Hoxhë: Dua të ndahem nga burri, cilat janë të drejtat e gruas pas shkurorëzimit?

0

Pyetja:

Dua të ndahem nga burri, më intereson të di çfarë vjen pas procedurës së shkurorëzimit përkatësisht të drejtat e femrës sipas Islamit, çka i takon asaj pas ndarjes nga burri dhe sa praktikohen ato te ne, në trojet shqiptare. Allahu ju shpërbleftë për punën që bëni.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Në të drejtën islame, shkurorëzimi është zgjidhja e fundit që ndërmerr çifti, kur nuk ekzistojnë më mundësi për vazhdimin e jetës familjare. Në Kuran sqarohet se divorci është hapi që mund të ndërmerret pasi të jenë provuar të gjitha metodat e mundshme për të arritur te marrëveshja dhe pajtimi i çiftit. Këta hapa janë:

  • këshillimi i gruas;
  • të larguarit prej dhomës së saj, për një kohë;
  • qortimi i gruas në mënyrë edukuese;
  • nëse mosmarrëveshja është më e madhe ndërmjet tyre, duhet formuar një këshill të përbashkët pajtimi prej anës së burrit e të gruas, për t’i pajtuar ata.

 

Nëse të gjitha këto nuk kanë sukses, atëherë arsyetohet shkurorëzimi. Allahu i Lartësuar i përmend të gjitha këto veprime në Kuran, si metoda për ta zgjidhur problemin mes burrit dhe gruas dhe nëse këto nuk janë të suksesshme, atëherë e lejon divorcin duke thënë:

“Por nëse ata (çifti) ndahen prej njëri tjetrit, Allahu begaton me mirësinë e Tij secilin prej tyre. Allahu është bujar i madh, i plotdijshëm.” (Nisa: 130)
Ndërsa dispozitat të cilat kanë të bëjnë me periudhën pas divorcit ndërlidhen me atë se si shtjellohet ai në Islam. Me fjalë të tjera, fillimisht duhet ta dimë se në Islam shkurorëzimi mund të ndahet në dy lloje:

a) shkurorëzimi me të drejtë kthimi (talak rexh’ij)

b) shkurorëzim përfundimtar (talak bain)

a) Shkurorëzimi me të drejtë kthimi (talaku rexh’ij)
Shkurorëzimi me të drejtë kthimi (talak rexh’ij) është shkurorëzimi i cili nuk mënjanon dispozitat e bashkëshortësisë e as që e pezullon të drejtën bashkëshortore. Bashkëshortësia akoma vazhdon të mbetet përderisa gruaja (e shkurorëzuar) është në ditët e iddetit (ditët e pritjes). Ideti është koha që gruaja duhet të presë që të kalojë në shtëpinë e burrit dhe kjo fillon prej momentit kur burri e divorcin gruan e tij dhe zgjat derisa gruaja kalon tri periudha menstruacionesh. Gjithashtu, burri ka të drejtë ta rikthejë gruan e tij brenda kësaj periudhe.

Gjatë kësaj periudhe (idetit) të drejtat e gruas janë të njëjta sikurse kur të jetë në bashkëshortësi dhe burri obligohet t’i sigurojë asaj vendbanimin, ushqimin, veshmbathje, shërimin dhe të gjitha nevojat e tjera jetësore, madje edhe nëse vdes burri gjatë kësaj periudhe asaj i takon pjesa e saj e trashëgimisë.

Nëse kalon kjo periudhë ideti dhe burri nuk e rikthen gruan, atëherë ajo në këtë rast ndahet dhe kështu përfundon raporti i këtij çifti dhe pas kësaj secili prej tyre është i lirë.

Por, nëse për ndonjë arsye apo tjetër ata dëshirojnë të ribashkohen prapë, edhe pasi të ketë përfunduar ideti, atëherë është e nevojshme të realizohet një kontratë e re martese dhe me pëlqimin paraprak të gruas.

b) Shkurorëzimi përfundimtar (talaku bain)

Nëse burri e rikthen gruan e tij dy herë dhe sërish e lëshon, për herë të tretë, atëherë ky shkurorëzim konsiderohet përfundimtar (bain bejnune kubra).

