Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, duke i akuzuar për bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe situatën e rënduar politike në vend.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Gjini e cilësoi periudhën aktuale si “epokën e mashtrimit kolosal”, duke përmendur dështimet e pretenduara në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe politikë të jashtme. Ai theksoi se pushteti po u pamundëson 120 deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre përmes bllokimit institucional.
Çështja e zgjedhjeve dhe kushtet e AAK-së
Gjini u shpreh i bindur se ekzekutivi aktual është duke kurdisur skenarë për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Këta kanë vendosur me shku në zgjedhje më 27 dhjetor dhe po shohin mënyrat. Pritni dhe shihni,” u shpreh ai, duke shtuar se AAK-ja nuk do të përfshihet në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm pa u përmbushur gjashtë kërkesat e tyre programore, ku përfshihet projekti i gazit amerikan dhe ulja e pragut të TVSH-së.
Qëndrimi për Gjykatën Speciale dhe “Dosjen Sheholli”
Duke folur për zhvillimet rreth procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ku vendimi pritet më 16 shtator, Gjini konfirmoi se do të jetë folës në marshin e 12 shtatorit. Ai theksoi se pret lirimin e tyre, ndërsa paralajmëroi se një vendim eventual fajësues do të kishte pasoja të rënda për shoqërinë dhe vendin.
Në fund, kreu i AAK-së komentoi edhe të ashtuquajturën “Dosje Sheholli”, duke ngritur pretendime për infiltrim të strukturave të shërbimeve secrete serbe në instancat e larta të shtetit të Kosovës.
