Komuna e Prishtinës ka gjashtë strehimore publike, në të cilat qytetarët mund të strehohen në raste të fatkeqësive natyrore. Megjithatë, vetëm katra nga ato janë funksionale dhe shfrytëzohen nga organizatat joqeveritare dhe Kompania ‘Hortikultura’, e cila edhe i mirëmban ato. Ndërkohë, qytetarët nuk din se ku gjenden ato.
Strehimoret në kohë paqeje mund të shfrytëzohen për raste të dyfishta, siç është ajo kur ndonjë familje pëson fatkeqësi nga zjarri. Sipërfaqja e të gjitha strehimoreve është rreth 1720 metra katrorë, ku në raste rreziku mund të vendosen rreth 1300- 1400 persona për një kohë të caktuar. Strehimoret janë të pajisura me të gjitha mjetet, si me ventilim, rrymë dhe qasje interneti.
Shef i sektorit për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Prishtinës, Ibush Kelmendi tha për KosovaPress se kanë bërë kërkesë për rritjen e numrit të strehimoreve publike, pasi që strehimoret janë të pamjaftueshme ngase ka numër të madh të banorëve në kryeqytet, kjo duke u bazuar në regjistrimin popullsisë.
Ai tha se të gjitha ndërtesat kolektive janë të obliguara që të kenë strehimore banesore dhe nëse për ndërtimin e tyre, nuk parashohin edhe ndërtimi i strehimoreve banesore dhe shkallët emergjente. nuk do të kenë mundësinë që të pajisen me leje ndërtimi.
“Kjo çështja e strehimoreve që është e pronës publike, është në kompetencë të kuvendit. Ne si drejtori dhe si sektor i mbrojtjes bëjmë kërkesë që të rritet numri edhe i strehimoreve publike, po kërkojmë që banesat, ndërtesat kolektive t’i plotësojnë kriteret për strehim të banorëve të cilët jetojnë në banesa. Prandaj asnjë banesë, ndërtesë kolektive nuk do të ketë mundësi të merr leje për ndërtim nëse nuk e parasheh edhe strehimoren banesore, gjegjësisht edhe shkallët emergjente për të evokuar qytetarët të cilët janë të vendosur në ato banesa”, ka thënë ai.
Strehimorja “Bajram Curri” në lagjen “Bregu i Diellit”, kap sipërfaqen prej 330 metra katrorë dhe së fundi ajo është riparuar dhe tashmë është e pajisur me të gjitha mjetet e domosdoshme, për vendosjen e personave të cilët mund të jenë të rrezikuar për një kohë të caktuar.
E për mirëmbajtjen e strehimoreve përkujdeset Kompania e Pastrimit ‘Hortikultura’. Kelmendi ka pranuar se strehimorja në lagjen “Ulpiana” nuk ishte në nivelin e pastrimit siç duhej të ishte, por ai arsyeton punëtorët e kësaj kompanie duke thënë se kanë qenë në terren dhe se nuk kanë pasur mundësinë që të pastrojnë këtë strehimore.
“Për momentin i kemi 4 strehimore të cilat janë të përdorshme, strehimoren në ‘Ulpianë’, e mirëmban kompania ‘Hortikultura’, e cila është e vendosur në të për të kryer punë të parkut në ‘Ulpianës’ dhe punëve të tjera që i ka në atë sipërfaqe, për momentin nuk ishte në nivelin e duhur të pastërtisë, ngase mbrëmë ka pasur një reshje shiu dhe punëtorët të cilët kanë qenë në terren, janë futur menjëherë në strehimore dhe nuk kanë mundur ta pastrojnë për momentin. Kështu që në këtë strehimore ku gjendemi këtu, e mirëmban dhe e siguron gjithashtu kompania Hortikultura, kurse strehimoret që e kemi të rruga ‘Mehmet Gradica’, janë të vendosura dy organizata jo qeveritare, një shoqatë rinore dhe e cila është duke e mirëmbajtur në nivelin e duhur, dhe ata e kanë me kontratë, kuvendi ia ka jep me kontratë, në rast nevoje ata janë të obliguar që ta lirojnë strehimoren brenda 24 orëve”, tha ai.
Kelmendi ka thënë se raste të fatkeqësive për strehim të përkohshëm nuk kanë pasur, mirëpo ka theksuar se strehimoret janë funksionale dhe plotësojnë të gjitha kriteret për vendosjen e personave të rrezikuar.
E disa prej qytetarëve nuk kanë njohuri për këto strehimore dhe nuk kanë informata se as për çka nevojiten dhe se ku gjenden.
Musa Kelani, qytetar nga Prishtina, ka thënë për KosovaPress se strehimoret janë të nevojshme por që në vendin tonë janë në numër të vogël.
“Po është mirë mi pas, tash s’po di se pak ka strehimore, pak ka. Gjithsesi se duhet të ketë…. Jo nuk kam qenë, vetëm kam dëgjuar dhe as nuk e di se ku janë”, ka thënë ai.
Albulena Fazlija nga Prishtina, ka thënë se dëshiron të ketë informata dhe njohuri për strehimoret, pasi që ajo nuk ka ndonjë informatë për këto strehimore.
“Kisha pas dëshirë me pas informata e me qenë më e informuar”, ka thënë ajo.
Strehimoret gjenden në lagjen “Kodra e Diellit”, gjenden tri strehimore në Rrugën,” Enver Maloku”, në Rrugën”Qamil Bala”dhe në Rrugën”Mehmet Gradica”, në Rrrugën”Agim Ramadani”, në lagjen ‘Ulpiana’ Rruga Imzot Nike Prela” dhe në Rrugën “Eqrem Çabej”.
Këto strehimore janë të ndërtuara që nga vitet 1970, por funksionale janë që 15 vite dhe përdorën për raste emergjente./Telegrafi/