Për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar për shpërthime zjarresh, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për ndalimin e plotë të ndezjes së zjarreve në të gjitha hapësirat e hapura. Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se ndalimi përfshin djegien e mbeturinave, pyjeve, fushave dhe livadheve, si dhe çdo ndezje për qëllime rekreative apo gjatë piknikëve, përfshirë edhe përdorimin e fishekzjarrëve.
Vendimi është ndërmarrë për të parandaluar rrezikun serioz që paraqet zjarri në kushte të thata dhe me temperatura ekstreme, me qëllim mbrojtjen e mjedisit, pasurisë publike e private dhe mbi të gjitha, sigurisë së qytetarëve.
“Ndezja e zjarreve është vepër penale dhe shkelësit e këtij vendimi do të përballen menjëherë e pa dilemë me masat ndëshkuese që parasheh legjislacioni ynë,” deklaroi ministri Sveçla, duke paralajmëruar masa të rrepta për të gjithë ata që veprojnë në kundërshtim me vendimin.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes maksimal, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr ose të ndihmojë në përhapjen e tij.
Në rast se qytetarët vërejnë ndonjë zjarr apo situatë që paraqet rrezik për zjarr, ata inkurajohen të lajmërojnë menjëherë autoritetet përkatëse, duke kontaktuar zjarrfikësit në numrin 193 ose Policinë e Kosovës në 192. Autoritetet mbeten në gatishmëri të shtuar për të reaguar ndaj çdo incidenti të mundshëm që mund të cënojë sigurinë e përgjithshme.