Nga: FATMIR BAÇI
SHQIPTARËT JANË KOCKË E FORTË
Elita e vërtetë nuk përkufizohet nga pasuria, pushteti apo trashëgimia. Ajo përkufizohet nga një ndjesi e thellë përgjegjësie ndaj të vërtetës, ndaj njeriut dhe ndaj kuptimit të jetës. Një elitë e tillë nuk lind nga strukturat shoqërore, por nga përpjekja e njeriut për ta kapërcyer vetveten. Ajo është pasojë e një procesi të gjatë formimi, ku dija, morali dhe ndjeshmëria ndërthuren në një qetësi të brendshme që nuk ka nevojë të dëshmohet me forcë.
Në çdo kohë, elita e rreme është përpjekur të zë vendin e asaj të vërtetës, duke ndërtuar hierarki të rreme përmes pushtetit, frikës dhe kontrollit. Por këto forma nuk krijojnë autoritet shpirtëror, vetëm ndikim të përkohshëm.
Elita që ruhet me ushtri dhe polici është në thelb e brishtë, sepse forca e saj është jashtë saj. Kurse elita e vërtetë mbrohet nga vetë drita e saj, ajo nuk i frikësohet botës, sepse nuk jeton për ta sunduar, por për ta ndriçuar.
Në thelb të elitës së vërtetë qëndron lidhja me metafizikën dhe mistikën. Këto nuk janë zbukurime të mendjes, por rrënjët e çdo kuptimi që njeriu mund t’i japë vetes. Një elitë që nuk njeh misterin e jetës dhe kufirin e dijes, humbet përulësinë dhe bëhet arrogante. Ajo fillon të mendojë se gjithçka mund të matet, kontrollohet dhe shpjegohet dhe në atë çast pushon së qeni elitë. Sepse elita pa ndjenjën e të shenjtës është si një trup pa frymë.
Elita e vërtetë nuk ka nevojë për ndjekës, sepse ekziston për të krijuar vetëdije, jo turma. Ajo nuk kërkon nderim, por e fiton atë natyrshëm përmes shembullit. Ajo nuk flet shumë, por çdo fjalë e saj bart peshën e një heshtjeje të gjatë, të përpunuar. Kjo e dallon nga pseudo-elitat, të cilat jetojnë nga zhurma dhe nga dukja, sepse nuk kanë thellësi.
Elita e vërtetë nuk ka nevojë të bindë askënd; mjafton të jetë, dhe prania e saj është e mjaftueshme për të kthjelluar mjedisin rreth saj. Nëse një shoqëri nuk e ka një elitë të tillë, ajo detyrohet të shpikë simbole të rreme që zëvendësojnë vlerat e humbura. Atëherë arti kthehet në argëtim, dija në marketing, morali në formë protokolli, e pushteti në teatër.
Por në mungesë të elitës së vërtetë, humbet edhe kuptimi i përgjegjësisë. Sepse vetëm ai që e ndien përmasën metafizike të njeriut mund të jetë përgjegjës ndaj tij. Pa këtë ndjesi, çdo sistem, sado i përsosur, përfundon duke u kthyer kundër vetes. Prandaj, e vetmja elitë e qëndrueshme është ajo që ushqehet nga brendësia e shpirtit dhe që ruan lidhjen e pandërprerë me të padukshmen.
Ajo që e njeh heshtjen si formë të lartë të dijes, e që e kupton se pushteti mbi veten është forma e vetme e ndershme e pushtetit mbi botën. Dhe pikërisht sepse është e tillë, asaj nuk i duhen roje, nuk i duhen mure, dhe nuk i duhen simbole. Ajo ekziston në heshtje, por e prania e saj është themeli i çdo qëndrueshmërie që një shoqëri mund të ketë.
Ndërsa shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për një elitë të tillë, akoma mund të durojnë atë që kanë. Se shqiptarët janë kockë e fortë, durojnë shumëçka që popujt e tjere nuk e durojnë.
FATMIR BAÇI
