Duke Zbuluar dhe Shpjeguar Sheriatin
Hyrje
Termi sheriat sot është bërë mjaft i njohur, si për muslimanët ashtu edhe për jomuslimanët, për shkak të përmendjes së shpeshtë që i bëhet në media dhe lajme. Por, çfarë kuptimi ka në fakt termi sheriat?
Në gjuhën arabe fjala sheriat do të thotë: rruga e qartë ose rruga që të shpie drejt ujit. Në kuptimin islam kjo fjalë përdoret për të treguar fenë që ka ligjësuar Zoti për njerëzimin. Kuptimi gjuhësor i fjalës sheriat pasqyrohet edhe në kuptimin e tij terminologjik: ashtu siç është i domosdoshëm uji për jetën biologjike njerëzore, ashtu edhe qartësia dhe pastërtia e Sheriatit është uji jetësor i shpirtrave dhe i mendjeve njerëzore.
Sheriati gjykon të gjitha aspektet e jetës së një individi musliman. Ligjet e Sheriatit nxirren nga një grup burimesh, që përfshijnë Kuranin fisnik, Hadithin (fjalët, veprat dhe miratimet e Profetit) dhe pas tyre, gjykimet që japin dijetarët muslimanë, nëpërmjet ixhmait (konsensusit), kijasit (analogjisë), urfit (traditës) dhe maslahas (interesit).
Shumë njerëz, në mes tyre edhe disa muslimanë, e kanë keqkuptuar Sheriatin, ata në shumë raste Sheriatin e lidhin me prerjen e gjymtyrëve, vrasjen me gurë, rrahjen me kamxhik si dhe ndëshkime të tjera. Ndërkohë në perëndim ka njerëz që e shohin Sheriatin si një kod idesh të vjetra sociale, të cilat iu imponohen njerëzve që jetojnë në vendet ky sundon Sheriati dhe të cilave u ka ikur koha dhe janë të padrejta.
Pavarësisht këtyre opinioneve, shumica e muslimanëve e shohin Sheriatin krejt ndryshe. Ata e kanë parë Sheriatin gjatë gjithë trashëgimisë islame si diçka që ka shërbyer për edukimin e racës njerëzore. Sheriati në vështrimin e tyre nuk është diçka primitive, por diçka e shenjtë. Sheriati për shoqëritë me probleme sociale shihet si çlirues i njeriut në mënyrë që ai të kuptoj dhe të njoh mundësitë e fshehura që mbart.
Shtegu i drejtë
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj (sheriat) dhe një rrugë të qartë (minhaxh). Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni tek Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti.” (Kurani 5:48)
Zoti i Lartësuar ka caktuar për shpirtin e çdo njeriu një periudhë të limituar kohe, të cilën ai do ta kalojnë në tokë, për tu testuar gjatë qëndrimit në të. Pas përfundimit të kësaj periudhe të përcaktuar për të, Ai do ta gjykojë dhe do ta dërgojë atë në botën tjetër: në kënaqësinë e përjetshme ose në ndëshkimin e përhershëm.
Pra, kjo jetë i shëmbëllen një udhëtimi, që e shpie njeriun që jeton në të, në shtigje të shumta, por diku në të -në mes gjithë këtyre shtigjeve- ka vetëm një shteg të qartë dhe të drejtë dhe ky shteg për muslimanët është Sheriati.
Udhërrëfim hyjnor
Allahu ka dërguar Profetë gjatë gjithë kohës te njerëzit në mbarë botën; i ka dërguar për t’i udhëzuar ata në shtegun e drejtë, shteg që i shpie drejt lumturisë së kësaj bote dhe botës tjetër. Të gjithë Profetët e dërguar kishin të njëjtin besim, por veçantitë e ligjeve qiellore (sheriateve) të tyre ndryshonin në përshtatje me nevojat njerëzore që kishte çdo vend dhe kohë. Sheriati pasqyron shpalosjet reale dhe shembullore të mëshirës hyjnore, Allahu i Lartësuar thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Kurani 5:3) Ndërkohë për Profetin e Tij, Ai thotë: “Ty të dërguam vetëm si mëshirë për mbarë botët.” (Kurani 21:107)
Dispozitat e Sheriatit
Sheriati rregullon gjithë veprimtarinë njerëzore dhe e klasifikon atë në pesë grupe:
- E detyruar (el-uxhub)
- E preferuar (en-nedb)
- E lejuar (el-ibaha)
- E urryer (el-kerahije)
- E ndaluar (el-haram)
Veprat e detyruara duhet të kryhen dhe të shoqërohen me qëllimin (nijetin) e mirë, dhe në bazë të saj njeriu shpërblehet. E kundërta e kësaj janë veprimet e ndaluara, të cilat nuk duhen kryer. Me veprime të preferuar ose të pëlqyera kihet për qëllim ato vepra që këshillohen të kryhen, ndërkohë të urryera ose të papëlqyera janë ato që nuk këshillohen të veprohen. Veprime të lejuara janë të gjitha ato veprime që as nuk nxiten dhe as nuk kritikohen. Shumica e veprimeve që kryejnë njerëzit hyjnë në grupin e fundit që përmendëm.
