Sipas Radio Vatikanit, Imzot Tomazi në OKB tha se: 848 meshtarë të përjashtuar nga radhët e klerit në 10 vjetët e fundit.
Një dialog konstruktiv, që sqaroi shumë aspekte: kështu e quajti Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrat e OKB-së së Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi, debatin e pasdites së djeshme para Komitetit për Konventën kundër torturës (CAT). Imzot Tomazi iu përgjigj pyetjeve, që i bënë anëtarët të hënën, pas paraqitjes së raportit mbi impenjimin e Vatikanit në këtë fushë. E ftuam vetë imzot Tomazin në mikrofonin tonë, për të na sqaruar më gjerësisht për fjalën e mbajtur në Gjenevë:
“Do të thosha se pika më e rëndësishme për të cilën duhej të bindnim ekspertët ishte se Kisha – nga njëra anë Selia e Shenjtë, në fushën e vet, dhe [nga ana tjetër], Konferencat Ipeshkvnore e Kisha në përgjithësi – që prej 10 vjetësh, është në vijën e parë të frontit kundër çdo shpërdorimi seksual të fëmijëve, për parandalimin e këtij krimi, për të ndihmuar viktimat dhe për të dënuar fajtorët. S’duam të konsolidohet mendimi se Kisha nuk ka bërë sa duhet, ose se Kisha është përpjekur të shmangë dhe po shmang akoma përballimin e problemit. Për këtë, paraqitëm të dhëna të sakta, që dëshmojnë se Kongregata për Doktrinën e Fesë, që nga viti 2004 deri në fund të vitit 2013, ka përjashtuar nga radhët e klerit 848 meshtarë. Pra, vullneti për t’i dhënë fund këtij krimi e për të bërë ç’është e mundur që të parandalohet, është serioz.