Ministri për komunitete dhe kthim, Dalibor Jevtic, vizitoi sot vendin, ku natën e kaluar është djegur shtëpia e të kthyerit, në Dresnik të Komunës së Klinës. Pas arritjes në Dresnik, ministri së pari ka biseduar me banorët e Dresnikut rreth incidentit, nënkryetarin e Komunës së Klinës dhe komandantin e stacionit policor në Klinë.
“Për fat të keq, ne përsëri jemi këtu për ngjarje dhe akte vandale. Kam biseduar me banorët e Dresnikut, përfaqësues të Komunës së Klinës dhe policinë, dhe përsëri po vijmë në përfundim se janë duke pësuar njerëzit e pafajshëm.
Unë do të kërkojë nga policia, që nëse është nevoja të përmirësohet plani operacional, në mënyrë që njerëzit të cilët tani janë shumë të shqetësuar, të ndihen më të sigurt. Ne duam të dimë se kush janë autorët e veprave të tilla, kush i ka vënë zjarrin kësaj shtëpie dhe arsyen pse?.
Ky është incidenti i trembëdhjetë në këtë vit, dhe ne duhet të marrim një përgjigje për këto pyetje. Shtëpia e djegur këtu në Dresnik, është pasojë e situatës së ndezur, të krijuar pas ndeshjes futbollistike Serbi – Shqipëri. Është për të ardhur keq që gjithmonë po dëmtohen ata që kanë më së paku faj. Nëse diçka nuk ndërmerret, kam frikë se ky nuk do të jetë incidenti i fundit. Situata është më shumë se alarmante”, tha ministri Jevtic.
Përfaqësuesit e qeverisjes lokale, thanë se kthimi në Komunën e Klinës është i mundshëm dhe se incidentet e fundit i kanë shqetësuar shumë ata. Komandanti i policisë, Rexhë Berisha, tha se, policia do të jetë në koordinim të mirë me banorët vendas për të parandaluar incidentet.
Përndryshe ministri gjatë vizitës së tij në Dresnik, ka vizituar edhe Gojko Dabizljevicin nga ky fshat, të cilit mbrëmë sulmuesit e panjohur duke ia goditur derën e dhomës kanë hyrë në shtëpi dhe kanë kërkuar para, të cilat siç ka thënë Gojko nuk i kishte. Ministri i ka premtuar Dabizljevicit ndihmë me ushqim.
Pas vizitës në Dresnik, ministri për komunitete dhe kthim, Dalibor Jevtic, ka mbajtur një takim me banorët e Dresnikut, nënkryetarin e Komunës së Klinës dhe komandantin e stacionit policorë të Klinës. Në takim u diskutua për gjetjen e mundësive se si të parandalohen në mënyrë efikase incidentet në territorin e kësaj komune.