Numri i të rinjve që po përdorin substanca narkotike është duke u rritur dita e ditës, dhe ky është një problem i madh, madje kohët e fundit kanë dalur droga të reja të cilat njihen si droga të kombinuara.
Kurse, institucionet kanë filluar të ndërmarrin disa hapa edhe pse shumë të vegjël, megjithatë, duhet të krijohen programe parandaluese gjithëpërfshirëse dhe institucione të caktuara që merret me trajtimin e personave që përdorin drogë.
Kurse, droga e njohur si heroinë e cila ka paraqitur problem të madh në dhjetë vjeçarin e parë të këtij shekulli, ka stagnuar dhe nuk është në rritje.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për KosovaPress, Safet Blakaj, drejtor i ambulancës specialistike-psikiatrike ‘Labyrinth’, në Prishtinë.
Blakaj tha se për fat të keq, kohët e fundit kanë dalur drogat shumë më të reja, drogat e kombinuara që ndryshe quhen drogat e dizajnuara, madje siç pohoi ai këto droga kanë filluar të paraqiten edhe në Kosovë.
Ai tha për KosovaPress se këto droga të reja paraqesin problem të jashtëzakonshëm për ata që i përdorin.
“Po numri është në rritje, të përdorimit të drogave përveç marihuanës, pra, ka filluar që të paraqiten edhe droga të tjera çfarë është droga bi ejgj bi ose BHG, një lloj droge që tash qe dy vjet e gjysmë është prezent në tregun tonë dhe kjo është një problem posaçërisht te moshat shumë më të reja. Kjo është një lloj droge sintetike e cila është e lehtë për t’u përdorur por edhe që në përqindje me drogat tjera paraqet problem të jashtëzakonshëm”, ka thënë Blakaj.
Këto droga të reja sipas Blakajt, i përdorin të rinjtë e moshës 12, 13, 16 e 18 vjeç por ndodh që edhe moshat më të vjetra të bien preh e përdorimit të këtyre drogave.
Ndërsa, duke folur pikërisht për moshat të cilat po përdorin drogë, Blakaj tha se ende nuk kanë ndonjë të dhënë statistikore për këtë vit, por se sipas raporteve dinamike që i mbledhin tregohet se përdorimi i drogave të reja tek të rinjtë është duke u rritur shumë.
Ai po ashtu nuk la pa përmendur edhe ata persona të cilët përdorin drogë por se nuk e dinë as vet se çfarë droge janë duke përdorur.
I pyetur se a po bëjnë institucionet tona aq sa duhet në parandalimin e përdorimit të drogave tek të rinjtë, Blakaj u përgjigj për KosovaPress, se këto të fundit kanë filluar të ndërmarrin diçka, por se kapacitetet duhet të shtohen edhe më shumë.
Blakaj tha se kanë bashkëpunim me Policinë e Kosovës, por vetëm në shkëmbimin e informacioneve, por jo direkt dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, sidomos kur kjo gjë ka të bëjë me klientë, pasi që sipas tij këta persona që veç janë nën ndikimin e drogës duhet të respektohen.
Ai u shpreh për KosovaPress se dëmet të cilat i shkakton droga janë mjaft të mëdha dhe të shumëfishta, e sidomos tek të rinjtë ku mund të ndodh shpërthimi i simptomave psiko-patologjike, i cili edhe mund të shkaktojë probleme në ngecje dhe në tretje, madje siç pohoi ai nuk ekziston ndonjë fazë ku personat të cilat tashmë veç janë të varur nga droga mund të shpëtohen.
“Eksperiencat tona tregojnë që disa edhe në faza të vonshme gjejnë forcë ose mënyrë për trajtim ose t’i braktisin drogat. Natyrisht që patjetër intervenimi i hershëm është shumë me rëndësi identifikimi i hershëm dhe intervenimi. Është një program i cili nënkupton se nëse identifikojnë dikund prindërit, shkolla ose rrethi tjetër i njerëzve, atëherë intervenimi i hershëm tek ai person sigurisht që është më i lehtë edhe më i fuqishëm”, është shprehur Blakaj.
Kurse, i pyetur se si mund të bëhet parandalimi i përdorimi të drogës, Blakaj u shpreh se vetëm me programe parandaluese mund të bëhet kjo gjë, por se sipas tij këto programe parandaluese në vendin tonë kanë qenë dhe ende janë të zbehta, pasi që siç nuk mjafton vetëm të thuhet se droga vret.
Sipas tij, është e nevojshme dhe e domosdoshme që në shkolla të ketë programe për parandalimin e përdorimit të drogave.
Ndryshe, Blakaj rekomandon që programet parandaluese për parandalimin e përdorimit të drogës dhe vetëdijesimin e të rinjve nga kjo substancë të bëhen sa më shpejtë. /KP/