse është bërë përditshmëri e shumë njerëzve. Fatkeqësisht, kamata është e pranishme edhe mes muslimanëve që iu dorëzuan këtij vrulli bashkëkohor, që nuk mëshiron askënd, por megjithëkëtë shumica e atyre që kanë njohuri dhe janë të vetëdijshëm për mësimet islame i qëndrojnë larg asaj.
1. Shih si shembull temën “Besimi te tregu” të shkruar nga Carla Power, e publikuar në revistën“Foreign Policy” në shqip, shkurt/mars 2009.
2. Krahas faktit që kamata trajtohet si e padrejtë në të gjitha fetë, ajo është cilësuar e tillë edhe nga njerëz dhe filozofë që kanë jetuar në të kaluarën dhe kanë folur rreth kamatës, sikursePlatoni te libri “Shteti”, Aristoteli te “Politika”, teoricieni dhe oratori i shquar romak Marcus Tullius Cicero, etj.
Hoxhë Alaudin Abazi
Dijaonline.net