Thelbi i veprimeve bazohet te qëllimi dhe sinqeriteti, ashtu siç udhëzon Profeti islam kur thoshte: “Punët lidhen me qëllimet dhe çdo njeriu do t’i takoj ajo që kishte si qëllim.” (Buhariu & Muslimi)
Jeta nën hijen e Sheriatit islam
Sheriati përfshin çdo aspekt të jetës së njeriut. Indeksi udhëzues i Sheriatit zakonisht ndahet në katër kode të cilat janë:
- Kodi që lidhet me adhurimet individuale (el-ibadat).
- Kodi që lidhet me shkëmbimet ndërnjerëzore (el-muamelat).
- Kodi që lidhet me martesën dhe divorcin (en-nikah).
- Kodi që lidhet me ndëshkimet penale (el-hudud).
Parimet madhore të Sheriatit
Zoti i dërgoi Profetët dhe zbriti tek ta Librat hyjnorë për njerëzimin, për tu sqaruar atyre rrugën drejt lumturisë së kësaj bote dhe shpëtimit në botën tjetër. Ky kuptim i rëndësishëm shpaloset qartë në lutjen e besimtarëve që Allahu e përmend në Kuran kur thotë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” (Kurani 2: 201)
Dijetarët muslimanë shpjegojnë se, objektivi i Sheriatit është të ndihmojë në mirëqenien e njerëzimit në këtë botë dhe në tjetrën. Ky objektiv dallohet qartë si në Kuran ashtu edhe në mësimet e Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të).
Nisur nga ajo që thonë dijetarët e Sheriatit islam, mund të themi se, që të përmbushet mirëqenia e njerëzve është e nevojshme që jeta e tyre të mbështet tek:
- Domosdoshmëritë
- Nevojat dhe
- Plotësimet (përmirësimet)
Domosdoshmëritë
Domosdoshmëritë janë nevojat tek të cilat bazohet jeta e njeriut në këtë botë si dhe besimi i tij fetar. Mos marrja e tyre në konsideratë e çon njeriun drejt rrënimit të papërballueshëm në këtë jetë ose ndëshkimit në botën tjetër.
Sipas parimeve islame domosdoshmëritë njerëzore janë pesë:
- Ruajtja e Fesë
- Ruajtja e ekzistencës njerëzore
- Ruajtja e arsyes
- Ruajtja e pasardhësve
- Ruajtja e pasurisë
Të gjitha këto pika përfshijnë kujdesin ndaj individit dhe shoqërisë dhe i shërbejnë atij në jetën e kësaj bote dhe atë të botës tjetër.
Sheriati i mbron këto domosdoshmëri me anë të dy rrugëve:
Së pari, duke dhënë garanci për njohjen dhe ekzistencën e tyre dhe
Së dyti, duke u kujdesur për ruajtjen e tyre.
Sheriati këtë gjë e përmbush si më poshtë:
- Mbron praktikën fetare. Allahu i Madhërishëm ua ka bërë obligim njerëzve besimin në Të dhe adhurimin e Tij. Pikërisht për të garantuar ruajtjen e kësaj gjëje janë vendosur dispozitat që kanë lidhje me respektimin e mësimeve fetare dhe transmetimin e
- Mbron qenien njerëzore. Allahu për këtë ka ligjëruar martesën, ka urdhëruar mbrojtjen e jetës dhe shëndetit, për të përmbushur këtë ka Ai ndaluar çdo gjë që e dëmton jetën e njeriut, si dhe ka përcaktuar ndëshkime për cenimin e këtyre ndalesave.
- Mbron arsyen dhe mendjen njerëzore, të cilën Allahu dëshiron për njerëzit që ata ta ngrenë sa më lart, me anë të mendimit dhe Ai ka ndaluar çfarë e
dëmton atë dhe e dobëson, si p.sh. përdorimin e pijeve alkoolike dhe drogave.
Ai gjithashtu ka caktuar ndëshkime parandaluese, që njerëzit të largohen prej tyre. Kjo, sepse arsyeja dhe mendja e shëndoshë është baza e përgjegjësisë morale, që Allahu i ka dhuruar birit të njeriut.
- Mbron pasardhësit. Martesa është ligjëruar për të mbrojtur vazhdimësinë e racës njerëzore; çdo kontakt seksual që del jashtë kufijve të martesës është i Janë vendosur rregulla edukuese, për të garantuar pasardhësit dhe ruajtur vazhdimësinë e racës njerëzore.
- Mbron pasurinë. Allahu e ka urdhëruar muslimanin të kujdeset ekonomikisht për veten dhe familjen e tij, duke e mbrojtur pasurinë e tij dhe duke e shtuar atë. Ka vendosur kode që rregullojnë tregtinë dhe shkëmbimet tregtare në mes njerëzve, pikërisht për të garantuar një marrëdhënie të drejtë, për të përmbushur drejtësinë financiare dhe për të parandaluar padrejtësinë dhe mosmarrëveshjet.
Nevojat dhe plotësimet
Nevojat dhe plotësimet janë gjëra për të cilat njerëzit përpiqen t’i sigurojnë, për të garantuar një jetë më të mirë edhe pse ato nuk hyjnë tek sendet e domosdoshme. Fryma e Sheriatit karshi gjërave që kanë të bëjnë me nevojat e njerëzve dhe rehatinë e tyre lexohet qartë edhe në disa ajete të Kuranit: “dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj” (Kurani 22:78) “Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush…” (Kurani 5:6)
Kështu që, çdo gjë që shërben për të siguruar lumturinë e njerëzimit, brenda kornizave të udhëzimit hyjnor, konsiderohet e lejuar sipas Sheriatit.
Si filloi Sheriati?
