Qindra mijëra protestues marshuan të shtunën në rrugët e kryeqytetit italian për të kërkuar ndaljen e menjëhershme të luftës së Izraelit në Gaza dhe për të dënuar heshtjen e qeverisë së krahut të djathtë të kryeministres Giorgia Meloni.

Protesta u thirr nga partitë kryesore të opozitës italiane dhe mblodhi një turmë të larmishme nga i gjithë vendi, përfshirë familje me fëmijë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Në fillim të marshit, protestuesit mbanin një pankartë të madhe ku shkruhej:
“Ndal masakrës, ndal bashkëfajësisë!”

Sipas organizatorëve, deri në 300 mijë vetë morën pjesë në këtë tubim madhështor, duke e cilësuar atë si një revoltë popullore kundër krimeve që po ndodhin në Gaza dhe që po mbështeten në heshtje nga qeveria italiane.

“Kjo është një përgjigje e madhe popullore për të thënë ‘mjaft’ me masakrën e palestinezëve dhe krimet e qeverisë së [kryeministrit izraelit Benjamin] Netanyahu,” – deklaroi Elly Schlein, lidere e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, në një prononcim për mediat gjatë marshit.

“Ekziston një tjetër Itali që nuk rri në heshtje, siç bën qeveria e Melonit,” – shtoi ajo me tone të ashpra.

Qeveria e Melonit është kritikuar prej kohësh për qëndrimin e saj të vakët përballë ofensivës izraelite në Gaza. Edhe pse së fundmi, nën presionin e opozitës, ajo ka kërkuar publikisht që Izraeli të ndalë menjëherë fushatën ushtarake, shumë e kanë cilësuar deklaratën e saj si e vonuar dhe e zbutur.

Meloni paralajmëroi këtë javë se sulmet e Izraelit në Gaza kanë dalë jashtë çdo proporcioni dhe duhet të ndalen për të mbrojtur civilët.

Ndërkohë, shteti i Izraelit po përballet me një breshëri kritikash ndërkombëtare, si dhe me thirrje të përsëritura për të lejuar ndihmat humanitare në Gaza, e cila ndodhet nën bllokadë izraelite prej gati tre muajsh.

Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se rreth dy milionë banorë të Gazës janë përballë rrezikut të urisë masive, ndërsa furnizimet me ushqime, ilaçe dhe ujë janë drejt shterrimit total.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 54,772 palestinezë janë vrarë dhe 125,834 janë plagosur nga fillimi i luftës.

Nga ana tjetër, në sulmet e udhëhequra nga Hamas më 7 tetor 2023, u vranë rreth 1,139 persona në Izrael, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u morën peng.

Protesta në Romë u pa nga shumë analistë si shenjë e një zgjimi të ndërgjegjes kolektive në Evropë, që sfidon narrativat zyrtare dhe kërkon një qëndrim të drejtë, të ndershëm dhe human ndaj tragjedisë në Lindjen e Mesme.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version