Një burrë në një tren me distancë të gjatë në Gjermaninë jugore ka sulmuar dhe lënduar lehtë katër persona duke përdorur një çekiç, përpara se të ndalohej nga policia, kanë njoftuar autoritetet gjermane.

Policia në Straubing bëri të ditur se incidenti ka ndodhur në një tren ekspres të linjës ICE, i cili po udhëtonte nga qyteti verior i Gjermanisë, Hamburg, drejt kryeqytetit të Austrisë, Vjenës. Sulmi ndodhi ndërmjet qyteteve Straubing dhe Plattling, në shtetin jugor të Bavarisë.

Sipas raportimeve, rreth 500 pasagjerë ndodheshin në bord në momentin e ngjarjes, transmeton Euronews, përcjell Telegrafi.

Për menaxhimin e situatës, në vendin e ngjarjes u angazhuan rreth 150 pjesëtarë të forcave të sigurisë, përfshirë policë, zjarrfikës dhe personel emergjence. Linja hekurudhore u mbyll përkohësisht për shkak të ndërhyrjes.

Fillimisht, policia raportoi se autori kishte përdorur një sëpatë, por më vonë saktësoi se mjeti i sulmit ishte një çekiç dhe se mund të ketë përdorur edhe armë të tjera, të paidentifikuara deri më tani.

Autoritetet konfirmuan se sulmuesi është një shtetas sirian 20-vjeçar. Megjithatë, nuk janë dhënë më shumë informacione për identitetin e tij të plotë apo motivin e mundshëm të sulmit.

Më tej u bë e ditur se i riu u mposht nga disa prej pasagjerëve të tjerë gjatë incidentit dhe se edhe ai ka pësuar lëndime.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version