Nga: FATMIR BAÇI

VLERA E TË PAPËRKTHYESHMES

Ka fjalë që mbartin çaste të ngjizura me dritë, aq të ngarkuara me përjetim sa çdo përpjekje për t’i përkthyer duket si një kthim pas në një udhëtim që tashmë ka ndodhur. Ato nuk kërkojnë të thuhen, sepse vetë lindja e tyre është një ngjarje e plotë, një shpërthim i brendshëm që nuk pranon të rikrijohet. Përkthimi vjen si pasqyrë e vonuar, si kujtim që përpiqet të kapë një ndjesi që tashmë ka fluturuar, gjithmonë një hap larg origjinalit.

E papërkthyeshmja mbetet në të tashmen e kthjellët, në atë hapësirë ku përjetimi nuk kërkon zbërthim. Ajo është vetë ndjesia, e lindur pa nevojën për ndërmjetësim, e gjallë në formën e saj të paprekur, e pranishme si një frymë që nuk kërkon të emërtohet për të qenë e ndjerë.

Kur fjala ndalet para një thellësie që nuk mund ta përfshijë, njeriu përkulet me një qetësi që nuk kërkon përgjigje.

Heshtja që mbetet nuk zbret në zbrazëti, por ngrihet si një formë respekti, si një ndalim që nuk kërkon të zgjidhet, por të nderohet. Ajo që nuk merr trajtë gjuhësore shpesh mbart peshën më të madhe, dhe ai që qëndron pranë saj pa e kthyer në shpjegim, pa e thurur në formulime, afrohet më shumë me kuptimin sesa ai që beson se e ka kapur atë përmes fjalës.

Në rrjedhën e jetës, në letërsinë që frymon, në muzikën që dridhet, në dashurinë që ndriçon, në lutjen që ngrihet, vlera nuk qëndron në saktësinë e kuptimit, por në gjurmën që mbetet pa u zbërthyer. Një ndjesi që nuk kërkon emër, por që mbetet gjatë; një tingull që nuk përsëritet, por që rri në kujtesë më fort se çdo melodi e mësuar.

Përkthimi përpiqet të krijojë barazi mes fjalëve, të vendosë ekuivalenca, të ndërtojë ura mes kuptimesh. Por e papërkthyeshmja qëndron përtej kësaj logjike; ajo nuk hyn në krahasime, nuk pranon të matet, nuk hyn në shkëmbim. Ajo që ka vlerë të thellë nuk kërkon të peshohet përballë diçkaje tjetër, ajo qëndron më vete, si një prani e vetme, e heshtur dhe e pandryshueshme në formën e saj të papërsëritshme.

E papërkthyeshmja lind aty ku fjala humbet orientimin, aty ku thellësia nuk lejon të përfshihet në formulime.

Është vendi ku ndjesia qëndron e qartë pa nevojën për dëshmi, ku intuita udhëheq më qartë se çdo analizë, ku një prekje e lehtë, një shikim i ndarë, një frymëmarrje e përbashkët flasin me një gjuhë që nuk kërkon përkthim, sepse ajo tashmë është kuptuar.

Në fundin e të gjitha përpjekjeve për të thënë, për të shpjeguar, për të zbërthyer e për të sistemuar, mbetet një hapësirë që nuk kërkon të përfshihet në kuptime të përbashkëta. Aty ku fjala nuk mjafton, aty ku mendimi nuk arrin të përkufizojë, lind e papërkthyeshmja si një shpëtim nga varfëria e të thënës. Ajo rikthen njeriun në pasurinë e përjetimit, në atë që nuk kërkon të sqarohet për të qenë i vërtetë.

Kur dikush kërkon të dijë për një ndjesë që nuk merr trajtë gjuhësore, nuk është fjala ajo që duhet të gjendet.

Fjala mund të ndërtojë ura, por ka çaste kur uji që rrjedh poshtë saj mbart më shumë dritë dhe mençuri. Dhe në atë rrjedhë, ndjesia flet pa zë, pa strukturë, pa nevojën për të kaluar nëpër fjalor.

Kur diçka ndizet brenda njeriut dhe fjalët nuk gjejnë rrugë për ta ndjekur, ajo flakë që mbetet pa emër, mund të jetë vetë forca që e mban atë në lëvizje. Nuk kërkon shpjegim, as rrugëdalje, ama është prania e saj që i jep formë atij, si një zjarr i brendshëm që ndriçon pa u parë.

