Eksperti i çështjeve politike, Shqiprim Pula, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke e akuzuar atë për dështim në mbrojtjen e Kushtetutës dhe në ofrimin e një zgjidhjeje për krizën institucionale që ka penguar funksionalizimin e Kuvendit të ri.
Në një postim në Facebook, Pula thekson se aktgjykimi i Gjykatës në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit nuk arriti të krijojë një praktikë juridike të nevojshme dhe, siç thotë ai, nuk e forcoi funksionimin e institucionit më të lartë përfaqësues.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nuk e mbrojti Kushtetutën, nuk ofroi udhëzime për deputetët mbi mënyrën e veprimit, nuk e mundësoi funksionalizimin e Kuvendit, nuk adresoi shkeljet dhe nuk e zgjidhi krizën,” shkruan Pula.
Ai përshkruan edhe ngjarjet në Kuvend më 15 prill, kur u mbajt seanca e parë konstituive për zgjedhjen e kryesisë së re, e cila përfundoi pa rezultat për shkak të mospajtimeve mbi mënyrën e votimit.
“Procedura nisi me votim të hapur, por më vonë kryesuesi propozoi votim të fshehtë – pasojë e së cilës ishte mos pjesëmarrja e disa deputetëve në votim dhe për pasojë, seanca nuk përfundoi,” shton ai.
Pula kujton se më 12 maj, një grup deputetësh iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me pyetje që kishin të bënin me drejtimin e seancës dhe përputhshmërinë e funksioneve të disa deputetëve që ushtronin edhe poste ekzekutive. Por sipas tij, Gjykata dështoi të japë përgjigje të qarta dhe përmbajtësore.
“Kërkesën e deputetëve nuk e hodhi poshtë si të papranueshme – përkundrazi, e pranoi, por në thelb nuk e shqyrtoi,” shkruan ai më tej.
Sipas Pulës, Gjykata nuk shqyrtoi në mënyrë të thellë përputhshmërinë e funksioneve të deputetëve me pozitat ekzekutive dhe nuk ofroi asnjë udhëzim konkret për përfundimin e seancës konstituive.
Në fund, ai kritikon edhe përmbajtjen e vetë aktgjykimit KO124/25, i cili, sipas tij, vetëm vendos një afat prej 30 ditësh për përfundimin e seancës, por nuk ofron asnjë drejtim se çfarë duhet të ndodhë në rast të një bllokade të re.
Pula përmbyll reagimin e tij me deklaratën: “Gjykata Kushtetuese me aktgjykim nuk gjykoi!”