Samsung po rikthehet te strategjia e përdorimit vetëm të procesorëve Snapdragon për modelet e ardhshme Galaxy S25, duke ndjekur një qasje të provuar dhe të testuar më parë. Në vitin 2023, të gjitha modelet Galaxy S23 përdornin çipin Snapdragon 8 Gen 2 në të gjitha rajonet.
Edhe pse kanë kaluar vetëm pak muaj që nga lansimi i linjës Galaxy S24, informacione të shumta janë shfaqur rreth modelit të ardhshëm Galaxy S25 që pritet të dalë vitin e ardhshëm. Një nga problemet me modelet Galaxy S24 ishte përdorimi i procesorëve të ndryshëm në rajone të ndryshme. Në disa rajone, përdoruesit merrnin çipin Snapdragon 8 Gen 3, ndërsa në të tjerat, çipin Exynos 2400, i dizajnuar dhe prodhuar nga Samsung për modelet Galaxy S24 dhe Galaxy S24+.
Vetëm modeli Galaxy S24 Ultra përdorte çipin Snapdragon 8 Gen 3 në të gjitha rajonet. Megjithatë, sipas analistit Ming-Chi Kuo, me seritë e ardhshme Galaxy S25, Samsung mund të përdorë vetëm çipet Snapdragon, duke hequr dorë nga përdorimi i çipave Exynos për këtë seri.
Në vitin 2023, të gjitha modelet Galaxy S23 përdornin çipin Snapdragon 8 Gen 2 për të gjitha rajonet, një strategji që Samsung duket se do ta rikthejë për Galaxy S25. Problemet me prodhimin e çipeve Exynos 2500 në arkitekturën 3-nanometër janë një nga arsyet kryesore për këtë ndryshim. Sipas analistit, Samsung nuk ka arritur të prodhojë mjaftueshëm çipe 3nm për të përmbushur kërkesën, dhe kështu do të mbështetet te Qualcomm për seritë S25.
Ky ndryshim mund të sjellë një përmirësim të performancës dhe konsistencës për përdoruesit globalisht, duke eliminuar dallimet e mundshme në performancë dhe efikasitet mes rajoneve të ndryshme.