Disa prej ligjeve të Sheriatit janë sanksionuar nga urdhra dhe sqarime të drejtpërdrejta në ajetet e Kuranit fisnik, disa ligje të tjera kanë ardhur drejtpërdrejtë nga udhëzimi i Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të), shto këtu edhe disa dispozita të ndryshme që kanë ardhur si rezultat i ngjarjeve të caktuara gjatë jetës së tij. Dispozita të tjera dytësore bazohen te gjykimet e dijetarëve, të cilat ata i kanë mbështetur te konsensusi (ixhmai), tradita zakonore (urfi) dhe interesi (maslaha). Janë dytësore sepse, ato nxirren në mënyrë deduktive nga Kurani dhe Sunneti, pra nga fjalët e Profetit, veprimet dhe mënyra sesi ai u soll në jetë.
Kështu pra, të gjitha ligjet e Sheriatit së pari, bazohen te Kurani dhe Sunneti dhe pas kësaj nëse nuk gjendet sqarim në këto dy burime, janë dijetarët ata që u takon e drejta e ixhtihadit ‘që duke përdorur inteligjencën e tyre arrijnë tek analogjia e saktë. Ashtu si në shumicën e kodeve ligjore, edhe këtu, disa çështje më pas konkretisht u kalohen specialistëve ligjor, siç janë dijetarët dhe gjykatësit.
Qëllimi i riteve fetare
Qëllimi kryesor i atyre që i besojnë Sheriatit është t’i përulen Krijuesit të tyre, por kjo nuk e përjashton aspak synimin për të përfituar gjithashtu të mira nga kjo botë.
Nëse dimensioni ligjor i Sheriatit i jep Islamit pamjen e jashtme, dimensioni shpirtëror i jep atij thelbin përmbajtësor. Profeti e ka sqaruar këtë madhështi shpirtërore kur ka thënë: “Ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë, e nëse nuk e sheh Atë, atëherë dije se Ai të sheh ty.” (Buhariu & Muslimi)
Jeta shpirtërore në Islam konsiderohet mjet për përmbushjen e besimit dhe përsosjen e tij nga ana praktike. Kjo do të thotë rendje drejt ujit që përfaqëson Sheriatin, në rrugën e qartë drejt Tij. Ky është uji që i jep jetë shpirtrave që janë të etura për kuptim.
Kjo është jeta shpirtërore me nivelet e saj të ndryshme dhe veçoritë e saj në jetë, e cila i tërheq muslimanët drejt fesë së tyre dhe drejt dispozitave të Sheriatit.
Burimet e Sheriatit
Burimet kryesore të Sheriatit janë Kurani dhe Sunneti.
Kurani fisnik
Kurani u zbrit te Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) në mënyrë të përshkallëzuar, për gjatë 23 vjetëve. Thelbi i mesazhit të tij është konfirmimi i monoteizmit dhe shprehja e nevojës shpirtërore, morale e njeriut për Zotin.
Kjo nevojë
Ajo që nuk vihet në dyshim është fakti se, Kurani është fjala e Zotit, dhe këtë e provon stili i tij i paarritshëm dhe elokuenca që ai mbart. Por, para së gjithash dispozitat udhërrëfyese dhe ligjet me të cilat ai ka ardhur, të cilat mbartin lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” (Kurani 5: 15-16)
Tradita Profetike (Suneti)
Kurani vë në dukje rolin e Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) kur thotë: “Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” (En-Nahl: 44) Shpjegimi vjen nëpërmjet asaj që ka folur, bërë dhe miratuar Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të).
Allahu e ka bërë obligim ndjekjen e udhëzimeve profetike, çështje kjo mjaft e qartë në fjalët e Tij: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit.” (En-Nisa: 59) Edhe vetë Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka folur rreth kësaj çështje duke thënë: “Kam lënë mes jush dy gjëra, që nëse kapeni pas tyre nuk do të humbisni kurrë pas largimit tim: Librin e Allahut dhe Sunetin tim.” (el-Xhamiu es-Sagir)
Burimet dytësore
Ekzistojnë edhe disa burime të tjera, të rëna dakord mes dijetarëve, të cilat si burime janë deduktuar nga vetë Sheriati, dhe këto janë: Ixhmai (konsensusi i dijetarëve), Kijasi(analogjia) dhe el-Meslaha (interesi, dobia).
Konsensusi (el-Ixhma)
Ixhmai përkufizohet si konsensus, në një kohë të caktuar, i të gjithë dijetarëve muslimanë, të nivelit të ixhtihadit, rreth një dispozite të caktuar. Nëse ixhmai është i mundur, me unifikimin e të gjithë dijetarëve rreth një dispozite, atëherë ai kufizohet brenda çështjeve të qarta që janë në pajtim me Kuranin dhe Sunetin. Ixhmai që të quhet i tillë duhet të përmbushet sipas përkufizimit që përmendëm dhe në momentin që ai përmbushet konsiderohet si argument i prerë. Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë: “Umeti (ndjekësit) im nuk unifikohet për diçka që të shpie në humbje.” (et- Tirmidhi)
Analogjia (el-Kijas)
Kijasi është një procedure efikase në deduktimin e dispozitave, që kanë të bëjnë me çështjet e reja. P.sh. drogat e ndryshme janë konsideruar si të ndaluara nëpërmjet kijasit, ku për analogji është marrë ndalimi i përdorimit të pijeve dehëse, siç përmenden në Kuran. Dispozita në këtë rast mbështet te pasoja e ngjashme, që vjen si rrjedhojë e dozës intoksikuese që mbartin të dy elementët e krahasuar.
