TASHMË
Nga diku atje përtej
Tashmë…
Këtu përtej ku jam,
Gjeta një grusht thinja,
E duhej diçka tjetër të qe,
Diçka krejt tjetër prisja.
Dhe s’qe.
Në këmbët plagë
Një pëlhurë e bardhë talljeje,
Nënqeshi…
Ra…
Dhe mbuloi nxitimin e gjelbërt
Të një stine të herët
Për të më fshehur
Disa vonesa të vogla
Apo harresat e mia aty-këtu.
Tani mund të pushoj,
Dhe po pushoj në fakt.
Psherëtima e fundit
Iku përtej portës së artë.
Mjegull nëpër mjegull
Pa kërcitje hapash
Dhe si gjithmonë
Pa kthim.
Butë,
Nëpër gjembat e një mëngjesi të ftohtë,
Të ftohtë,
Si kujtesa ime e lodhur
Për gishtërinjtë e lumtur
Fshehur atje thellë,
Në akordet e një refreni,
E njërës nga këngët e vjetra
Me ritmet e së shkuarës.
Ngadalë,
Nëpër mornicat e mprehta
Të mëngjesit të lagësht
Të lagësht,
Si buzëqeshja e hidhur
Kur shtirem sikur nuk kuptoj
Apo kur nuk duhet të kuptoj.
Tani mund të çlodhem.
Po.
Mund të pushoj,
Ndërsa gjethet e para
Kanë filluar të bien.
Degëve nën lëkurë
Rrjedh lëng i ngrohtë.
Prag-përgjumje e thellë,
E gjatë, e gjatë…
Dhe tashmë e bardhë,
Në mua e zbardhur kaherë,
Dimër.
FATMIR BAÇI
Share.

Comments are closed.

Exit mobile version