Gjuetia e turpshme e ujërave të turbullt – Justinian Topulli

0

Gjuetia e turpshme e ujërave të turbullt

Justinian Topulli
Armiku jonë më i madh si muslimanë është përçarja, dhe për këtë na ka siguruar si shpallja hyjnore ashtu edhe historia, dhe sidomos kur kjo përçarje motivohet nga çështje dytësore apo interesa të ngushta personale pushteti. Rasti më tipik për këtë më kujton Andaluzinë, sesi ai vend u copëtua politikisht mes principatave, dhe sesi në fund ato bashkëpunonin me të tjerët kundra njëra-tjetrës dhe në fund ishin pikërisht këta të tjerë që e zhbën Andaluzinë nga të qenit një vend musliman.
Të gjithë e ndjejnë përçarjen dhe flasin për bashkim, por kur të gjithë artikulojnë faktin se ky bashkim duhet bërë mbi bazat e litarit të Allahut, ata nënkuptojnë veten e tyre, xhematin e tyre ose ideologjinë apo frymën që ata ndjekin, dhe kjo është për ata litari i Allahut në kohën e sotme.
Diskutimi i kësaj teme është shumë i gjerë dhe aspak i lehtë, sepse përfshinë çështje doktrinare, metodike, historike, juridike etj. Megjithatë duke qenë se, ne si muslimanë i përkasim në një kuptim të përgjithshëm sunijve, që është edhe përkatësia e shumicës dërmuese të muslimanëve në mbarë botën, dhe i përkasim gjithashtu edhe të njëjtit komb dhe vend ku jetojmë, atëherë na duhet të gjejmë elementë të përbashkët të sunizmit si dhe interesit tonë lokal si muslimanë shqiptar, për tu bërë bashkë dhe për të mos shitur dhe braktisur njeri-tjetrin, për interesa momentale sektare apo edhe individuale.
Ajo që të vjen keq, në këto momente të vështira që kalojnë muslimanët, është fakti sesi shfrytëzohet situata e ngarkuar politikisht dhe emocionalisht e jomuslimanëve karshi nesh, për t’i ndërsyer ata kundra një grupi apo fryme të caktuar mes nesh. Më konkretisht sesi një pjesë duan t’i faturojnë terrorizmin frymës selefiste (që e emërtojnë edhe me termin vehabizëm), thjesht për larje hesapesh të reja apo të vjetra apo për hakmarrje sektare apo edhe për përfitime individuale nga ndonjëri. Shembuj të dufit të këtij lloji ka nga të gjitha palët, mjafton këtu të përmendim rastin e vizitës së Presidentit turk në Shqipëri dhe deklaratës së tij anti-gyleniste dhe entuziazmit xhemator e sektar, që shpërtheu me atë rast!
Është për të ardhur keq që ne si muslimanë shqiptar nuk gjejmë dot gjuhën e përbashkët, për tu marrë me hallet e bashkësisë sonë, por kërkojmë t’i zgjidhim ato duke përjashtuar tjetrin, edhe nëse mjeti i përdorur në këtë rast është i turpshëm dhe zullumqarë.
E kemi thënë shpesh herë të shkruar dhe të folur, në kafe dhe në auditorë, në kontakte private dhe institucionale dhe do të vazhdojmë ta themi, edhe pse një pjesë nuk do të besojnë në sinqeritetin tonë, se për aq kohë sa nuk ka një gjithëpërfshirje reale në punët e Islamit në Shqipëri, nga të gjithë muslimanët dhe fryma që ata përfaqësojnë, gjendja nuk ka për tu përmirësuar. Tentativa për të marrë eskluzivitetin e përfaqësimit të fesë dhe muslimanëve në këtë vend, ndërkohë që kjo bëhet me metoda sektare dhe aspak morale, do të vazhdojë ta dëmtoj jetën fetare islame në këtë vend.
Terrorizmi dhe ekstremzimi dhe çdo lloj deviance tjetër fetare, nuk luftohet dhe as shërohet duke stisur realitete të paqena apo fryrë të tjera që janë në faza tepër embrionale, tepër të brishta dhe të izoluara. Paturpësia më e madhe është kur këto bëhen gjuhë mediatike e individëve që përfaqësojnë institucionin. Institucioni apo më saktë individët që përfaqësojnë muslimanët e këtij vendi duhet të mësojnë të sillen drejt, mbi të gjitha me xhematin, të cilin pretendojnë se e përfaqësojnë. Prirja për të parë veten si etërit e Islamit në Shqipëri, thjesht për shkak të karriges që mbajnë, është sa jorealiste, por aq edhe dëmtuese. Ne e dimë shumë mirë se askush në këtë vend nuk ka tagrin moral nga brezi ynë, ta shes veten si trashëgimtarë i denjë atëror i muslimanëve të këtij vendi, sepse e dimë shumë mirë historinë që na ndau egërsisht dhe prerazi nga ata njerëz dhe ajo trashëgimi. Sot pas dy dekadash e gjysmë përjetojmë një realitet krejt tjetër, ndaj dhe tendenca për tu shitur ashtu siç nuk jemi është hipokrizi, e për më tepër bëhet për arsye sektare e ndonjëherë edhe të ulëta individuale.
Institucionet mbi të gjitha përbëhen nga njerëzit, dhe njerëzit kanë përkatësi të caktuara sektare, ideologjike etj. ndaj ai që kapet në këtë rast është institucioni dhe zyrat e tij dhe jo vetë feja apo përfaqësimi i tyre moral. Kështu që shembulli më realist i ynë është, ai i dy vëllezërve, njëri pak më i madh në moshë, në përvojë, në dije fetare e në reputacion, në kontribut dhe ndikim xhemator, por pa zë dhe pushtet institucional dhe pa organizim të mirëfilltë, dhe tjetri, më i ri, më me pak përvojë, dije fetare, ndikim dhe kontribut në xhemat, por më i organizuar dhe me pushtet institucional. Kështu që, vëllai më i vogël nuk është aspak morale ta trajtojë më të madhin si i ati të birin, apo edhe si njerka fëmijën e burrit; ndërkohë që edhe vëllai i madh nuk duhet ta injorojë të voglin, apo edhe të sillet vende vende me hipokrizi ndaj tij, për shkak të karriges që ai mban.
Edhe njëherë më duhet të theksojë se, nëse nuk ka gjithëpërfshirje në punët e fesë islame në këtë vend, por vetëm tendenca për të marrë eskluzivitetin e saj, gjithmonë do të prodhohen një larmi reagimesh, një pjesë do të bëjnë servilin, një pjesë hipokritin, një pjesë të sinqertin kritik që shikon punën e tij, një pjesë indiferentin, por natyrisht edhe të tjerë, që është e lehtë të merren me mend. E ndërsa tendencat për ta faturuar gjithë thelbin e problemit dhe dervitatet e tij tjetërkund, janë vetëm se shenja të analizës sektare apo gjuetisë në ujëra të turbullta.

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com