Kijasi dhe procedurat e tij të larmishme, përdoren për t’i mundësuar gjykatësit të kuptojë arsyet dhe shkaqet kryesore të dispozitave të Kuranit dhe Sunetit. Gjithashtu ndihmon në trajtimin e situatave njerëzore që ndryshojnë vazhdimisht dhe mundëson për vënien në praktikë të dispozitave të reja më të përshtatshme.
Interesi (el-Meslaha)
Dijetarët e Islamit besojnë se Sheriati ka ardhur për të përmbushur interesat e njeriut dhe për ta ruajtur atë nga dëmet. Ajo që provohet katërçipërisht se është e dobishme për muslimanët, si për fenë ashtu edhe për jetën e kësaj bote, ajo konsiderohet pjesë e përligjur nga Sheriati; po kështu ajo që provohet se është e dëmshme si për fenë ashtu edhe për jetën e kësaj botë, konsiderohet e ndaluar.
Cili është burimi i besueshëm i Sheriatit në ditët e sotme?
Janë burimet të cilat u cituan më lart. Veç kësaj është e rëndësishme që gjykatësit të kenë njohuri të thella akademike rreth ligjeve dhe rregullave të së Drejtës Islame (Fikhul Islam). Kjo disiplinë islame është dëmtuar pjesërisht gjatë periudhës kolonialiste, kohë kur edhe u mbyllën shkollat islame që lëvronin Sheriatin, shto këtu edhe humbjen e madhe në fushën e njohjes dhe përvojës, defekte këto që aktualisht po ndreqen me ngadalë.
Një problem evident në disa vende islame është fakti se, gjykatës të pavarur marrin lehtësisht vendime për ndëshkime penale apo zbatim të tyre pa pasur njohuri të plota për prapavijën e Sheriatit dhe frymën që qëndron pas ligjeve dhe ndëshkimeve të ndryshme penale.
Fryma e Sheriatit
Sheriati si synim të tij ka vënien në zbatim të urdhëresave të Zotit në tokë. Pyetja që lind këtu është se, si mund ta njohim në mënyrë të sigurt këtë gjë? Dhe përgjigja është se, kjo njohje mund të arrihet nëpërmjet studimit të Kuranit, Sunetit, librave të prijësve imam të Islamit si dhe duke zgjedhur njerëz —si p.sh. gjykatës- me dhunti të larta, inteligjent, që karakterizohen nga largpamësia, mëshira dhe kanë personalitet të spikatur.
Parimi final i dëshirës së Zotit është përmbushja e mëshirës, dhembshurisë, bujarisë, drejtësisë, paanësisë, tolerancës dhe përkujdesjes në mënyrë të përgjithshme, përkundrejt tiranisë, ashpërsisë, egoizmit, shfrytëzimit…etj. Dispozitat e Sheriatit synojnë përmbushjen e këtyre objektivave.
Kritika e shpeshtë që i bëhet Sheriatit se ai është i ashpër, si p.sh. për dënimin me vdekje, rrahje dhe prerje të dorës, injoron tërësisht situatat lehtësuese që pengojnë aplikimin e këtyre ndëshkimeve. Për vetë faktin se, këto dënime njihen si penalitete kufi (el-hudud), ose “kufiri ekstrem i ndëshkimit”. Në ligjin e Sheriatit nëse një vjedhës argumenton se veprimin e tij e ka bërë për shkak të nevojës, është bashkësia muslimane ajo që konsiderohet si gabimtare dhe duhet të plotësojë nevojën materiale që ai ka.
Prerja e dorës për vjedhje
S’ka dyshim se qëllimi nëpërmjet këtij dënimi të ashpër është parandalimi dhe ndëshkimi i këtij fenomeni. Por, kjo nuk do të thotë se Lindja e Mesme është e mbushur me njerëz me një dorë, siç mund të dëgjohet nga çfarëdo udhëtari, sepse shumica e muslimanëve i zë paniku kur mendojnë se ata mund të ndjehen të turpëruar nga ky fakt; ata mund të bëjnë çdo gjë, por jo të cenojnë imazhin e fesë. Natyrisht që ata besojnë tek Allahu, se Ai sheh çdo gjë sado e vogël qoftë ajo.
Imoraliteti
Në perëndimin e sotshëm, për shkak të lirisë seksuale, imoraliteti[1] shihet si diçka normale. Ndërkohë në shoqëritë islame liria seksuale nuk ka këtë status, dhe zakonisht konsiderohet si thembra e Akilit, e cila mund të hapë një sërë problemesh, ndaj dhe Islami i jepet shumë rëndësi familjes.
Dënimi për një akt të tillë seksual është 100 goditje, sipas asaj që përcakton Kurani i Madhërishëm, por veç kësaj ka edhe dispozita të veçanta, të cilat rregullojnë mënyrën sesi zbatohet ky dënim.[2] Rexhm-i, ose goditja me gurë, zbatohet në rastin kur kemi shkelje të kurorës nga njëri prej bashkëshortëve, por si në këtë rast ashtu edhe në të parin duhet që ky akt të provohet nga katër dëshmitar okularë, të drejtë e të besueshëm.
