Forexi “islam” dhe vendimi i Ligjit islam mbi të

0

Forexi “islam” dhe vendimi i Ligjit islam mbi të

Shkruan: Rijad Misini

 

Lavdia e plotë i takon vetëm Allahut Fuqiplotë. Përshëndetjet tona janë për vulën e profetëve, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.

Në këtë artikull të shkurtër do ta japim një pasqyrë të shkurtër mbi Forex-in, si dhe vendimin e ligjit islam mbi të ashtuquajturin: “Forex-i “islam”“, duke iu përgjigjur një kërkese për nxjerrjen e një fetuaje përkitazi me këtë lloj transaksioni në tregjet valutore.

Çfarë është Tregu Forex?

Forex, ose FX, është shkurtesa nga fjalët angleze: Foreign exchange, që nënkuptojnë tregun valutor. Edhe pse njihet si treg valutor, në Forex mund të tregtohen gjithashtu: nafta, ari, argjendi dhe metale të tjera të çmuara, aksione botërore (letra me vlerë), dhe shumë instrumenta të tjera financiare.  Shuma ditore e tregtisë në Forex është afro 5.5 trilion dollarë. Pjesëmarrësit në tregun e këmbimit valutor janë bankat tregtare, bankat qëndrore, kompanitë e menaxhimit, kompanitë e sigurimeve, korporatat e mëdha, dhe investitorët individualë. Tregtimi zhvillohet nëpërmjet rrjetit elektronik.

Kur flitet për tregjet financiare globale, Forex është tregu financiar më i madh në botë, që nga dita kur  arriti qarkullimin  prej 4 trilion dollarë amerikanë.  Në këtë treg të gjerë dhe shumë dinamik, nuk ka shkëmbim fizik të monedhave, por tregtohen çifte monedhash mbi ndryshimin e çmimit, fv. EUR/USD, CHF/GBP, etj., ku një çift monedhash blihet, dhe në të njëjtën kohë shitet.

Tregëtia në Forex ka të bejë me investimin ose spekullimin në kursin e këmbimit, ose çmimet e valutave nacionale.

Bazat e Forex-it nuk janë shumë të komplikuara: Blihet një valutë kur është e ulët, shitet kur është lartë, dhe mirret profit. Poashtu mund të mirret profit duke shitur me çmim të lartë, dhe pastaj duke blerë me çmim të ulët.

 

Emërtimet per spekullimet në tregun e aksioneve janë të ndryshme, ndërkohë që humbja është e njejtë. Pas çdo krize globale financiare, hetimet tregojnë se arsyeja kryesore e tyre janë spekullimet e ndezura në tregun e aksioneve, e veçanërisht në fushën e transaksioneve me afat (=futuret), derivateve financiare, të tilla siç janë: shitjet me zbulim (=short sale), blerja me margjinë, opsionet, shitblerja e indeksit, dhe të tjera.

Sa herë që investitorët e thjeshtë të mësojne mbi një transaksion të caktuar, dhe për madhësine e humbjeve të tyre në tregun valutor, mashtruesit ndërkombëtare shpikun për ta emërtime dhe fusha moderne të transaksioneve, me ç’rast, i fusin në mashtrime të reja, për shkak të reklamimeve intensive e të studiuara mirë, të cilat u premtojnë pasurim të shpejtë, dhe gjasa të fitimeve te medha. Forex-i është një prej këtyre emrave modernë.

Dispozita e Sheriatit islam mbi tregëtimin me Forex-in “islam”

Edhe pse përpjekjet për “islamizimin” e Forexit sollën ca ndryshime esenciale në kontratën e tij, për të përfituar sa më shumë klientë myslimanë anembanë botës, megjithatë, mund të thuhet me siguri të plotë, duke u bazuar në faktet sheriatike, se Forexi “islam” është i ndaluar (=Haram), për shkaqet në vijim:

1- Kompania e cila jep kredi pa kamatë, kushtëzon klientët të blejnë dhe shesin nëpërmes saj, kontratë kjo, që në fjalorin e ligjit islam përkthehet si: kredi & transaksion, dhe kredi që tërheq pas vete interes, dhe si e tillë është e ndaluar  (=Haram).

2- Kushtëzimi i ngërthimit të dy kontratave në një transaksion të vetëm, me ç’rast kërkohet nga klienti që pas blerjes së valutës së caktuar, të vazhdojë validiteti i të njejtit transaksion, duke e shitur atë valute më pastaj, gjë që është e ndaluar (=Haram).

3- Llogaria e klientit hipotekohet tek agjenti tregtar (kompania ndërmjetësuese), si garantim i pagesës së vlerës së kredisë, si dhe është i regjistruar në emër të agjentit, dhe jo në emër të klientit, ndërkohë që klienti ka mundësi të disponojë me ato vetëm në shitblerjen e monedhave. Klienti nuk është në gjendje ta tërheqë llogarinë e tij të hipotekuar, derisa të mos likuidojë të gjitha detyrimet e tij ndaj kompanise.

4- Agjenti tregtar garanton dhe mbron veten nga humbjet e mundshme, nëpërmes shitjes së valutave, dhe marrjen e vlerës së tyre në dollar, edhe nëse klienti nuk pajtohet me të, sepse valuta është e regjistruar në emër të agjentit, dmth agjenti e merr të tërë kredinë e tij me dollare nga llogaria e klientit, dhe, nëse ka ndonjë mungesë, atëherë agjenti mund ta kompensoje nëpermes margjinës, të cilën e ka vënduar klienti në dispozicion të agjentit.

5- Sa i perket klienteve myslimane, qendrat e tyre të sherbimit u nënshtrohen operacionit te ashtuquajtur RollOver, që do të thotë se, qendrat e hapura mbyllen dhe hapen menjëhere në ora pesë të mbremjes, sipas llogaritjes se Amerikës lindore, me qellim të menjanimit të perqindjes së interesit kamator, qe rrjedh nga kontrata e shkëmbimit. Nje operacion i këtille (hapja dhe mbyllja e qendrave) kryhet për çdo ditë, në këmbim të një tarifeje administrative që mirret vetëm njëherë për një transaksion, dhe kushton tre dollare për secilin transaksion. Ky operacion kryhet sa kohë që qendra të jetë e hapur. Si rrjedhojë, klienti rreshqet në baltën e interesit kamator, me një dallim të vetëm, ku pagesa e interesit bëhet njëherë, dhe jo disa herë për secilën kontratë shkëmbimore.

Bibliografia:

  • Et-tedaul el-iliktrunij lil-edeuat – Turukuh ed-deulijje ue ahkamuh-esh-sherijje. Autor: Dr. Bisher Lutfi.
  • El-Fureks. Autor: Dr. AbdulFetah Salah.
  • Çfarë eshtë Forex-i?. http://www.fxlider.com/al/Education/WhatIsForex/
  • Ekonomi ndërkombëtare – Kurset e këmbimit. Artur Hadroj.
  • Fjalor i biznesit, ekonomikës dhe financës – Anglisht-Shqip/ Shqip-Anglisht. Nexhmi Rexha.
Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com