Muslimanët mbetën vonë në Revolucionin Industrial. Përderisa kombet e tjera u mekanizuan, u modernizuan dhe ndërtuan pasurinë e tyre përmes fabrikave e makinerive, pjesa më e madhe e botës myslimane mbeti në vendnumëro. Dhe që atëherë, ne jemi përpjekur të arrijmë hapin e tyre – ekonomikisht, politikisht, intelektualisht.

Tani, po përballemi me një tjetër revolucion. Këtë herë, ai nuk vjen nga fabrikat apo makineritë, por nga algoritmet. Inteligjenca Artificiale (AI) po rishkruan rregullat e ekonomisë moderne dhe, ç’është më e rëndësishmja, tregjet e punës. Dhe ja e vërteta e vështirë: Muslimanët janë seriozisht të rrezikuar ta humbasin edhe këtë mundësi.

Ky nuk është një debat filozofik rreth makinerive që zëvendësojnë njerëzit. Bëhet fjalë për vendet e punës që tashmë po shkurtohen dhe për industri të tëra që tashmë po riformësohen. Ka pasoja shumë reale për profesionistët, të diplomuarit, studentët dhe familjet myslimane nëse nuk i kushtojmë vëmendje.

 

 

IA TASHMË PO SHKAKTON PUSHIME MASIVE NGA PUNA

Është folur shumë për mënyrën se si AI mund të zëvendësojë vendet e punës, por kjo gjë në fakt tashmë po ndodh. Sipas një artikulli të fundit të BBC-së, Microsoft ka njoftuar së fundmi shkurtimin e 15,000 vendeve të punës, 9,000 prej të cilave supozohet se janë për shkak të ndryshimeve që ka sjellë AI. Ndërsa vetëm në vitin 2025, IBM ka shkurtuar 8,000 vende pune, pasi AI po zëvendëson një pjesë të madhe të departamentit të saj të burimeve njerëzore.

Por ajo që është më shqetësuese është goditja që ka pësuar numri i vendeve të punës për fillestarët (entry-level), i cili ka rënë me një të tretën që nga viti 2022, sipas një artikulli të “Times”. Në vitin 2023, KPMG e uli numrin e të punësuarve të sapodiplomuar nga 1,399 në vetëm 942. Kjo është një rënie prej 33 për qind në një vit të vetëm.

Deloitte e reduktoi numrin e të punësuarve me 18 për qind. EY dhe PwC pasuan me shkurtime prej 11 për qind secila. Dhe arsyjea e tërheqjes së tyre është se, në thelb, kompanitë do të shkurtojnë kostot kudo që të munden. Nëse punët që dikur kërkonin orë të tëra nga ekipe të tëra të sapodiplomuarish, tani mund të kryhen nga mjetet e AI-së për pak minuta, atëherë ato nuk kanë asnjë arsye për të mos ndryshuar.

PSE DUHET TA SHQETËSOJË KJO GJË KOMUNITETIN MYSLIMAN?

Shumë muslimanë nuk kanë qasje në rrjete të fuqishme, mbështetje të mëdha financiare apo pasuri brezash, dhe firmat si “Katër të Mëdhenjtë” (Big Four) kanë qenë transformuese vitet e fundit për jetën e shumë të rinjve muslimanë falë përpjekjeve të tyre për të lehtësuar lëvizshmërinë sociale.
Muslimanët duhet të punojnë shumë fort për të hyrë në sistem. Por nëse sistemi vazhdon të evoluojë dhe ne jo, rrezikojmë të mbetemi prapa sërish. Ne jemi mësuar të studiojmë shumë, të gjejmë një punë të mirë dhe të ngjitemi në shkallët e karrierës. Ky është një plan që dikur funksiononte dhe në disa raste ende funksionon. Por nuk është më një garanci. Ajo që muslimanët duhet të mësojnë të bëjnë është të përshtaten – duke u familjarizuar shpejt me mjetet e reja dhe duke gjetur mundësi në fusha jotradicionale.

ÇFARË DUHET TË BËJNË MUSLIMANËT?

Përpjekja për të mbajtur hapin me ndryshimet mund të të bëjë të ndihesh sikur po vrapon në një rreth vicioz. Ndërkohë që kompanitë majtas e djathtas po ristrukturohen për t’i bërë vend AI-së, çfarë mund të bëni ju për të mbajtur hapin dhe për të qëndruar përpara?

1. BËHUNI TË ZOTË NË FUSHËN E AI-SË

Nuk po ju themi të bëheni programues brenda natës, por të kuptuarit e bazave të AI-së është jetike. Ndiqni një kurs falas online, shikoni video mësimore në Youtube dhe familjarizohuni me mjete si ChatGPT. Profesionistët që përshtaten do të jenë ata që do të kenë avantazhin përfundimtar. Si muslimanë, është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se inovacioni ka qenë gjithmonë pjesë e traditës sonë. Përdoreni AI-në për të përmirësuar performancën tuaj – bëjeni atë asistentin tuaj, jo zëvendësuesin tuaj. Përdoreni për gjëra si kërkimi i punës, hulumtimi, produktiviteti apo menaxhimi i detyrave. Përqendroni energjinë tuaj në gjëra që kërkojnë kreativitet, gjykim dhe dhembshuri njerëzore, gjëra me të cilat AI ka vështirësi, ndërsa e lini atë të kujdeset për pjesën tjetër.

2. RRJETËZOHUNI, RRJETËZOHUNI, RRJETËZOHUNI

Të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen e vjetër: Rrjeti juaj është pasuria juaj neto. Dhe kjo është më e rëndësishme tani se kurrë më parë. Rrugët tradicionale të karrierës po ndryshojnë në mënyrë dramatike. Të jesh i diplomuar thjesht nuk mjafton më – ju duhen lidhje. Mundësitë më të mira jo gjithmonë shfaqen në listat e punësimit. Ato mund të vijnë nga biseda të vërteta me njerëz të vërtetë. Kjo është arsyeja pse të jesh prezent, të jesh pjesë e një komuniteti dhe të rrethohesh me njerëz të tjerë që mendojnë për të ardhmen është kaq e rëndësishme.

3. KONSIDERONI RRUGË ALTERNATIVE

Vendet e punës që dikur konsideroheshin më të qëndrueshmet, tani janë nën presion. CEO i kompanisë Anthropic, Dario Amodei, thotë se AI mund të zhdukë gjysmën e vendeve të punës fillestare për punonjësit e zyrave (white collar) në pesë vitet e ardhshme. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të jeni në gjendje të rishpikni veten kur është e nevojshme. Të kesh burime të shumta të ardhurash apo biznese anësore, ose të mësosh rregullisht aftësi të reja nuk janë më shenja dështimi. Ato janë strategjitë që mund t’i mbajnë muslimanët të përditësuar dhe përpara këtyre ndryshimeve.

LAJMI I MIRË?

Ky revolucion është më meritokratik se ai i mëparshmi. Nuk keni nevojë për miliarda dollarë financim për të pasur ndikim. Skuadrat e vogla, të drejtuara nga një mision, ende mund të konkurrojnë dhe të fitojnë. Mjafton të shikoni DeepSeek, një startup kinez që sfidon OpenAI me një fraksion të burimeve. Me mentalitetin dhe misionin e duhur, muslimanët mund të ndërtojnë, konkurrojnë dhe madje të udhëheqin revolucionin e ardhshëm të AI-së. Pra, mos lejoni që frika që na mbajti prapa në Revolucionin Industrial të jetë arsyeja pse e humbisni këtë mundësi.

Burimi: islamicfinanceguru.com

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version