Ka raste kur gjykatës të pavarur ose njerëz të thjeshtë e të paditur, në disa shoqëri islame, kanë ekzekutuar të dyshuarit për imoralitet. E vërteta është se, marrja e jetës me anë të këtij ndëshkimi, sipas normave islame, në praktikë është gati e pamundur.
Kjo sepse duhet që akti seksual trupor që kryhet mes dy vetave, të shikohet i qartë nga katër dëshmitarë okularë të drejtpërdrejtë; ky kusht e kufizon këtë penalitet, sepse të tilla akte seksuale zakonisht nuk kryhen në sytë e njerëzve të tjerë.
Dënimi me vdekje
Ligji i Sheriatit njeh si dënim edhe ndëshkimin kapital për vrasësit. Por, në të njëjtën kohë ai është më i butë sesa ligji perëndimor (në disa shtete) në një drejtim. Pas dhënies së vendimit nga ana e gjykatës, i lejohet familjarëve të viktimës të kthejnë mbrapsht urdhrin e ekzekutimit dhe të tregohen falës dhe mëshirues me vrasësin. Në Islam gjithmonë i jepet përparësi faljes dhe nxitet ajo inkurajohet, si niveli më i lartë i mëshirës edhe pse është e drejtë e njeriut të kërkoj ekzekutimin e vrasësit, për shkak të jetës që ai ka marrë. Në realitet, rastet e dënimeve me vdekje në shumicën e vendeve islame, janë më të pakta sesa p.sh. në SHBA.
A është Sheriati unik për të gjitha vendet?
Parimet e Sheriatit janë të njëjta, për të gjitha vendet që e zbatojnë atë, por pavarësisht kësaj, gjykatësit duhet të marrin në konsideratë zakonet, traditat dhe situatat e ndryshme shoqërore ku zbatohet Sheriati.
Të drejtat e individit përball nevojave të shoqërisë
Si normë bazë në Islam qëndron parimi se, nevojat e shoqërisë kanë përparësi ndaj individit, me kusht që të ekzistojë mundësia e përhershme që padrejtësitë e çdo individi të paraqiten para gjykatësve të drejtë e të pa korruptuar. Sistemi gjyqësor islam që herët e njeh praktikën e ankesës së çdo njeriu, sado i rëndomtë të jetë ai, ndaj dikujt tjetër sado e lartë të jetë pozita e tij në shtet. Islami reflekton një ndjeshmëri të fortë për drejtësinë dhe kujdesin ndaj njerëzve të dobët dhe atyre që u bëhet padrejtësi.
A punon Sheriati për lehtësimin e jetës së muslimanëve apo e vështirëson atë?
Padyshim që Sheriati vepron për lehtësimin e jetës së atyre që përpiqen të bëjnë një jetë të ndershme, që e kënaq Zotin dhe atyre që kanë marrëdhënie dashamirëse dhe paqësore me fqinjët. Por, në të njëjtën kohë Sheriati ia vështirëson jetën një njeriu egoist, kryeneç, të vrazhdë, shfrytëzues, mashtrues etj. Sheriati nuk tregon dhembshuri ndaj këtyre njerëzve, vetëm nëse janë të sëmurë mendorë, të cilët natyrisht do të trajtohen si njerëz me papërgjegjësi fetare dhe ligjore, ngjashëm me ata që nuk kanë mbushur moshën madhore të përgjegjësisë.
Përse Sheriati shihet si sinonim i ashpërsisë dhe i mungesës së mëshirës?
Dy janë shkaqet e kësaj përshtypje: njëra është mosnjohja e realitetit të ligjit të Sheriatit dhe e dyta ashpërsia e disa prej sundimtarëve muslimanë, që janë shfaqur në kohë të ndryshme. P.sh. mes nesh qarkullojnë që prej një shekulli tregime për sundimtarë tiranë dhe njerëz që çohen me forcë, të lidhur, për t’iu prerë duart.
Ndërkohë mediat kapen pas disa rasteve sporadike, duke shfrytëzuar çështje të caktuara dhe përqendrojnë rreth tyre gjithë vëmendjen e publikut, duke nxjerrë herë pas herë në mënyrë ciklike lajme, që jua shesin mjeteve të informacionit publik.
Ndoshta rasti i gruas nigeriane, që rrezikoi të ekzekutohej me gurë për shkak të imoralitetit e konfirmon këtë që përmendëm. Ka mundësi që ajo të jetë kërcënuar me vdekje nga banorët e zemëruar të fshatit, por pasi ajo u izolua dhe u gjykua sipas ligjeve të Sheriatit iu dha mundësia të shpjegohej dhe doli -nëse është e saktë- se ajo ishte përdhunuar, kështu që në një situatë të tillë sigurisht që ajo nuk ka mundur të dënohet me dënim kapital.
Sheriati nxit që femra edhe mashkulli të trajtohen me drejtësi. Natyra dhe shpirti i Sheriatit ka si objektiv të tijin ta trajtoj gruan me frymën e përkujdesjes dhe mbrojtjes dhe u kërkon me forcë burrave që grave dhe vajzave të familjes të mos u lihen përsipër punë të rënda dhe të mundimshme.
