Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se i ka dorëzuar Presidentes së Republikës së Kosovës propozimin zyrtar për caktimin e Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Përmes një njoftimi publik, Nagavci ka sqaruar se këtë veprim e ka ndërmarrë në cilësinë e Kryesueses së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, duke formalizuar kështu propozimin e subjektit politik për udhëheqjen e ekzekutivit të ri.

“Në cilësinë time si Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, t’i dorëzoj Presidentes së Republikës së Kosovës propozimin për caktimin e z. Albin Kurti si Mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo ka theksuar se ky hap mbështetet në rezultatin zgjedhor dhe në legjitimitetin që, sipas saj, buron nga vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, si dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese për formimin e institucioneve të reja.

“Bazuar në vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vazhdojmë me përgjegjësi institucionale drejt formimit të qeverisë së re”, ka deklaruar Nagavci.

Në përmbyllje të reagimit të saj, ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e marrë nga qytetarët gjatë procesit zgjedhor.

“Faleminderit qytetarëve për besimin!”, ka përfunduar Nagavci.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version