Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, ka reaguar pas kërcënimit me bombë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky incident nuk duhet trajtuar si një rast i izoluar.
Përmes një postimi në Facebook, Selimi ka vlerësuar se institucionet e Kosovës po përballen me rreziqe të shumta, jo vetëm nga faktorë të brendshëm, por edhe nga një strategji e gjerë e Serbisë, që synon të mbajë vendin në një gjendje të përhershme tensioni dhe pasigurie.
“Kërcënimi i fundit me bombë në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk duhet të shihet si një rast i izoluar. Ky kërcënim vie në një kohë të acaruar e të tensionuar gjithandej. Institucionet tona janë në shënjestër jo vetëm nga individ apo mbetje të strukturave ilegale brenda vendit që nuk e duan stabilitetin institucional, por edhe nga një strategji më e gjerë e Serbisë për të mbajtur Kosovën në krizë të vazhdueshme,” ka shkruar ajo.
Selimi ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe mbështetje të institucioneve demokratike, duke e cilësuar ruajtjen e stabilitetit si përgjegjësi të përbashkët. Ajo nënvizoi se aktet që synojnë të cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit duhet të trajtohen me seriozitet të plotë nga organet kompetente.