Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka paralajmëruar se politika e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe lidhjet e tij me Moskën e Pekinin e mbajnë gjithmonë të hapur mundësinë e tensioneve në Kosovë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori i Universitetit Johns Hopkins tha se Vuçiq nuk gëzon më mbështetjen e Perëndimit si dikur, duke u rreshtuar hapur me Rusinë dhe Kinën.
“Ai është kthyer qartësisht nga Moska dhe Pekini”, theksoi Serwer.
Duke komentuar protestat e gjata kundër qeverisë së Vuçiqit në Serbi, ai u shpreh se përgjegjësia bie tërësisht mbi presidentin serb.
“Vuçiq nuk ka askënd për të fajësuar përveç vetes,” tha Serwer.
Ai shtoi se Moska pritet të ushtrojë presion mbi Beogradin që të shtypë demonstratat, duke e përdorur situatën si mjet ndikimi.
“Me Vuçiqin dhe rusët, gjithmonë ekziston rreziku i përshkallëzimit ose shpërqendrimit përmes një incidenti tjetër destabilizues në Kosovë,” paralajmëroi ai, duke e lidhur krizën e brendshme politike në Serbi me pasojat që mund të ndihen në gjithë rajonin.
Serwer e cilësoi daljen e qytetarëve në rrugë si “një shenjë të vërtetë të pakënaqësisë popullore me performancën e qeverisë”, megjithatë vuri në dukje se deri më tani protestuesit nuk kanë krijuar një alternativë të qartë politike ndaj pushtetit të Vuçiqit.