Elḥamdulillah.
Mos i harroni kurrë imazhet e nënave palestineze që mbajnë në krahë trupat e thyer të fëmijëve të tyre të gjymtuar.
Mos e harroni shënjestrimin e qëllimshëm të mjekëve dhe spitaleve.
Mos e harroni vdekjen nga uria të planifikuar për një popull të tërë.
Mos i harroni plumbat e shkrepur në kokat e fëmijëve.
Mos e harroni poshtërimin e përditshëm dhe dërrmues të vëllezërve dhe motrave tona.
Mbi të gjitha, mos harroni se e gjithë kjo bëhet për të mbrojtur kolonializmin e kolonëve, pushtimin e tokave që nuk u përkasin atyre, dhe një sistem të pamëshirshëm aparteidi që përqesh ndërgjegjen e botës.
ZEMËRIMI ËSHTË THELBËSOR
Shtypësit nuk i frikësohen vetëm armëve tuaja—ata i frikësohen zemërimit tuaj. Ata kërkojnë ta shuajnë atë, t’ju mpijnë shpirtin, ta kthejnë tërbimin tuaj në lodhje. Ata ju duan të zbutur.
Mos i lejoni.
Imam Ibn Tejmijje (rA) ka thënë:
“Njerëzit nuk përmbahen nga shtypja përveçse nga forca zmbrapsëse e zemërimit; përmes saj, mbahen drejtësia dhe barazia.”
“لا تكف النفوس عن الظلم إلا بالقوة الغضبية الدفعية، وبذلك يقوم العدل والقسط.”
(Mexhmuʿ al-Fetawa, Ibn Tejmijje, 15:436)
Ky është një këndvështrim themelor: kuwwah ghaḍabiyyah dafʿiyyah – forca zmbrapsëse e zemërimit të drejtë – nuk është thjesht e justifikuar, por e domosdoshme për vendosjen e adl-it (drejtësisë) dhe kist –it (barazisë). Pa të, tiranët do të mbretëronin pa kundërshtarë.
Por a nuk e ndaloi Pejgamberi ﷺ zemërimin?
Vërtet—kur një njeri i kërkoi këshillë, Pejgamberi ﷺ u përgjigj:
“Mos u zemëro.”
Njeriu e përsëriti kërkesën e tij, dhe Pejgamberi vazhdoi: “Mos u zemëro.”
«لا تغضب». فردد مراراً. قال: «لا تغضب»
(Ṣaḥiḥu i Buhariut, nga Ebu Hurejra)
PRA, SI T’I PAJTOJMË KËTO?
Pejgamberi ﷺ nuk i ndaloi të gjitha format e zemërimit. Në fakt, shumë transmetime autentike e përshkruajnë zemërimin e tij të drejtë kur shenjtëritë e Zotit shkeleshin. Dhe Vetë Allahu flet për ghaḍab-in (zemërimin) e Tij në Kur’an. Ajo kundër së cilës Pejgamberi ﷺ paralajmëroi është lloji i zemërimit që ju kontrollon—zemërimi i pabazë, impulsiv, gërryes që turbullon gjykimin, provokon padrejtësi, ose kthehet në dëshpërim.
Ai ﷺ ka thënë:
“I forti nuk është ai që i mposht të tjerët në mundje, por ai që e kontrollon veten kur është i zemëruar.”
«ليس الشديد بالصرعة، إنما الشديد الذي يملك نفسه عند الغضب»
(Sahihu i Buhariut dhe i Muslimit, nga Ebu Hurejra)
Vini re: ai ﷺ nuk e dënoi vetë zemërimin—por zemërimin që ju pushton, në vend që të kontrollohet dhe të kanalizohet nga ju.
Ekziston një lloj zemërimi që nuk është vetëm i natyrshëm—ai është fisnik.
Është lloji i zemërimit që refuzon të pranojë poshtërimin.
Ai i reziston normalizimit të së keqes.
Është zemërim i qëllimshëm, zemërim i disiplinuar—një zemërim që përputhet me sunenin (ligjet universale) të Zotit dhe me ekuacionet e pushtetit në botë.
Nuk ka të bëjë me katarsisin—ka të bëjë me strategjinë.
Dhe strategjia nuk do të thotë gjithmonë durim pasiv apo tërheqje e plotë derisa fitorja të jetë e garantuar.
Përkundrazi, do të thotë se ju mund të rezistoni – por ta bëni këtë me mençuri, në një mënyrë që ruan aftësinë tuaj për t’u ngritur përsëri dhe në fund të triumfoni. Dhe ndërsa konfrontimet e parakohshme mund t’i imponohen disa pjesëve të ummetit në kohë dhe vende të caktuara, pjesët e tjera duhet të përgatiten për momentin e duhur—momentin e fitores vendimtare. Edhe kjo është rezistencë. Për shembull, nëse je adoleshent, të bësh detyrat e shtëpisë në matematikë mund të jetë pjesa më e rëndësishme e rezistencës tënde tani për tani.
Ne duam zemërimin që ndërton një rezistencë aq elastike sa të përballojë vitet, aq të durueshme sa të presë momentin e saj, dhe aq të mençur sa të sigurojë që kur të ngrihet—ajo të triumfojë, dhe të mos ngrihet si një shtypës tjetër.
Është zemërimi i atyre që luftojnë për të fituar në këtë jetë pa e humbur vendin e tyre në jetën tjetër.
Imam Shafiu (rA) ka thënë:
“Kushdo që provokohet të zemërohet dhe nuk zemërohet, është gomar; dhe kushdo që i kërkohet pajtimi dhe e refuzon atë, është djall.”
Të mos ndjesh zemërim përballë padrejtësisë është jonjerëzore. Të refuzosh pajtimin pasi të jetë vendosur drejtësia është çnjerëzore. Dhe të falësh shtypësit e tu ndërsa ata vazhdojnë të të shtypin nuk është virtyt – është pranim imoral i së keqes dhe dorëzim i maskuar si devotshmëri.
Pra po—qëndroni të zemëruar.
Lëreni atë të drejtojë përpjekjen tuaj për drejtësi – pa ju kthyer kurrë në atë gjë të cilën ju vet e luftoni.
Dhe le të jetë rezistenca juaj jo vetëm një qëndrim kundër së keqes—por një rrugë përpara, drejt dinjitetit, ringjalljes dhe triumfit në këtë jetë dhe në tjetrën.
Dhe paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, dhe lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Dr. Hatim el Haxh