Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Mitrovicë, ku është pritur në takim nga kryetari i ri i komunës, Faton Peci. Gjatë takimit dhe konferencës për media, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e qytetit dhe ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Kryetari Peci e cilësoi vizitën e presidentes si një sinjal të fuqishëm të mbështetjes institucionale për Mitrovicën, duke bërë të ditur se në fokus të diskutimeve kanë qenë nevojat dhe shqetësimet kryesore të qytetarëve, si dhe projektet zhvillimore që synojnë përmirësimin e jetës në qytet.

“Diskutuam për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës. Ne jemi me fat që gjatë këtij mandati kemi pasur një përfaqësim shumë dinjitoz në politikën e jashtme, duke filluar nga bashkëvendësja jonë”, tha Peci, duke vlerësuar Osmani si presidenten më të mirë që ka pasur Kosova që nga shpallja e pavarësisë.

Presidentja Osmani e uroi kryetarin për detyrën e re, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të rëndësishme dhe sfiduese, por shprehu besimin se udhëheqja komunale do të sjellë më shumë perspektivë, projekte dhe zhvillim për qytetarët e Mitrovicës.

Ajo theksoi lidhjen e saj të veçantë me qytetin dhe kryetarin Peci, duke rikujtuar se janë rritur dhe shkolluar së bashku në Mitrovicë, çka, sipas saj, e bën edhe më të thellë njohjen e sfidave lokale.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë politike dhe strategjike të Mitrovicës për shtetin e Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi mes nivelit qendror dhe atij lokal është thelbësor për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve dhe trashëgimia kulturore ilire, e pranishme edhe në pjesët veriore të vendit, është dëshmi e qartë e kësaj”, tha Osmani.

Ajo vlerësoi gjithashtu potencialin e jashtëzakonshëm të Mitrovicës, duke përmendur bukuritë natyrore, traditën, historinë dhe kapitalin njerëzor, ndërsa theksoi nevojën për hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e perspektivës për gjeneratat e reja.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version