Prej më shumë se një muaji, mbi disa nga institucionet më të ndjeshme të Kosovës janë parë duke fluturuar mjete ajrore të paidentifikuara, të cilat nuk i përkasin as institucioneve vendore e as misionit të KFOR-it.
Sipas burimeve të RTV Dukagjini, dyshohet se bëhet fjalë për dronë serbë, të cilët kanë marrë pamje mbi Burgun e Sigurisë së Lartë dhe mbi aeroportin e Dumoshit – tashmë nën administrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Pamjet e siguruara nga televizioni tregojnë se madhësia e dronëve i ngjante atyre bujqësor, por roli i tyre është cilësuar shumë më serioz.
Këto lëvizje ajrore janë raportuar fillimisht tek Policia e Kosovës, e cila bashkë me KFOR-in ka nisur hetimet dhe intensifikimin e monitorimit. KFOR-i, në një reagim për media, ka thënë se deri më tani nuk është konstatuar kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë, por ka shtuar se situata do të vazhdojë të vëzhgohet nga afër.
“Vëzhgimet tona nuk kanë zbuluar ndonjë kërcënim për sigurinë në zonë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në bashkëpunim me institucionet e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Nga ana tjetër, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se ka pasur më shumë raste kur qytetarët kanë raportuar fluturime të dyshimta. Ai theksoi se njësitë policore janë angazhuar sipas nevojës, ndërsa për momentin nuk ka pasur raste të rrëzimit të ndonjë droni.
Në hetim është përfshirë edhe Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, i cili ka pranuar njoftimin mbi operimet e paautorizuara të mjeteve ajrore pa pilot mbi zonat e përmendura.
Rasti ka ngritur shqetësime të veçanta pasi Burgun e Sigurisë së Lartë e mbajnë edhe persona të dënuar për terrorizëm, përfshirë të dyshuar për sulmin në Banjskë më 2023. Ndërkohë, aeroporti i Dumoshit, një hapësirë strategjike pranë kufirit me Serbinë, është dhënë vitin e kaluar në shfrytëzim për FSK-në, si pjesë e planeve për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.