Para stacionit të Policisë në Lipjan kanë filluar të mblidhen qytetarë, të cilët po kërkojnë drejtësi për Agon Zejnullahun, 27-vjeçarin që ndërroi jetë më 7 korrik.

Protesta është organizuar nga familjarët dhe miqtë e të ndjerit, i cili humbi jetën në rrethana ende të paqarta gjatë orëve të para të mëngjesit të 7 korrikut, në një ndërhyrje policore që kishte për qëllim arrestimin e tij.

Albani, vëllai i Agonit, ka bërë një thirrje publike për pjesëmarrje në protestë, duke nënvizuar se qëllimi i saj është kërkesa qytetare për drejtësi dhe transparencë.

Sipas tij, institucionet shtetërore kanë dështuar në përmbushjen e një detyre themelore – mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Le të jetë kjo hera e fundit që një qytetar humb jetën nga dështimi i atyre që duhet ta mbrojnë,” thuhet në njoftimin zyrtar të familjes Zejnullahu.

Protesta është paralajmëruar të jetë paqësore dhe jopolitike, ndërsa kërkesa kryesore e saj është zbardhja e plotë e rastit dhe ndëshkimi i të gjithë përgjegjësve për vdekjen e të riut.

Në lidhje me këtë ngjarje, pesë zyrtarë policorë tashmë janë paraqitur para gjykatës dhe janë dërguar në paraburgim për një afat prej një muaji.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version