Rusia ka lëshuar 479 dronë kamikazë në drejtim të Ukrainës në atë që është sulmi më i madh ajror me dronë gjatë gjithë luftës trevjeçare, njoftoi Forca Ajrore e Ukrainës të hënën në orët e para të mëngjesit.

Sipas autoriteteve ushtarake ukrainase, nga 479 dronët e lëshuar, janë rrëzuar 460 bashkë me 19 raketa të tjera, në një operacion mbrojtës që konsiderohet ndër më të vështirët deri tani.

Ky sulm masiv ndodhi vetëm pak orë përpara se të niste shkëmbimi i të burgosurve të luftës, një marrëveshje që u arrit në bisedimet e fundit mes delegacioneve të Moskës dhe Kievit.

Zyrtarët ukrainas konfirmuan se vetëm 10 prej dhjetëra raketave dhe dronëve arritën objektivat e tyre. Një civil ka mbetur i plagosur. Ndërkohë, forcat ruse kanë rritur intensitetin e sulmeve edhe në frontin lindor dhe verilindor, ku kontrollojnë një pjesë të madhe të vijës së gjatë mbi 1,000 kilometra.

Sulmi ajror rus vjen pas një aksioni të fshehtë ukrainas, ku dronët e Kievit goditën avionë bombardues rusë të vendosur në bazat ajrore në thellësi të territorit të Rusisë – një turp publik për Kremlinin dhe një goditje ndaj kapaciteteve të tij për të lëshuar raketa përtej kufirit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se një nga objektivat e goditur nga Ukraina ishte baza ajrore Dubno, në rajonin Rivne të Ukrainës, e cila përdoret për avionët e aviacionit taktik.

Kryebashkiaku i Rivne-s, Oleksandr Tretyak, deklaroi se ky ishte “sulmi më i madh” që rajoni ka përjetuar që nga fillimi i luftës.


Shkëmbimi i të burgosurve të luftës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një deklaratë të bërë të dielën vonë, pranoi se situata në disa zona të goditura është “shumë e vështirë”, megjithëse nuk dha hollësi të mëtejshme.

Ukraina, e cila vazhdon të përballet me një armik më të madh në numër dhe mjete, ka nevojë të ngutshme për më shumë mbështetje ushtarake nga aleatët perëndimorë, sidomos në mbrojtjen ajrore. Megjithatë, pasiguria e politikës amerikane ka ngritur dyshime për mbështetjen e ardhshme ndaj Kievit.

Dy raunde të fundit të bisedimeve direkte për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll nuk sollën përparime, përveç një marrëveshjeje për shkëmbimin e mijëra të burgosurve, përfshirë ushtarë të vrarë dhe të plagosur rëndë.

Sipas burimeve nga të dy palët, marrëveshja parashikon këmbimin e rreth 1,200 të burgosurve për secilën anë. Megjithatë, menjëherë pas marrëveshjes, të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën për mosrespektim të kushteve.

Të hënën pasdite, shkëmbimi i parë i të burgosurve u realizua.

“Shkëmbimi i sotëm ka nisur. Do të zhvillohet në disa faza në ditët në vijim,” – njoftoi Zelenskyy në aplikacionin Telegram.
“Mes atyre që po kthejmë janë të plagosurit, të plagosurit rëndë dhe ata nën moshën 25 vjeç,” – shtoi ai.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë gjithashtu konfirmoi shkëmbimin, duke thënë se numrat e të burgosurve të shkëmbyer ishin të barabartë, por pa dhënë shifra të sakta.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version