Kur ndjesitë mblidhen si re mbi zemrën që pret dhe duken të pakuptueshme për të tjerët, ato nuk kërkojnë të zbresin në thjeshtësi. Pikërisht ashtu duhet, të qëndrojnë lart si një qiell i mbushur me dritë të fshehur, i bukur në vetvete, pa nevojën për përkthim. Sepse ajo që qëndron përtej fjalës shpesh mbart peshën më të thellë të qenies, jo përmes saktësisë, por përmes pranisë së saj të heshtur.

Heshtja arrin kulmin në atë çast kur gjuha ndalet përballë një ndjenje që nuk njeh kufij gjuhësor, absurd i khtjellët, i qartë. Është një përjetim që nuk kërkon të shndërrohet në fjalë, një mendim që qëndron i paprekur nga zbërthimi, si një prani që ruan distancën e vet, pa lejuar afrim të shpejtë. Aty, ku fjalori nuk mjafton, ku përkufizimi nuk gjen vend, ndjesia mbetet e paprekur dhe e plotë.

Në atë hapësirë ku çdo përpjekje për përkthim humbet forcën, lind vlera e thellë e së papërkthyeshmes. Ajo ngrihet si një tempull pa mure, si një tekst që nuk ka nevojë për germa, si një gjuhë që nuk flet me tinguj, por me praninë që mbart. Dhe në atë prani, kuptimi nuk kërkon të thuhet, sepse ai ndodh.

Ajo që nuk merr formë përkthimi nuk qëndron si pengesë, por si kujtesë se kuptimi nuk është pronë e fjalës. Ai ndriçon në çastin kur ndodh, në lidhjen që lind përtej gjuhës, në përjetimin që nuk kërkon të kalojë nëpër semantikë për të qenë i gjallë. Prania e tij është e mjaftueshme, si një dritë që nuk kërkon të emërtohet për të ndriçuar.

E papërkthyeshmja nuk mbart zbrazëti që shtrëngon gjoksin, por ka një tejmbushje që lehtëson njeriun në kalimet e tij më të fshehta dhe më të ndjeshme. Ajo shfaqet si një frymë që udhëheq mes ëndrrës dhe shpresës, si një hapësirë e brendshme ku përjetimi nuk kërkon të sqarohet, por të lejohet të ndodhë.

Nuk shfaqet si errësirë, por si një dritë që nuk kërkon të zbardhet. Ajo mbart një ndriçim të brendshëm që nuk vjen nga shpjegimi, por nga prania e vet. Është ajo që zgjon ndjesinë pa e thyer në fjalë, pa e kthyer në formulë, si një frymë që kalon përmes qenies pa zhurmë.

Në prag të misterit, kur çdo përpjekje për të kuptuar ndalet, ajo qëndron si hapi i fundit, jo drejt zbulimit, por drejt pranimit. Nuk kërkon çelës, sepse është vetë dera; nuk kërkon të hapet, sepse është tashmë e hapur për atë që guxon të qëndrojë përballë saj pa kërkuar shpjegim.

Ajo shfaqet si lot që lind pa fjalë, si buzëqeshje që nuk kërkon arsye, si një harmoni që frymon pa tekst. Është ndjesia që nuk kërkon të përkthehet, sepse vetë prania e saj është e mjaftueshme për të folur.

Në heshtjen mes dy qenieve që e ndjejnë njëri-tjetrin përtej gjuhës, përkthimi humbet kuptimin. Ai bëhet kompromis, një rrudhje e origjinalitetit për t’u bërë i pranueshëm, një kalim nga thellësia drejt përshtatjes. Dhe në atë hapësirë ku fjala zbehet, kuptimi merr formë të re, të heshtur, por të plotë.

Vlera e së papërkthyeshmes qëndron në kujtesën që sjell; njeriu ushqehet jo vetëm nga kuptimi që arrin të formulojë, por edhe nga përjetimi që nuk kërkon të sqarohet. Ajo që mbetet pa emër, por ndjehet thellë, ajo që nuk kërkon të shpjegohet për të qenë e gjallë, bëhet pjesë e qenies si një thesar i fshehur, i paprekshëm, që ruhet në heshtjen më të brendshme.

 

FATMIR BAÇI

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version