18 Tenderët që Rëndojnë mbi Qemajl Mustafën me Shokë

0

KALLXO.com sjell detaje të aktakuzës së ngritur sot ndaj ish kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 personave tjerë. Dyshime për keqpërdorime që nga tenderët për asfaltime rrugësh e deri te Qendra Memoriale te “Kodra e Dëshmorëve”…

Dyshimet për keqpërdorime në të paktën 18 tenderë të komunës së Gjilanit do t’i sjellin para gjyqit 38 persona në mesin e të cilëve ish-kryetarin e komunës Qemajl Mustafa, drejtoreshën e prokurimit Hatixhe Daku, disa pronarë kompanish dhe zyrtarë të tjerë të Komunës së Gjilanit.

KALLXO.com ka siguruar një kopje të aktakuzës ndaj Qemajl Mustafës dhe personave të tjerë, e cila është ngritur sot nga Prokuroria Speciale.

E hartuar nga prokurori Agron Bajrami, aktakuza është nga aktakuzat më voluminoze të ngritura nga prokurorët vendorë dhe e njëjta përshkruan mënyrën se si ish-kryetari i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa ndërhyri dhe ishte pjesë e kurdisjes në disa tenderë të kësaj komune. E tenderët e kurdisur janë kryesisht ata për ndërtimin e rrugëve, trotuareve, ndërtime të objekteve, por edhe për furnizime me artikuj ushqimorë për çerdhe e furnizime me materiale higjienike.

Aktakuza e përmend ish-kryetarin Mustafa si përgjegjës në keqpërdorime dhe kurdisjen e të paktën 15 tenderëve të kësaj komune. Aty ka favorizime të kompanive, eliminime të kompanive që për pasojë kanë pasur nënshkrime të kontratave të pa-favorshme.

Tenderi i parë për të cilin Mustafa pretendohet se ka gisht në kurdisje është ai për asfaltimin e rrugës në Kosaqë – Kosaqë e Epërme. Në këtë, sipas aktakuzës, Mustafa së bashku me zyrtarë të tjerë të komunës kishte gisht në rritjen e vlerës së tenderit për kompaninë fituese nga 241 mijë në 315 mijë euro. Pra, ka pasur një rritje të vlerës së ofertës, përkatësisht kontratës së nënshkruar për 30 për qind.

Akuza e dytë mbi Mustafën rëndon për tenderin për asfaltimin e rrugës në fshatin Malishevë, tender me vlerë prej 229 mijë euro. Në këtë tender prokuroria pretendon se ka fakte të cilat dëshmojnë se oferta financiare e kompanisë Tali me pronarë Florim Zukën ishte ndryshuar pas dorëzimit të ofertës.

Sipas aktakuzës, oferta ishte ndryshuar në momentin kur ishte kuptuar se një kompani tjetër kishte ofertuar me një çmim më të lirë. Pas ndryshimit të ofertës fillestare, kompania Tali kishte qenë më e lira dhe e njëjta ishte shpallur fituese e tenderit.

Në tenderin e tretë që prokuroria pretendon se ishte kurdisur, kontrata i ishte dhënë kompanisë që nuk e kishte ofertuar çmimin më të lirë.

Prokuroria pretendon se kontrata prej 105 mijë eurosh për zgjerimin dhe mbushjen e rrugëve me zhavorr i ishte dhënë kompanisë “Bejta Commerce” në mënyrë të kundërligjshme.

Edhe në tenderin e katërt ishte i përfshirë kompania “Bejta Commerce” dhe ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa. Prokuroria pretendon se komunarët nuk u kujdesën që gjatë zbatimit të projektit për sanimin e rrugëve dhe trotuareve kompania ta zbatojë uljen prej 1% ashtu siç ishte zotuar me rastin e ofertimit.

qemajl mustafa edit

Në dosjen me shumë faqe, Prokuroria pretendon se ka prova se Qemajl Mustafa ishte konsultuar paraprakisht me kompanitë që fitonin tender në komunë e tij.

Pjesë e aktakuzës është tenderi për mirëmbajtjen e sinjalistikës rrugore i cili sipas prokurorisë i është dhënë kompanisë “VIVA Print”, e cila paraprakisht ishte konsultuar me kryetarin. Konsultimi paraprak, sipas Prokurorisë, i ka ndihmuar kompanisë të ofertojë me çmim më të lirë. Në këtë tender prokurori pretendon se ka prova se kompanisë i ishte pranuar dokumentacion gjashtë ditë pas mbylljes së tenderit veprim ky i ndaluar me ligj. Shkelje janë evidentuar edhe gjatë zbatimit të kontratës.

