Ekrem Avdiu
ECJA RRUGËS SË DREJTË GARANCË PËR LUMTURI
S’ka dyshim se prej mësimeve që nxjerrim nga Kur’ani në përgjithësi dhe nga sureja el-Fatiha në veçanti është rëndësia e kërkimit të udhëzimit nga Allahu i Madhëruar. Derisa përsërisim në namazin tonë disa herë gjatë ditës dhe natës ajetin e sures el-Fatiha, në të cilin kërkojmë prej Allahut të na udhëzojë në rrugën e drejtë, duhet të mos harrojmë rëndësinë e udhëzimit dhe qëndrimit stabilë në rrugën e Allahut. Muslimani me dhjetëra herë gjatë ditës përsëritë ajetin: “Udhëzona në rrugën e drejtë.” (Fatiha, 6)
Udhëzimi është në dy forma: udhëzimi i argumentimit dhe kallëzimit të rrugës dhe. Të dyja këto forma të udhëzimit janë specifike dhe sipas reflektimit i përgjigjen edhe udhëzuesit. Forma e parë e cila burimin e ka tek Allahu i Madhëruar, realizohet nëpërmjet njerëzve që Allahu i ka zgjedhur të jenë bartësit e Fjalës së Tij, e këta janë të Dërguarit e Allahut, si dhe ata që e pasojnë rrugën e tyre. Kjo arrihet nëpërmjet fjalës, shpjegimeve, thirrjes dhe sqarimeve të nevojshme. Allahu i Madhëruar i thotë të Dërguarit të Tij Muhammedit: “Dhe ti, me të vërtetë, i thërret ata në Rrugën e Drejtë.” (Mu’minun, 23) Dhe thotë, duke e përmendur edhe vet udhëzimin: “Ti, me të vërtetë udhëzon në rrugine drejtë.” (Shura, 42)
Ndërsa, sa i përket formës së dytë të udhëzimit, që është udhëzimi i të mundësuarit të ecjes rrugës së drejtë, ajo është kompetencë strikte e Allahut të Madhëruar dhe këtë nuk ka mundësi ta bëjë askush përveç Tij. Këtë mundësi, Allahu ia mohon, madje edhe të Dërguarit të Vet: “Ti nuk mund ta udhëzosh atë që e do, por Allahu udhëzon kë të dëshirojë.” (Kasas, 56)
Udhëzimi i argumentimit dhe kallëzimit të rrugës së drejtë nuk ka mundësi të ndodhë përveç se nëpërmjet emisarëve dhe të dërguarve të Allahut, të cilët e kanë marrë prej Allahut obligimin e dëftimit njerëzve rrugën e drejtë. Nga ajetet e Kur’anit, përveç tjerash vërehet edhe nevoja e njerëzimit për shpallje dhe të dërguar ngase udhëzimi i formës së parë nuk mund të bëhet pa ndihmën e shpalljes. Kur të bëhet sqarimi dhe përshkrimi i rrugës së drejtë, vjen në shprehje nevoja për formën e dytë të udhëzimit: mundësia e ecjes dhe praktikumit të mësimeve që burojnë nga ajo rrugë. Këto dy forma të udhëzimit janë të pavarura njëra prej tjetrës, edhe pse nuk mund të arrihet lumturia, suksesi dhe shpëtimi pa të dyja bashkë.
Nga kjo kuptohet domosdoshmëria e kërkimit të udhëzimit nga Allahu i Madhëruar. Njëkohësisht, këtu qëndron edhe përgjigja për atë që pretendojnë se është e panevojshme të kërkohet udhëzimi disa herë në ditë gjatë namazit, duke pasur para sysh se ata që falen, konsiderohen të udhëzuar. Në të vërtetë, ai që falet, edhe pse është në një farë mënyre i udhëzuar ai ka nevojë të ia drejtojë Allahut këtë lutje për disa arsye:
- ne e njohim të vërtetën pjesërisht, dimë shumë çka rreth saj por ajo që nuk dimë është shumë më shumë se sa ajo që dimë;
- ka gjëra që me zell i punojmë dhe obligime që i kryejmë pa përtesë, por ka edhe aq, nëse nuk janë më tepër që mezi i bëjmë apo nuk i bëjmë bot për shkak të përtacisë apo të ngjashme;
- gjithashtu ekzistojnë vepra që me dëshirë do ti kishim kryer por nuk kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë;
- ekzistojnë disa të tjera të cilat i njohim në një farë mënyre të përgjithshme, por kur ballafaqohemi me detajet, shohim se njohuritë tona janë të pamjaftueshme.
Ai që i ka këto të meta gjithsesi ka nevojë të kërkojë udhëzim prej Allahut, madje edhe kur këto të meta evitohen, ai prapë duhet të kërkojë udhëzimin e stabilitetit dhe kontinuitetit. Ai, pra, ka nevojë përveç tjerash për një energji dhe forcë e cila i garanton aftësi dhe mundësi për të kryer obligimet dhe veprat e mira në mënyrë permanente.
Udhëzimi ka edhe një formë tjetër shumë të rëndësishme me të cilën manifestohet e ajo është: udhëzimi në Ditën e Gjykimit për në Udhën e xhenetit. Lidhshmëria mes kësaj dhe ecjes në rrugën e Allahut në këtë botë është shumë e ngushtë dhe e drejtpërdrejtë. Ai që në këtë botë ecë nëpër Rrugën e Drejtë të Allahut (es-siratul-mustekim), me lehtësi do të gjejë në Ditën e Gjykimit Udhën për në xhenet. Nëse në këtë botë ka qëndruar stabil në Rrugën e Drejtë, ai do të ecë stabil dhe pa u luhatur nëpër Siratin e ngritur përmbi xhehenem. Ata që në këtë botë kanë qenë të vendosur në rrugën e Allahut, atje do ta kalojnë Siratin me shpejtësi të madhe, si të rrufesë, pastaj të tjerët si era, të tjerët si kalorësi i shpejtë, si vrapuesi, duke ecur,… Por ai i cili ka pasur ngecje në të përmbajturit mësimeve të Allahut në këtë botë dhe ka ecur në Rrugën e Drejtë duke çaluar, edhe atje do të çalojë përmbi Sirat. Gjendja e disa të tjerëve është akoma më rrëqethëse, ngase disa kanxha u kapen prej xhehenemit dhe nuk i lënë të kalojnë të sigurt përmbi Sirat. Ato kanxha janë pasojë e mëkateve, epsheve dhe shfrenimeve të cilave nuk u kanë rezistuar në këtë botë. Kjo, në të vërtetë, nuk është asgjë tjetër përveç jetësim i premtimit hyjnor: “Vallë, a do të shpërbleheni ndryshe, përveç ashtu si keni vepruar.” (Saffat, 39)./DIJAONLINE.COM