Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), institucion që zakonisht është në qendër të vëmendjes për çështje procedurale dhe teknike, gjatë muajve të fundit të vitit 2025 u shndërrua në arenë akuzash dhe kundërakuzash mes figurave të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, duke nxitur reagime të shumta institucionale dhe nga shoqëria civile.
Zanafilla e këtyre zhvillimeve ishte vendimi i marrë më 20 nëntor nga anëtarët e KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Ky vendim u mor vetëm një ditë pas paraqitjes së Kelmendit në Prokurorinë Speciale, ku ai dëshmoi lidhur me punën e tij në gjykatë gjatë periudhës së Masakrës së Reçakut në vitin 1999.
Kelmendi e ka dërguar vendimin për shqyrtim gjyqësor, duke pretenduar se shkarkimi ishte i jashtëligjshëm. Megjithatë, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, ka deklaruar publikisht se vendimi është marrë në përputhje të plotë me ligjin, raportoi RTK.
Ndërkohë, disa organizata që monitorojnë sistemin e drejtësisë e kanë cilësuar vendimin ndaj Kelmendit si të paligjshëm, arbitrar dhe abuziv. Në reagimet e tyre, ato kanë ngritur shqetësime edhe për, siç e kanë quajtur, një “përbërje korporatiste” dhe ekzistencën e një “grupi të stërvjetër të interesit” brenda KPK-së. Këto vlerësime përkojnë edhe me disa qëndrime të Komisionit të Venecias, i cili ka theksuar nevojën për reforma strukturore në këtë institucion.
Kërkesë për zbatim të plotë të reformave ka shprehur edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, pas një takimi të zhvilluar me anëtarët e Këshillit Prokurorial.
Reformat pritet të fuqizohen nga janari, kur u përfundon mandati pesë anëtarëve aktualë të KPK-së, të cilët nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje. Sipas ushtruesit të detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, funksionimi aktual i institucionit dëmton ndarjen kushtetuese të pushteteve, duke theksuar se drejtësia duhet të funksionojë si degë e pavarur e pushtetit.
Ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat kanë hyrë në fuqi në qershor të vitit 2025, parashohin zvogëlimin e përbërjes së KPK-së nga 13 në 7 anëtarë, si dhe përfshirjen e anëtarëve joprokurorë që do të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas Gzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, zhvillimet e fundit tregojnë përpjekje për ruajtjen e korporatizmit brenda institucionit, ndërkohë që reformat pritet të japin efektet e para në janar të vitit 2026. Me ndryshimet e reja ligjore, kuorumi për vendimmarrje do të arrihet me pesë plus një anëtar.