Sheriati dhe Veshja
Para çdo gjëje na duhet të themi se Sheriati nuk kërkon nga gruaja që ajo të vishet me perçe (mbulesa e fytyrës). Në realitet të gjitha veshjet e grave muslimane nëpër botë dallojnë mes tyre dhe janë nga më të larmishmet. Perçja është pjesë e kulturës së veshjes në disa vende të botës dhe konsiderohet si veshje normale. Në vende të tjera të botës veshjet ndryshojnë së tepërmi, por i përmbahen rregullit se, veshja e grave duhet të tregojë droje dhe modesti. Në realitet fjala hixhab do të thotë në kuptimin më të thjeshtë të saj e mbuluar,[3]
Ka gra muslimane të cilat ndjejnë se e kanë detyrë të mbulojnë çdo gjë,[4] që nga koka deri tek këmbët, deri edhe duart. Këto gra zgjedhin të mbulojnë edhe fytyrën, por shumica e grave muslimane nuk e mbulojnë fytyrën me perçe dhe nuk e bëjnë këtë gjë, sepse kjo është diçka që vetë gruaja e zgjedh. Nëse burrat përpiqen t’i imponojnë grave një lloj të caktuar veshjeje, kjo nuk lejohet. Gruaja nuk ka pse të privohet me dhunë që të vesh çfarë dëshiron, ajo mund të vesh çfarë të dojë me kusht që rrobat e saj të jenë mbuluese dhe të gjera.
Sheriati dhe ushqimi
Për sa i përket ushqimit ai ndahet në haram (i ndaluar) dhe hallall (i lejuar). Pijet alkoolike p.sh. janë të ndaluara përgjithmonë, por ndërkohë të gjitha frutat dhe perimet, drithërat si dhe ushqimi që vjen nga deti janë hallall. Për sa i përket mishit edhe ai është hallall, me kusht që therja e tij të bëhet në mënyrë sa më të butë duke përdorur mjete të mprehta si dhe të lihet që gjaku të dalë lirshëm dhe therja të shoqërohet me lutjen përkatëse që thuhet në këtë rast.[5]
Muslimanëve nuk u lejohet të konsumojnë asnjë ushqim që u është kushtuar idhujve, por lejohet konsumimi i ushqimit (mishrave) që vijnë nga ithtarët e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët). Muslimanëve gjithashtu nuk u lejohet të konsumojnë asnjë produkt të mishit të derrit si dhe mish të kafshëve të cilat nuk u ka rrjedhur gjaku nëpërmjet therjes. Shumica e muslimanëve nuk konsumojnë produkte që kanë në përmbajtjen e tyre yndyrë kafshësh —si p.sh. biskotat-, në rast se kjo yndyrë ose xhelatinë vjen nga derri apo nga ndonjë kafshë tjetër, e cila nuk është therur në mënyrë të lejuar. Nëse ka muslimanë që kanë konsumuar ushqim të ndaluar, pa e ditur këtë gjë (p.sh. kasapi falsifikon certifikatën e mishit, si të ishte hallall) ata nuk janë fajtorë për këtë veprim, por gjykohen sipas qëllimit të tyre.
Në rastet e nevojës së domosdoshme, muslimani mund të konsumojë çdo gjë që i jepet mundësia, për të shpëtuar jetën e tij.
Si përcaktohen ndëshkimet specifike dhe kush është ai që vendos sipas Sheriatit zbatimin e tyre?
Dënimet specifike jepen nga pushteti gjyqësor. Shumë prej gjykatësve kanë mësuar dhe janë trajnuar në botën islame, duke marrë trajnime si brenda dhe jashtë.
Pyetje-përgjigje lidhur me Sheriatin
Pyetja e parë: Çfarë forme ka qeveria që zbaton Sheriatin?
Sheriati është ligji i Islamit dhe do të thotë fjalë për fjalë: “rruga nëpër të cilën rrjedh uji”. Sheriati përmban pesë degë kryesore:
- Etikën (sjellja, morali, edukata)
- Adhurimin (adhurimet rituale: falja, agjërimi, dhënia e lëmoshës…etj)
- Doktrinën (besimet, dogmën)
- Kodin civil (aktmarrëveshjet, transaksionet)
- Kodin penal (dënimet)
Të gjitha këto degë së bashku formojnë bazamentin e një shoqërie që mbështet te drejtësia, larmia dhe barazia ndërmjet pjesëtarëve të kësaj shoqërie. Veç kësaj duhet ditur se, Sheriati nuk ua imponon veten jomuslimanëve. Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka sqaruar se Sheriati aplikohet në vendet islame.
As Kurani fisnik dhe as Tradita Profetike nuk përkufizojnë ndonjë një formë të caktuar të qeverisjes. Përveç faktit që kërkohet, që forma e zgjedhur nga njerëzit të bazohet në punën e saj te drejtësia ose tek “drejtësia absolute”. Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin fisnik: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën.” (Kurani 16:91)
Pyetja e dytë: a kërkojnë muslimanët që Sheriati të gjykojë edhe shtetet joislame?
Natyrisht që jo. Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) edhe pse ishte sundimtari real i Medinës, shkroi marrëveshjen e Medinës që sanksiononte se muslimanët do të gjykoheshin në bazë të Sheriatit ndërsa hebrenjtë sipas ligjit të Toras. Sheriati nuk aplikohet ndaj individëve jomusliman, sepse vetë Sheriati e ndalon detyrimin në fe. Në Kuran thuhet qartë: “S’ka detyrim në fe” (Kurani 2:256) Veç kësaj Sheriati i obligon muslimanët të jenë të sinqertë në marrëdhënie me shtetin ku ata jetojnë.
Pyetja e tretë: Nëse muslimanët nuk kërkojnë të aplikojnë Sheriatin në shtetet joislame, përse atëherë është vënë masë ndalese për të në disa shtete?
