TË GJITHË I TREMBEMI VETES
Të gjithë ne i trembemi vetes,
Të gjithë kemi frikë,
Ta shikojmë veten në sy,
Që kur pamë se pasqyra na gënjeu,
Kur kuptuam disa fjalë të erës,
E përmes atyre fjalëve,
Bëmë dallimin mes nxitimit të stuhisë,
Dhe freskisë së flladit të verës,
Kur u dorezuam pa kushte,
Në përkëdheljen e butë të puhizës,
Dhe u fshehëm pas xhamave,
Nga klithmat idhnake të furtunës.
Të gjithë ne i trembemi vetes,
Të gjithë kemi frikë,
Ta shikojmë veten në sy,
Që kur hapat që hodhëm zbuluan,
Se ishin për vështrimet e të tjerëve,
Kur mësuam gjuhën e lagësht,
Të tingujve të shiut,
Dhe dolëm të lagemi deri në kurm,
Në freskinë e rrebeshit të verës,
Dhe u strukem pranë zjarrit të oxhakut
Nga lloha rrëqethëse e fjalëve dimrake.
Të gjithë ne i trembemi vetes
Të gjithë kemi frikë
Ta shikojmë veten në sy
Qe kur ëndrrat e arritjes në cak
I ndamë mes klithmash të heshtura
Prej shtratit të ngrohtë dhe prej gjumit
Kur në kthinën e befasisë mësuam
Se gjithë stuhitë dhe furtunat
Mund t’i fshehim brenda dhimbjes
Në vorbullën e një psherëtime të thellë
Kur gjithçka rreth nesh u lengezua
Dhe pamë se vetëm tek një pikëz loti
Mund te permbytet bota anekend.
FATMIR BAÇI
