Nga: FATMIR BAÇI

MARGINA

Kanë rënë poshtë aksionet e Lirisë,
Bursa për to shënon pikën më të ulët,
Aktualisht,
Një hamburger shkëmbehet,
Me njëqind hapa në zbritje,
Ndërkohë që për një hap në ngjitje,
Duhen njëqind hamburger.
Vetëm për një shpresë jashtë moçalit,
Duhet me sytë e mbyllur me terr,
Të mos mendosh asnjë çast për veten,
Dhe të pranosh me sytë çelur,
Gjithë sa të tjerët vendosin për ty.
Për një ëndërr me qiell të vizatuar,
Më pakta duhet,
Që zemrës t’ia fshish gjuhën,
Ta ndalosh të flasë,
Ndërsa fjalët që të duhen,
T’i marrësh me këste,
Nëpër sirtarët e kalendarëve pa stinë,
Pa ngrohtësinë diellit,
Pa lagien e shirave të rrembyeshëm,
Pa freskinë e flladitjeve të ëmbla,
Dhe pa erërat e serta që rrahin fytyrën.
Margina ku po ecim na tregon,
Një rrip toke që hollohet përditë,
Dhe që herët apo vonë,
Do të na duhet të shkojmë përtej,
Tërësisht të zbuluar,
Pa këpucë për hapat e ndaluar,
Për të qenë të pyetur
Se si e përdorëm dhuratën
Dhe me çfarë e shkëmbyem Lirinë.

 

FATMIR BAÇI

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version