Nga: FATMIR BAÇI

NESËR…

Mes miqsh, si miq, për të tjera vetmi.
Ditët kalendarëve klithin nën gërshërë.
Një grimcë të kaluar, në ankth përsëri.
E presim në dëshira, rreth e rreth me rërë.
Fisnikërisë sfilitur, bredhim shkretëtirës.
Diku larg oazit, kthim ngaherë e prapë.
Të lodhur nga e sotmja, qyqarë të lamtumirës.
Lypsarë të krenarisë, me një peng të artë.
Nuk ka më shpëtim, ne i thamë mallkimet.
Era fshiu gjurmët, dunat po mërgojnë.
Hapat e përzhitur braktisën fillimet.
U nisëm… Nga ku? Në ç’harresë po shkojmë?
S’i deshëm stuhitë, të bindura qëlluan.
Fjalë tek-tuk në belb, tani frymarrin flakë.
As vesë e as lotë, qiejve shterruan.
Dimrat thatuqë nuk dirsin nëpër vapë.
Këngët e erës na thërrmohen ballit
Përzierë me dritë, qepallave pulitur.
Horizontit thellë, larg ndalesë e mallit.
Zhubrosur si përgjumjet, hapit sypafjetur.
Nëse rrugës vdesim, diç edhe do mbetet.
Dëshëruam, ecëm, zhgënjimet s’i pamë.
Ndalesat s’i gjetëm, të virgjëra vegimet.
Ia huajtëm s’di kujt, e s’di kujt ia lamë.
Miqtë, edhe vetmitë, na i morën lodrat.
Në margina ndjelljesh, qëndruan nëpër stinë.
Shkuan mbretëritë, ranë edhe kurorat.
Jehonave u shuan, për një shushurimë.

 

FATMIR BAÇI

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version