Së pari, duhet të dihet se Sheriati është një ligj që rregullon marrëdhëniet në mes muslimanit dhe Zotit të tij, ndaj shtetet demokratike nuk kanë pse të vendosin ligje që pengojnë ushtrimin e lirë të fesë.
Së dyti, nëse ndalohet aplikimi i Sheriatit atëherë muslimanët nuk do të kenë mundësi që në shtetet joislame të martohen, trashëgohen, lënë testamente, apo të divorcohen sipas udhëzimeve islame. Nëse vendosen ligje të tilla kufizuese edhe ndaj komuniteteve të tjera fetare, atëherë prifti nuk do të mund të kryejë dot ceremoni martesore, as rabini nuk mund të bëjë dot synet një fëmijë hebre mashkull, sepse të gjitha këto rregulla janë ligje fetare, të krishtera dhe judaike.
Në sistemin e sotëm gjyqësor, hebrenjtë amerikanë i rregullojnë çështjet e tyre civile nëpërmjet gjykatave judaike të njohura si “Beth Din” (shtëpia e gjykimit).[6] Muslimanët thjesht duan të shijojnë të drejtën e tyre që u japin marrëveshjet për të drejtat e njeriut.
Pyetja e katërt: Çfarë thotë Sheriati për fetë e tjera?
Ligji i Sheriatit e njeh lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes. Për shembull Kurani përmend se muslimanët kanë detyrim, ndër të tjera, edhe mbrojtjen në vendet e tyre të hebrenjve dhe të krishterëve dhe besimtarëve të feve të tjera, të kishave, sinagogave dhe faltoreve të tyre, nga sulmet. (shih Kurani 22:40). Përveç kësaj, Sheriati si kriter të vetin që të konsiderohesh musliman ka edhe kushtin se duhet të besosh në vërtetësinë e Profetëve të mëparshëm, mes tyre Isain (Jezusin), Musain (Moisiun), Ibrahimin (Abrahamin) dhe të mos dëmtosh ndjekësit e tyre. Kur Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) u bë sundimtar i Gadishullit Arabik nuk i ndaloi jomuslimanët, të krishterët dhe çifutët, që jetonin në gadishull të kryenin adhurimet e tyre në paqe dhe pa të shqetësuar.
Pyetja e gjashtë: Çfarë mund të thuhet për vendet që persekutojnë njerëzit dhe që pretendojnë se zbatojnë Sheriatin?
Këto vende nuk njohin doktrinën themelore të drejtësisë, të rrënjosur në ligjin e Sheriatit. Në vend të kësaj ata e përdorin Sheriatin si justifikim për të marrë pushtetin dhe lejuar ekstremizmin fetar. P.sh. shumica e “shteteve islame” në botë janë aleatë të SHBA, ndër të tjera edhe për faktin se ky shtet u siguron qytetarëve të tij lirinë e fesë, cilësi kjo e dukshme e ligjit të Sheriatit. Ato shtete që persekutojnë njerëzit në emër të Sheriatit, për të justifikuar pretendimet e tyre, u ngjajnë pronarëve të skllevërve të dikurshëm në Evropë dhe Amerikë, të cilët pretendonin se e drejta e tyre për të skllavëruar njerëzit ishte sanksionuar në Ungjill.
Për sa i përket ajeteve të “dhunës” që citohen nga Kurani, nga ana e ekstremistëve apo kritikëve jomuslimanë, një interpretim i saktë ligjor do të neveritej nga të tilla nxjerrje që i bëhet tekstit nga konteksti, dhe që nuk marrin parasysh kuptimin gjithëpërfshirës të ligjit. Është për të ardhur keq që të dyja palët, si ekstremistët ashtu dhe kritikët jomuslimanë, refuzojnë t’i përmbahen këtij parimi bazë. Si përfundim mund të themi se, ligji i Sheriatit udhëzon mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërmjet muslimanit dhe Zotit, ndërmjet tij dhe njerëzve, siç bën të njëjtën gjë edhe Dhiata e Vjetër dhe ajo e Re, tek udhëzon marrëdhëniet e hebrenjve dhe të krishterëve me Zotin.
Islami dhe sistemi gjyqësor
Qëllon që dikush t’i shohë me sy dënime të tilla, si prerja e dorës së vjedhësit apo ekzekutimi i një vrasësi. Në realitet pamje të tilla janë të frikshme, dhe kur ato bëhen në vende të hapura publike padyshim që lënë gjurmë të thella në zemrën dhe mendjen e shoqërisë, për vetë faktin se shoqëria do të shohë me sytë e saj sesa keq vuan krimineli. Kështu që është më se e pritshme që një njeri që në të ardhmen do të guxoj të tentoj të kryej një krim të tillë do të duhet ta mendojë atë dy herë. Madje edhe ata që nuk e kanë parë diçka të tillë nga brezat e ardhshëm, kur ta dëgjojnë diçka të tillë do tu duhet ta mendojnë disa herë para se të kryejnë atë krim.
Në realitet të tilla ndëshkime absolutisht që janë të rralla, sepse vetë natyra e ashpër e tyre lë si pasojë kufizimin e krimit. Përveç kësaj është e vështirë të pritet dora e vjedhësit, nëse paraqiten fakte të pamjaftueshme për krimin. Për rrjedhojë sistemi gjyqësor islam garanton që të mos ndodhin ndëshkime të gabuara.
