Autoritetet malazeze po bëhen gati të nisin prodhimin e dronëve pa pilot, në bashkëpunim me një kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E veçanta? Seria e parë e këtyre dronëve do t’i dhurohet Ukrainës, siç thuhet në një dokument zyrtar të Qeverisë së Malit të Zi.
Qeveria malazeze thekson se kjo nismë është plotësisht në përputhje me orientimin strategjik të Malit të Zi dhe se, përveç të tjerash, ajo do të forcojë ndjeshëm industrinë vendase të mbrojtjes.
“Do t’i përmirësojë kapacitetet e Ushtrisë në raport me NATO-n, do t’i mbështesë nevojat mbrojtëse të Ukrainës, si dhe do ta pozicionojë Malin e Zi si një furnizues të besueshëm të pajisjeve më moderne të mbrojtjes në tregun global,” theksohet në dokumentin e Qeverisë malazeze.
Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht se kur do të fillojë prodhimi, as shuma e saktë e parave që autoritetet malazeze do të ndajnë për këtë qëllim.
Dokumenti shton se marrëveshja, me një vlerë deri në 15 milionë dollarë, do të mbështetet nga administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Donald Trump. Këto para, përndryshe, janë fonde që SHBA-ja i ka ndarë tashmë për Ushtrinë e Malit të Zi.
Ambasada Amerikane: Investimi në mbrojtje, dëshmi e seriozitetit të Malit të Zi
Ambasada e SHBA-së në Mal të Zi deklaron se Qeveria amerikane i inkurajon të gjitha vendet partnere të investojnë dhe të bashkëpunojnë me kompanitë amerikane.
“Investimet në kapacitetet mbrojtëse, siç janë sistemet ajrore amerikane pa pilot, tregojnë seriozitetin e Malit të Zi në përmbushjen e detyrimeve të tij ndaj Aleancës, në një kohë kur ne po i kërkojmë Evropës të marrë përsipër një barrë më të madhe për sigurinë e saj,” thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë.
Vendet anëtare të NATO-s e kanë për detyrim të ndajnë së paku 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm (PBB) për mbrojtjen. Ambasada kujton se pritjet e SHBA-së janë edhe më të mëdha:
“Siç e ka thënë presidenti Trump, është e rëndësishme që të gjithë aleatët, në Samitin e Hagës, të zotohen se do të shpenzojnë 5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtje.”
Dakordimi – nëse arrihet – do të promovojë “sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët,” thekson Ambasada amerikane në Podgoricë.
Detajet e letër-qëllimit: Çfarë parashikohet?
Në seancën e mbajtur më 29 maj, Qeveria e Malit të Zi miratoi një “letër-qëllim” për të investuar në prodhimin e sistemeve të avionëve pa pilot (UAS) dhe zhvillimin e eksporteve nga aeroportet malazeze.
Kjo letër do të nënshkruhet së shpejti nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, dhe drejtori i kompanisë By Light Professional IT Services LLC, Robert J. Donahue.
Ajo do të shërbejë si një hyrje për kontratën përfundimtare që do të duhet të nënshkruhet në shtator.
Mali i Zi, gjithashtu, konfirmon me dokumente se do të sigurojë një kornizë legjislative për prodhimin dhe eksportin e komponentëve ushtarakë dhe të materialeve të rrezikshme. Aktualisht, Qeveria është duke punuar në një projektligj për prodhimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, i cili duhet të jetë gati deri në fund të vitit.
Në këtë iniciativë marrin pjesë tetë ministri, Agjencia për Aviacion Civil dhe Aeroporti i Podgoricës.
Bashkëpunimi me kompanitë malazeze
Qeveria e Malit të Zi do të ndajë gjithashtu fonde për krijimin e një kapaciteti prodhues për sisteme ajrore pa pilot, në bashkëpunim me kompaninë By Light dhe partnerin e saj 4WINDS LLC, të cilët do të themelojnë një kompani në Mal të Zi për nevojat e këtij projekti.
Marrëveshja parashikon shfrytëzimin e kompanive nga Mali i Zi dhe rajoni për testimin e teknologjive ajrore dhe nënujore të sistemeve pa pilot.
Në mënyrë të veçantë përmenden dy kompani nga veriu i Malit të Zi, të cilat merren me prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe eksplozivëve – Tara Aerospace nga Mojkovci dhe Poliex nga Beranja.
Më herët, ato kanë qenë pjesërisht ose plotësisht në pronësi të shtetit, por ndërkohë janë privatizuar. Qeveria ka ruajtur 12.5 për qind të aksioneve në Tara, e cila është e specializuar për sistemet e sigurisë ajrore dhe vitin e kaluar e ka mbyllur me mbi 8.6 milionë euro fitim. Poliex në Berane, që prodhon eksplozivë, ka operuar gjithashtu me mbi 4.2 milionë euro fitim.
Dronët HALO-6 VTOL: Dhjetë orë fluturimi
Në faqen zyrtare të kompanisë amerikane By Light mund të gjenden katër lloje dronësh.
Aty thuhet se këto mjete fluturuese kanë “kohë të gjatë qëndrimi në fluturim dhe zhurmë të ulët, ndërsa njëkohësisht ofrojnë kapacitete të shumëfishta operacionale si në ajër, ashtu edhe në ujë.”
Më moderni mes tyre është HALO-6 VTOL, ngarkesa maksimale e të cilit është 27.2 kilogramë dhe mund të qëndrojë në ajër deri në dhjetë orë. Kjo kompani ofron gjithashtu trajnime për pilotë dronësh dhe ka fituar kontrata të vlefshme me institucionet amerikane.
Vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën
Qeveria e Malit të Zi zotohet se do t’i dhurojë Ukrainës serinë e parë të prodhimit të hershëm të sistemeve pa pilot dhe të pajisjeve mbrojtëse shoqëruese.
“Konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë nënvizon nevojën urgjente për sisteme UAS dhe transportin e sigurt të materialeve të rrezikshme,” thuhet në dokument.
Dronët përdoren shpesh në konfliktin mes forcave ruse dhe ukrainase, i cili mori hov pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.
Mali i Zi – anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake prej 11.3 milionë eurosh që nga fillimi i pushtimit, ka strehuar qytetarë ukrainas dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Së voni, Mali i Zi dhe Ukraina kanë rënë dakord për tekstin e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare të bashkëpunimit, e cila i referohet mbështetjes në rast të një sulmi të armatosur, investimeve në industrinë e mbrojtjes, bashkëpunimit të inteligjencës dhe rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. Marrëveshja nuk është nënshkruar ende.
Një marrëveshje e ngjashme me Ukrainën është nënshkruar deri më tani nga tridhjetë vende – kryesisht anëtare të NATO-s.