Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurve J.J dhe V.T, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, në përputhje me nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së, i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria, të pandehurit J.J dhe V.T akuzohen për kryerje të krimeve të luftës gjatë viteve 1998–1999 në fshatin Kaqanik i Vjetër, që ndodhet në komunën e Kaqanikut.
“Në aktakuzë thuhet se të pandehurit, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë kryer vrasjen e dy viktimave, R.E dhe M.H.”
Hetimet kanë vërtetuar se gjatë asaj periudhe, J.J dhe V.T kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, kanë rrahur dhe kanë maltretuar viktimat, si dhe kanë plaçkitur pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit Sh.D, si dhe të viktimave tashmë të ndjerë, M.H dhe R.E, thuhet më tej në njoftim.
Duke u bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë zhvillimin e gjykimit në mungesë, meqë të pandehurit J.J dhe V.T janë të paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës.
“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim të sigurimit të drejtësisë për viktimat dhe vendosjes së përgjegjësisë penale ndaj autorëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, përfundon njoftimi.