Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë, duke e quajtur popullin e Kosovës si “popullin më pro-amerikan në botë”.
Në një postim në Facebook, Osmani ka shpërndarë edhe një video me pjesë nga fjalimi i saj të mbajtur gjatë një ceremonie të organizuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, ku shprehu mirënjohjen e thellë të popullit kosovar ndaj SHBA-ve për mbështetjen e pakushtëzuar në çdo fazë të historisë moderne të vendit.
Në pjesë të fjalimit të publikuar nga presidentja Osmani theksohet:
“Një gjë mbetet e qartë si kristali për të gjithë njerëzit e Kosovës. Ne e dimë kush janë miqtë tanë. Ne e dimë se si na qëndruan pranë kur kishte më së shumti rëndësi. Dhe nuk do ta harrojmë kurrë.”
Ajo rikujtoi se populli amerikan ka qëndruar pranë Kosovës në çdo hap të rrugës, jo vetëm 26 vite më parë, kur ndihmoi në fitimin e lirisë së mohuar për shekuj me radhë, por edhe çdo vit që nga ajo kohë.
“Përmes ndërtimit të paqes, përmes ndërtimit të institucioneve, përmes zhvillimit ekonomik dhe forcimit strategjik të mbrojtjes dhe diplomacisë sonë, çdo kapitull i vetëm i Kosovës mban vulën e SHBA-së,” përfundoi Osmani.