Gjykata: Dëshmitarët kundër Azem Sylës janë në rrezik

0

Prokuroria dhe Gjykata kanë ardhur në përfundim se dy dëshmitarë kundër Azem Sylës dhe grupit të tij janë të rrezikuar më jetë. Për këtë arsye ka caktuar disa seanca për të marrë dëshmitë e tyre, ende pa u ngritur aktakuza. Njëri prej dëshmitarëve tashmë i është nënshtruar programit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Ai pritet të largohet nga Kosova përfundimisht.

Njëzetenjë seanca të mbyllura hetimore janë caktuar nga Gjykata për të intervistuar dy dëshmitarët kryesorë kundër Azem Sylës dhe 50 të dyshuarve të tjerë.

Seanca e parë në kuadër të hetuesisë së veçantë pritet të mbahet nesër në Pallatin e Drejtësisë. Gjyqtarja e procedurës paraprake, prokurori, mbrojtja dhe të pandehurit do të ballafaqohen me dëshmitarët.

Në vendimin për miratimin e kërkesës së prokurorit për hetuesi të veçantë që ka siguruar Insajderi, përmenden arsyet se pse duhet të merren dëshmitë e këtyre dëshmitarëve tash, duke mos e pritur nisjen e procesit gjyqësor.

Gjyqtarja thotë se rreziku për këta dëshmitarë është në nivelin më të lartë. Pos kësaj, njëri prej këtyre dy dëshmitarëve pritet të largohet nga Kosova për shkak se siç thuhet është futur në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Vendimi saktëson arsyet se pse prej nesër do të mbahen kësi seancash të veçanta hetimore, të rralla në drejtësinë kosovare.

“Miratohet kërkesa e prokurorit… për mundësinë e hetuesisë së veçantë; Miratohet pjesërisht kërkesa e prokurorit për masa mbrojtëse”, thuhet në vendim.

Ish-deputeti Azem Syla është nën hetime për krim të organizuar e shpëlarje parash. Ai ndodhet në paraburgim prej një muaji. Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal.

Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro.

Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

Prokuroria pretendon se ngastrat e tokës të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, dekada më parë ishin shpronësuar nga prona private dhe ishin bërë të shtetit. KBI Kosova Export, menaxhonte me to.

Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme – me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente fals, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër. Mirëpo, ata pronarë nuk kanë ditur fare për këtë. Në këtë mënyrë, pronat janë shitur pronarëve të rinj shqiptarë.

vendimi

Në vendimin për hetuesi të veçantë që ka siguruar Insajderi, thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake do të marrë dëshmitë e dy dëshmitarëve gjatë seancave që do të zhvillohen më 31 maj, 9, 10, 16, 17, 22, 27, 28, 29 qershor, 1, 6, 7, 8, 12, 13, 14, 15, 22, 26, 26, 29 korrik dhe datat pasuese do të vendosen.

Vendimi këtë lloj hetimi është marrë pasi prokurori kërkoi që gjyqtarja e procedurës paraprake të shfrytëzojë mundësinë e hetimit të veçantë që t’i marrë dëshmitë nga dëshmitarët me qëllim të ruajtjes së provave.

Prokuroria pretendon se dëshmitarët janë tepër të rrezikuar.

“Dëshmitari 1 ishte shpallur dëshmitar bashkëpunues në nëntor të vitit 2015. Prokurori potencon se deri më tani ky dëshmitar ka dhënë gjashtë intervista dhe se dëshmia e dhënë nga ky dëshmitar gjatë bashkëpunimit të tij është absolutisht vendimtare”, thuhet në vendim.

Sipas prokurorit statusi i rrezikut për dëshmitarin bashkëpunues formalisht është vlerësuar të jetë në nivelin më të lartë dhe kjo përbën një rrezik të madh se dëshmia e tij nuk do të mund të jetë në dispozicion në shqyrtimin gjyqësor.

Prokurori ka shtjelluar rrezikun duke iu referuar kërcënimeve private, sulmeve dhe tentimvrasjeve të përsëritura pas largimit të dëshmitarit nga grupi kriminal në vitin 2008.

“Prokurori po ashtu i referohet një varg artikujsh në media lidhur me këtë dëshmitar që nga 10 marsi 2016”, thuhet në vendim të Gjykatës.

Aty theksohet se ky pasi ky dëshmitar i është nënshtruar programit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe mund të largohet jashtë vendit në një të ardhme të afërt, kërkohet që dëshmia e tij të jepet në mundësinë me të hershme.

Sa i përket dëshmitarit 2, prokurori potencon se deri tash, është intervistuar dy herë.

“Ky dëshmitar është në gjendje unike që të jap dëshmi esenciale për strukturën dhe aktivitetet e grupit kriminal gjatë një periudhe disavjeçare si dhe ka pasur raporte dhe kontakt individual me Azem Sylën dhe anëtarët tjerë të grupit”, theksohet në vendim.

“Pasi që të pandehurit e njohin mirë këtë dëshmitar si dhe e njohim natyrën dhe forcën e dëshmive vendimtare që ai mund të jap në shqyrtimin gjyqësor, prokuroi pohon se është e mundshme që ata të marrin hapa për të siguruar që të mos dëgjohet dëshmia e tij në shqyrtimin gjyqësor dhe që ai të japë një version të ndryshëm të ngjarjes, sapo ata të marrin vesh se ai është dëshmitar në këtë rast”, thuhet më tej në vendim.

Ky fakt sipas vlerësimit të prokurorit dhe Gjykatës, përbën rrezik që dëshmia e tij të mos jetë e disponueshme në shqyrtimin gjyqësor.

Teksa ka mbështetur këto pretendime, prokurori i është referuar rasteve të mëhershme në të cilat anëtarët e grupit të organizuar kriminal kishin qenë të përfshirë në veprat e dhunshme penale, vrasje, vrasje në tentativë, kërcënime dhe frikësime për vdekje të dëshmitarëve, apo procedurës aktuale gjyqësore që ndërlidhet me frikësimin apo tentim dhënien e ryshfetit dëshmitarëve dhe pengimin e provave.

Prokurori argumenton se është e domosdoshme të ruhet dëshmia e këtij dëshmitari përmes mundësisë së hetimit të veçantë.

“Për të parandaluar rrezikun e sulmeve fizike kundër dëshmitarëve dhe në përputhje me vlerësimin e bërë nga Prokuroria si pjesë e Programit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Gjykata e sheh të nevojshme mbajtjen e seancës dëgjimore me anë të teknologjisë së video konferencës”, ka vendosur Gjykata.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka theksuar në vendim se është e nevojshme të urdhërohet që të mos zbulohet identiteti i dëshmitarëve.

“Edhe nëse identiteti i dëshmitarëve në këtë fazë tashmë mund të jetë i njohur për një pjesë të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës, e madje ai ka mundur që të diskutohet edhe në publik, gjykata e sheh të përshtatshme që të parandalojë çdo diskutim të mëtutjeshëm publik lidhur me identitetin e dëshmitarëve”, ka vendosur Gjykata.

Seancat e caktuara nga Gjykata janë të mbyllura për publikun.


Source: Informacione 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com