Përballë objektivit të ri sfidues të shpenzimeve ushtarake të përcaktuar nga NATO, politikanët italianë po propozojnë që ndërtimi i një ure prej 13.5 miliardë eurosh që lidh Italinë me Siçilinë – një projekt i shumëdiskutuar ndër vite – të klasifikohet si një investim ushtarak.

Italia aktualisht renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta ushtarake brenda aleancës, duke ndarë vetëm 1.49% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për ushtrinë. Kjo e bën arritjen e objektivit të ri prej 5% deri në vitin 2035 të duket tepër e vështirë.

Pikërisht këtu, ndërtimi i urës mund të paraqitet si një zgjidhje e zgjuar.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni është e vendosur të avancojë projektin e lidhjes përmes Ngushticës së Mesinës, përmes asaj që do të ishte ura më e gjatë e varur në botë – një ëndërr e hershme që nga koha e romakëve, e ndjekur më pas nga Benito Mussolini dhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi.

Kjo nismë mund të jetë gjithashtu politikisht e leverdishme për Melonin, teksa përpiqet të bindë opinionin publik italian – shpesh skeptik ndaj përfshirjes në konflikte ushtarake – për nevojën e shtimit të buxhetit të mbrojtjes, në një kohë kur vendi ndodhet pranë masave shtrënguese ekonomike.

Sipas raportimeve të Politico, Italia mund të ketë baza legjitime për të justifikuar urën si shpenzim ushtarak. Sipas direktivave të NATO-s, nga objektivi 5% i PBB-së, vetëm 3.5% kërkohet të jetë e destinuar për shpenzime thelbësisht mbrojtëse, ndërsa 1.5% mund të alokohet për ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshmërisë strategjike – përfshirë edhe infrastrukturën.

Një zyrtar i Ministrisë së Financave italiane ka sugjeruar se kategorizimi i urës si projekt ushtarak do t’i mundësonte qeverisë të tejkalojë disa nga pengesat ekonomike dhe teknike që kanë bllokuar realizimin e saj më parë.

Përveç përdorimit civil, “ura mbi Ngushticën e Mesinës përmban rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhet në raport. “Ajo do të ketë një rol të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke mundësuar lëvizje më efikase të forcave të armatosura italiane dhe aleatëve të NATO-s.”

Italia ka kërkuar gjithashtu që ky projekt të përfshihet në programin e financimit të Bashkimit Evropian për mobilitetin e personelit dhe pajisjeve ushtarake, duke argumentuar se ura “përshtatet në mënyrë të përkryer me këtë strategji, duke ofruar një infrastrukturë kyçe për transferimin e forcave të NATO-s nga Evropa Veriore drejt Mesdheut”.

Sipas raportit, ura “do të përmirësojë ndjeshëm mobilitetin ushtarak, duke mundësuar transport të shpejtë të automjeteve të rënda, trupave dhe furnizimeve si përmes rrugëve ashtu edhe përmes hekurudhave”.

Megjithatë, zyrtarisht, Ngushtica e Mesinës nuk është pjesë e korridorit të vetëm të miratuar nga NATO për lëvizje ushtarake në Itali – i cili nis në portet e Puglias, kalon Adriatikun në Shqipëri dhe vazhdon përmes Maqedonisë së Veriut në drejtim të Bullgarisë.

Gjithashtu, nuk është ende e qartë nëse kjo ngushticë përfshihet në rrjetin e mobilitetit ushtarak të Bashkimit Evropian, rrugët e të cilit, sipas burimeve të afërta me diskutimet, pritet të harmonizohen me rrjetet e NATO-s.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version