Katër të mitur janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete, ku si pasojë e incidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore të shkaktuara nga një therje me thikë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të dielën, rreth orës 19:45, në qytetin e Obiliqit.
Në raportin policor thuhet se, pas një mosmarrëveshjeje, katër të dyshuar – të mitur meshkuj, shtetas të Kosovës – janë përleshur mes vete, me ç’rast një nga viktimat ka marrë plagë të rënda trupore për shkak të përdorimit të armës së ftohtë.
“Të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor”, thuhet më tej në raportin zyrtar të Policisë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është ndaluar në mbajtje, ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.