Komuna e Mitrovicës e pafuqishme në ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri

0

Edhe përkundër premtimeve të zyrtarëve komunalë të Mitrovicës për ndërtimin e 6 shtëpive të shqiptarëve në ‘Kroin e Vitakut’ në veri të Mitrovicës, Komuna jugore e Mitrovicës nuk ka arritur që ende t’i nis punimet në këtë drejtim, edhe pse paratë nga Fondi ‘Ndihmo edhe ti’ vazhdojnë të mbeten të paprekura.
Blerim Baruti, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, pati premtuar para disa muajve se këto punime do të nisin shumë shpejt, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ndërkaq, Hysni Syla, shef i zyrës për informim pranë Komunës së Mitrovicës, duke arsyetuar vonesën e këtyre punimeve, tha se janë tejkaluar disa pengesa të vogla të cilat ndërlidhen me çështjen e sigurisë, e që kanë vonuar procesin, dhe se punimet në ndërtimin e gjashtë shtëpive të shqiptarëve në “Kroin e Vitakut” do të fillojnë shumë shpejt.

“Janë rreth 130 mijë euro të mbetura nga Fondi ‘Ndihmo edhe Ti’ të dedikuara për ndërtimin e gjashtë shtëpive në ‘Kroin e Vitakut’”.

Nëse Komuna e Veriut të Mitrovicës pengon ndërtimin e këtyre shtëpive, atëherë duhet të gjenden mënyra dhe forma tjera për zgjidhjen e kësaj çështje”, ka thënë Syla.

Sipas tij, në rast të ndërprerjes së punimeve nga ana e kryetarit të veriut Goran Rakiq, atëherë banorët duhet t’u drejtohen organeve gjegjëse në veri të Mitrovicës për ta zgjidhur këtë problem.

Mbase, ai u shpreh i bindur se komuna veriore nuk do të bëjë pengesë që banorët të cilët kanë jetuar edhe më parë në atë lagje, t’u ndërtohen shtëpitë dhe ata të vazhdojnë jetën e tyre normalisht.

Në anën tjetër, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka bërë të ditur se qysh më herët ka nisur një iniciativë për ndërprerjen e procesit të ndërtimit të këtyre gjashtë shtëpive.

Sipas tij, sa i përket takimit me kryetarin e jugut të këtij qyteti dhe bisedimeve rreth kësaj çështje, ai në parim nuk është kundër takimit dhe bisedimeve, por që paraprakisht duhet të plotësohen disa kushte të caktuara.

“Mund të flas me kryetarin e jugut të Mitrovicës pasi të kthej një pjesë të territorit të cilin padrejtësisht e ka marr nga veriu i Mitrovicës, e fjala është për Suhodollin. Kjo lagje kufizohet me lagjen tjetër Kroin e Vitakut. Ne kemi korrigjuar gabimin e tillë dhe Suhodolli i është kthyer Mitrovicës Veriore sipas statutit tonë kadastral. Është logjike që lumi Ibër të jetë kufi natyral në mes të këtyre dy komunave. Një fakt shtesë për këtë është edhe se banorët e Suhodollit gjatë procesit zgjedhor kanë votuar në veri, dhe në bazë të kësaj ata kanë marr tre vende të këshilltarëve në Kuvend”, ka thënë Rakiq.

Ai theksoi se i vetmi grup punues i cili mund të vendos rreth ndërtimit të shtëpive në Kroin e Vitakut është grupi i përbërë nga përfaqësues të qeverisjes lokale të veriut të Mitrovicës, pastaj përfaqësues nga ana e vetë banorëve të kësaj lagje, si dhe përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare, dhe në asnjë mënyrë nga përfaqësues të jugut të Mitrovicës. /KP/ 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com