Ndëshkimet e ashpra nuk janë metoda e vetme e ndalimit të krimit, sepse Islami i trajton problemet nga të gjitha aspektet. Sistemi ekonomik u siguron nevojat individëve dhe u pret kështu rrugën vjedhjeve; sistemi edukativ i kujton shoqërisë se do të japin llogari para Krijuesit, çka bën të ulet motivimi për të vjedhur dhe kështu me radhë… Nisur nga kjo themi se, të gjitha strukturat e shoqërisë punojnë në harmoni dhe plotësojnë njëra-tjetrën.
Imagjino një shoqëri që shijon ndjenjën e sigurisë. Nuk ka nevojë të kufizosh veten nga dalja natën në rrugë nga frika se mos të sulmon kush. Nuk ka nevojë të shtosh sigurinë e objekteve, nga frika se dikush mund të të hyjë në shtëpi. Këto nuk janë një panoramë imagjinare, ky është realiteti dhe gjendja në shumë vende islame prej shekujsh të tërë.
Mund të shtojmë gjithashtu faktin se, Islami me sistemin e tij gjyqësor nxit virtytet e larta në shoqëri, siç është fisnikëria. Në Islam nëse dikush akuzon dikë tjetër për imoralitet dhe nuk ka prova për ta provuar këtë gjë, kjo konsiderohet krim dhe ndëshkohet si i tillë, ndërkohë që në kohën e sotme të tilla akuza bëhen objekt dhe burim fitimi për gazetat e ndryshme.
Sheriati dhe politika e jashtme
Islami ka këndvështrimin e tij unik rreth politikës së jashtme. Kalifi ose Prijësi (udhëheqësi i shtetit islam) në marrëdhënie me shtetet e tjera nuk shikon vetëm sigurimin e “interesit kombëtar”, por përkundrazi interesi kryesor është çlirimi i njerëzve dhe bashkëpunimi me ta, për të përmbushur “interesat e përbashkëta”, nëpërmjet respektimit të marrëveshjeve dhe pakteve ndërkombëtare.
Konkluzioni
Shteti islam e ka detyrim të mbështesë të drejtën dhe t’i kundërvihet të padrejtës. Shteti është përgjegjës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të tij, muslimanë qofshin ose jo. Ai duhet tu sigurojë atyre nevojat bazë të jetës. Shteti i siguron qytetarit lirinë që ai të përparojë dhe të përmirësojë mundësitë e tij. Shteti islam e ka detyrë të garantojë një shpërndarje të drejtë të përfitimeve që i vijnë atij nga burimet e ndryshme.
Sot nuk ka ndonjë shtet islam ideal, por ka disa modele. Po bëhen përpjekje sistematike që në mjaft shtete muslimane të ndërtohen sisteme islame adekuate. Në to punohet për të vendosur ligjin e Zotit. Lusim Zotin t’i mbështesë shtetet islame për të përmbushur misionin e drejtësisë dhe të paqes, për mbarë botën.
Shënim:
Ky materiali është pjesë e projektit: Knowlege Exhange Program (www.kep.org.sa), iniciuar nga Ministria Çështjeve Islame në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Materiali u përkthye dhe u publikua nga Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë. Tiranë, 2014.
(c) Copyright www.lidhjahoxhallareve.com
Përpjekja për nxjerrjen e një dispozite të sheriatit; opinion, gjykim i dijetarit, i mbështetur në burimet Sheriatit, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. (shën. përkth) plotësohet nëpërmjet adhurimit e përuljes ndaj Zotit dhe marrjes së shpërblimit përfundimtar në botën tjetër.
[1] Sipas fesë islame çdo kontakt seksual paramartesor cilësohet si i tillë. (shën. përkth)
[2] Duke qenë se qëllimi nëpërmjet këtij ndëshkimi -që bëhet publikisht- nuk është dëmtimi i fizik i njeriut, por dënimi dhe njëkohësisht edukim i fajtorit dhe masës së njerëzve, janë vendosur rregulla strikte deri edhe te mënyra sesi dhe sa hapet krahu dhe si duhet të jetë shkopi, në mënyrë që ky akt të mos kthehet në torturë fizike dhe të dalë jashtë objektivit për të cilin është vënë. (shën.përkth)
[3] Sipas shumicës së dijetarëve islam dhe shkollave juridike që ata përfaqësojnë, gruaja muslimane është e obliguar të mbulojë të gjithë trupin e saj, me përjashtim të fytyrës dhe pëllëmbëve të duarve. (shën.përkth)
[4] Në fakt kjo ndjenjë buron edhe nga fakti që një pjesë e dijetarëve islam, në dallim me shumicën, janë të mendimit se një mbulim i tillë është obligim. Por ndërkohë të gjithë dijetarët islam janë unanim në mendimin se kur një femër muslimane mbërrin moshën e pubertetit ajo duhet të mbulojë të gjithë trupin e saj, me përjashtim të fytyrës, shuplakave dhe sipas disave edhe shputat e këmbëve, pjesë këto për të cilat nuk ka konsensus në mes tyre. (shën.përkth)
[5] Detyrim është të thuhet “Bismilah” (me Emrin e Allahut), dhe “Allahu Ekber” e pëlqyeshme. (shën. përkth)
[6] Një institucion i tillë gjendet edhe në Mbretërinë e Bashkuar, në Afrikën e Jugut dhe në disa vende të tjera. (shën. përkth)