Vërshime në disa rajone të Kosovës, institucionet paralajmërohen për reagim urgjent

Reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime lokale në disa zona të Kosovës, duke rritur shqetësimin për sigurinë e qytetarëve dhe infrastrukturës publike. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se situata është veçanërisht e ndjeshme në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë komunat Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec dhe Klinë, si dhe në disa zona të pjesës qendrore.

Sipas IHMK-së, si pasojë e reshjeve me intensitet dhe intervale të ndryshme, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke shkaktuar vërshime lokale dhe probleme në sistemet e kanalizimit. Gjendja është përkeqësuar edhe nga parashikimi se reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, çka rrit rrezikun për përmbytje të reja, vështirësi në komunikacion dhe pengesa serioze në trafik.

Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht në pjesën qendrore, lindore dhe jugore, përfshirë Ibrin, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, po shënojnë ngritje të lehta të nivelit të ujit. Edhe pse kjo rritje nuk konsiderohet ende alarmante, autoritetet kërkojnë vigjilencë të shtuar dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës hidrologjike.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm institucional përballë situatës së krijuar. Ai thekson se vërshimet kanë shkaktuar dëme serioze në disa zona, duke paralizuar qarkullimin rrugor, përmbytur ura dhe rrugë lokale, si dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe pronën e qytetarëve. Sipas tij, në disa rajone banorët kanë mbetur të izoluar, ndërsa uji ka depërtuar në oborre, shtëpi dhe infrastrukturë kritike.

Ahmeti vlerëson se institucionet kompetente duhet të veprojnë pa vonesa, duke rritur kapacitetet logjistike, angazhuar maksimalisht ekipet në terren dhe siguruar monitorim të pandërprerë të zonave me rrezik të lartë. Ai thekson gjithashtu rëndësinë e informimit të saktë dhe në kohë reale të qytetarëve, si dhe nevojën për ndërhyrje urgjente në ura, kanale kulluese dhe rrugë.

Sipas tij, në rajonet ku situata ka marrë përmasa emergjente, ngritja e shtabeve emergjente nuk është më çështje vlerësimi, por domosdoshmëri, për të garantuar koordinim ndërinstitucional, menaxhim efikas të resurseve dhe, mbi të gjitha, mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version