Përshkallëzimi i tensioneve mes Izraelit dhe Iranit ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare – një efekt që tashmë po reflektohet edhe në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thekson se kjo rritje vjen si pasojë e frikës për ndërprerje të zinxhirit të furnizimit me naftë, për shkak të krizës së thelluar në Lindjen e Mesme.

“Irani, si një ndër prodhuesit kryesorë të naftës në botë, kontrollon ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon afërsisht 20% e naftës globale. Çdo përshkallëzim në atë rajon ka ndikim të menjëhershëm në çmime”, deklaroi Berjani.

Ai theksoi gjithashtu se tregu i brendshëm i Kosovës është veçanërisht i ndjeshëm ndaj lëkundjeve gjeopolitike, për shkak të mungesës së prodhimit vendas dhe varësisë së plotë nga importi.

“Çmimet e naftës në vend varen drejtpërdrejt nga zhvillimet ndërkombëtare, pasi Kosova importon pjesën më të madhe të karburanteve”, shtoi ai.

Aktualisht, në tregun kosovar çmimet e derivateve variojnë nga 1.14 deri në 1.24 euro për litër për naftën, dhe nga 1.15 deri në 1.25 euro për litër për benzinën.

Berjani vlerëson se ndërhyrja diplomatike, veçanërisht nga SHBA, mund të jetë çelësi për stabilizimin e situatës dhe uljen e presionit në tregjet e energjisë.

“Nëse arrihet një marrëveshje paqeje nën ndërmjetësimin amerikan, kjo do të ishte një sinjal pozitiv për tregjet dhe do të ndihmonte në stabilizimin e çmimeve të naftës”, përfundoi ai.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version