Kurdisje e tenderit pretendohet të jetë bërë edhe në tenderin për furnizim me artikuj ushqimorë për çerdhet e fëmijëve konviktet e nxënësve dhe komunën e Gjilanit. Sipas prokurorisë, tenderi ishte anuluar katër herë. Anulimi i katërt ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme, sipas Prokurorisë, sepse njëra nga kompanitë kishte qenë e përgjegjshme. Shkelje ligjore janë gjetur edhe në tenderimin për herë të pestë të këtij tenderi. Gjatë nënshkrimit të kontratës, sipas aktakuzës, Komuna e kishte shpërblyer kompaninë Ballkania e cila kishte ofruar çmimin 86 mijë euro, i cili nuk ishte çmimi më i lirë.

Keqpërdorimet të tjera prokuroria pretendon se janë kryer gjatë qeverisjes së Mustafës janë edhe ato në tenderin e furnizimit me materiale higjienike. Kompanisë “Eurotec” sipas aktakuzës i ishte lejuar ta rrisë vlerën e kontratës me arsyetimin se në vlerën e parë nuk është llogaritur TVSh.

Përpos ndikimit dhe kurdisjes së tenderëve pushtetarët e Gjilanit akuzohen se punësuan familjarë të tyre në kompanitë të cilat fituan tender nga komuna.

Shefja e prokurimit Natixhe Daku kishte punësuar vajzën, dhëndrin dhe një person tjetër me ndihmën e kompanisë “EuroTrans” e cila kishte fituar tenderin për rregullimin e trotuareve.

Shkelje ligjore prokuroria ka gjetur edhe në tenderin tjetër për asfaltimin e rrugëve në fshatin Miresh. Gjatë tenderimit, prokuroria pretendon se një kompani ishte shpallur e papërgjegjshme në kundërshtim me ligjin.

Në tenderin tjetër, i cili pretendohet se ka keqpërdorimi është ai për asfaltimin e rrugës lagjen Zabeli i Sahit Agës. Në këtë tender ku është përfshirë ish kryetari i komunës, shefja e prokurimit dhe katër biznesmenë prokuroria pretendon ta argumentojë kurdisjen e tenderit me disa SMS të cilët janë shkëmbyer.

Pjesë e aktakuzës është edhe tenderi për asfaltimin e rrugës në fshatin Velekincë dhe në lagjen Arbëria në Gjilan. Në këtë tender, prokuroria pretendon se është rekomanduar për kontratë kompania e papërgjegjëshme sipas ligjit të prokurimit.

Komunarët e tenderëve të Gjilanit, siç shkruhet në aktakuzën e prokurorisë, kishin ndërtuar metoda të ndryshme për të eliminuar kompanitë e padëshirueshme.

Siç shkruhet në aktakuzë, në tenderin për asfaltimin e rrugëve në Malishevë, Lagja e Muhaxherëve, Komuna e Gjilanit e ka shpallur fitues kompaninë Tali. Shpallja e fituesit ishte bërë vetëm atëherë kur komisioni kishte larguar nga dosja e tenderit garancion bankar të një kompanie tjetër e cila ishte për 66 mijë euro më e lirë.

Shkelje ligjore janë gjetur edhe në tenderin për ndërtimin e Qendrës Memoriale në “Kodrën e Dëshmorëve” e po ashtu për ndërtimin e urave në fshatin Kmetovc dhe Shurdhan.

Pjesë e aktakuzës së prokurorisë janë edhe veprimet e kryetarit të komunës Qemajl Mustafa në futjen e komunës në obligime të huasë ndaj disa kompanive. 35 mijë euro ishin marrë nga kompanitë në emër të huasë nga Komuna dhe të njëjtat ishin shpërndarë nëpër departamente të komunës, personat fizikë e juridikë, si dhe te klubet sportive. Kreditimi dhe përmbushja e obligimeve në këtë formë është kundërshtim me ligjin.

Keqpërdorime të tjera sipas aktakuzës janë evidentuar edhe në mënyrën se si komuna është futur në partneritet publiko privat me kompani të cilat ndërtuan objekte me partneritet publiko-privat.

KALLXO.com gjatë ditës ka tentuar të marrë komentin e Qemal Mustafës për pretendimet e prokurorisë mirëpo ai nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike. Detaje të tjera për përfshirjen e kompanive dhe mënyrës se si u organizua kurdisja e tenderëve në këtë komunë do publikohen në ditët në vijim.

Vetë Qemajl Mustafa, muaj më parë, ka qenë mysafir në emisionin “Jeta në Kosovë” për të folur për aktakuzat e shumta që janë duke u ngritur së fundmi ndaj zyrtarëve të lartë komunalë në Kosovë.


Source: Informacione 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com