Rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta në të gjithë vendin, do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë këtë të premte. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, mbi 1500 administrues janë angazhuar për këtë proces dhe janë paralajmëruar masa në rast të tentimeve për kopjim nga ana e nxënësve. Ndërkohë, njohës të arsimit theksojnë se rëndësia e testit po zbehet për shkak të fenomeneve të tilla.

Testi i arritshmërisë për nxënësit e klasës së nëntë do të zhvillohet nesër në të gjithë Kosovën, dhe Ministria e Arsimit njofton se të gjitha përgatitjet janë përfunduar. Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim në MASHT, ka dhënë për Radio Kosovën detaje mbi organizimin dhe numrin e nxënësve që do të testohen.

“Në test do të marrin pjesë rreth 24 mijë nxënës të shpërndarë në 170 qendra testimi, me mbi 1550 administrues të angazhuar. Këtë vit testi mbahet në një ditë të vetme dhe përfshin të gjitha lëndët. Testi është orientues dhe shërben për regjistrimin në klasën e dhjetë, pa pasur prag kalueshmërie,” deklaroi Elezi.

I pyetur për masat ndaj kopjimit, ai tha se janë ndërmarrë hapa konkretë për parandalimin e manipulimeve gjatë testimit.

“Që nga viti i kaluar, nxënësit janë shpërndarë përmes platformës e-Kosova, ku nuk ndodhen në të njëjtën klasë me shokët e tyre. Gjatë testit të maturës sivjet, janë kapur mbi 80 raste të përdorimit të telefonave dhe nxënësit janë përjashtuar nga testi. Mbikëqyrja do të jetë strikte edhe për klasat e nënta, dhe shpresojmë të mos kemi raste të largimeve për arsye të tilla,” shtoi ai.

Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, një njohës i sistemit arsimor, theksoi rëndësinë që ka një administrim korrekt i testit për të garantuar drejtësi në procesin e përzgjedhjes së nxënësve për klasën e dhjetë.

“Menaxhimi i duhur i testimit është thelbësor, pasi përndryshe testet që nuk reflektojnë realisht dijen e nxënësve, i bëjnë këto vlerësime jo të besueshme dhe të padrejta,” tha ai.

Sipas MASHT-it, rezultatet e testit të arritshmërisë pritet të publikohen deri më 5 korrik.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version