Më 11 korrik, të premten, në Srebrenicë u varrosën edhe shtatë viktima të tjera të gjenocidit të vitit 1995, ndërsa e gjithë bota e civilizuar përkujtonte 8.372 viktimat e vrara nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe (RS), Ministrisë së Brendshme të RS dhe formacioneve paramilitare nga Serbia.
Megjithatë, në orët e mbrëmjes, përpara kishës në Srebrenicë u dëgjua muzikë ofenduese dhe fyese ndaj boshnjakëve.
Pasi shumë mysafirë, delegacione ndërkombëtare, qytetarë dhe familjarë të viktimave u larguan nga Srebrenica, pasoi ajo që tashmë është kthyer në rutinë: një valë provokimesh të hapura, me synim shqetësimin e komunitetit boshnjak në qytet, përhapjen e mesazheve të urrejtjes dhe glorifikimin e gjenocidit të kryer.
Ashtu si në vitet e kaluara, nga altoparlantët e vendosur para kishës u transmetua “muzika” e këngëtarit nacionalist Baje Mala Knindzha, në të cilën në mënyrë të hapur fyhen boshnjakët, lavdërohen krimet dhe bëhen thirrje për dëbim.
Nënkryetari i Republikës Serbe, Çamil Durakoviq, ndau një nga incizimet e kësaj skene provokuese.
“‘Ky popull do të jetojë, edhe pas ustashëve, sepse edhe Zoti është serb, qiejt janë tanët’ – në përvjetorin e tridhjetë të gjenocidit në Srebrenicë, fqinjët tanë, sonte para kishës në qytet, për të disatën herë na tregojnë se në çfarë balte civilizimi po rrokullisen. Eh, zotërinj, me këtë jetojnë boshnjakët e Srebrenicës më 11 korrik, pasi delegacionet të jenë shpërndarë nën sirenat e veturave zyrtare”, ka shkruar Durakoviq.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm në Srebrenicë për të përkujtuar viktimat e gjenocidit serb.