Ky lloj shkurorëzimi nuk lejon më rikthim, madje as me kontratë të re. Në këtë rast rikthimi mund të ndodhë vetëm pasi gruaja e lëshuar për të tretën herë martohet dhe vë kurorë të rregullt me ndonjë tjetër, me të cilin ka marrëdhënie të plota seksuale dhe nëse edhe prej këtij burri lëshohet, pra vetëm atëherë pas kalimit të periudhës së idetit, burri i mëparshëm mund ta rikthejë gruan, nëse vetë ajo shpreh dëshirë për t’u rikthyer. Këtë e mbështesin në citatin kuranor, ku Allahu xh.sh. në lidhje me këtë thotë: “E në qoftë se ai (burri) e lëshon atë (për herë të tretë), pas atij (lëshimi) nuk lejohet më derisa të martohet ajo për një burrë tjetër. E nëse ai (burri i dytë) e lëshon atë, atëherë për ata dy, po qe se mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkëshortësi). Këto janë dispozita të Allahut që ia sqaron një populli që kupton.” (Bekare: 230)
Pas divorcit përfundimtar gruaja ka këto të drejta:

– Burri është i obliguar që gruas t`ia dorëzojë tërë mehrin, nëse këtë nuk e ka bërë më herët. Mehri është dhurata martesore me të cilin obligohet burri t`ia japë gruasë së tij martesës.

– Përveç kësaj të drejte të patjetër­sueshme të gruas, është mjaft e këshillueshme që ajo të trajtohet nga dorëheqësi (burri) në mënyrë sa më bujare dhe sa më të sjellshme. E tërë çështja e vendosjes pas divorcit, në Kuran është përshkruar me terma të zemërgjerësisë, devotshmërisë, mirësjell­jes, mëshirës dhe të vullnetit të mirë. Parimet e këtilla, kur të përmbushen, qartë i tejkalojnë formalitetet ligjore dhe shkurorëzimit i japin një ngjyrë morale. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to ose para se të caktoni shumën e dhuratës martesore (mehrin që do t’u jepni). Por u jepni dhuratë të pëlqyeshme: I pasuri sipas gjendjes së tij dhe i vobekti sipas gjendjes së vet. Kjo është detyrë e atyre që dëshirojnë të bëjnë vepra të mira.” (Bekare: 236)

– Nëse gruaja ka shpenzuar diçka nga pasuria e saj personale për nevojat e shtëpisë ose ka gjëra të cilat i ka blerë ajo me pasurinë e saj, atëherë burri obligohet t’i kthejë ato dhe nuk është e drejtë që ato t’i mbajë burri për vete, përveç nëse kjo ndodh me pëlqimin e saj ose me marrëveshje.

– Nuk është e drejtë as e burrit dhe as e gruas që t’i publikojë haptas fshehtësitë e jetës bashkëshortore për qëllime të nënçmimit ose ofendimit.

– Në rast se ndodh shkurorëzimi ndërmjet burrit dhe gruas dhe ata të dy posedojnë fëmijë i cili është i vogël, atëherë përkujdesja i takon gruas, me kusht që ajo të mos martohet me dikë tjetër. Nëse martohet, atëherë ajo e humb të drejtën.

Argument për këtë është hadithi i Profetit salallahu alejhi ue selem. Transmeton Abdullah Ibën Amri se një grua erdhi te Resulullahu salallahu alejhi ue selem dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, vërtet ky djali im, barkun tim e ka pasur vendqëndrim (gjatë shtatzënisë), gjirin ushqim, prehrin vendstrehim, kurse babai i tij më shkurorëzoi dhe dëshiron që të më ndajë nga ai.” Profeti salallahu alejhi ue selem thotë: ‘Ti e posedon të drejtën (e përkujdesjes) ndaj tij, nëse nuk martohesh.’” (Shënon Ahmedi, Ebu Davudi dhe e vërteton Hakimi se është i saktë.)

– Burri (babai) është i obliguar që të sigurojë veshmbathjen dhe ushqimin për fëmijën i cili jeton me nënën e tij, por jo që këto t`ia sigurojë edhe ish-bashkëshortes së tij.

– Gruaja është e lirë pas divorcit dhe pas përfundimit të idetit të martohet me ndonjë burrë tjetër dhe burri i saj i parë nuk ka të drejtë ta ndalojë nga kjo.

Këto ishin rregullat dhe të drejtat e gruas pas divorcit në formë të përgjithshme, Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com