Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në deklaratën e saj të parë para deputetëve ka theksuar se përgjegjësinë e re do ta ushtrojë me përkushtim maksimal, duke premtuar angazhim të përditshëm, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.

Ajo u shpreh mirënjohëse për besimin e dhënë, duke nënvizuar se është plotësisht e vetëdijshme për rëndësinë dhe peshën kushtetuese që bart kjo pozitë në funksionimin e shtetit dhe të institucioneve demokratike.

“Faleminderit për besimin e dhënë. Sot e marr këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbartë dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu. Dhe këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë”, tha Haxhiu para deputetëve.

Kryeparlamentarja theksoi se të qenit në krye të institucionit më të lartë përfaqësues nuk është vetëm një rol drejtues, por mbi të gjitha një detyrim për t’i shërbyer Republikës, rendit demokratik dhe besimit publik.

Sipas saj, Kuvendi duhet të mbetet hapësira ku përfaqësohen të gjithë qytetarët, pa dallim bindjesh politike, duke garantuar që zëri i secilit të dëgjohet dhe të respektohet.

“Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve tanë, edhe atyre që pajtohen me ne, edhe atyre që mendojnë ndryshe, sepse shteti ju shërben të gjithëve. Detyra ime do të jetë që të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë në përputhje të plotë me Kushtetutën”, tha ndër të tjera Haxhiu.

Ajo shtoi se angazhimi i saj do të jetë që institucioni ligjvënës të forcojë standardet demokratike dhe të funksionojë si një platformë serioze debati, bashkëpunimi dhe vendimmarrjeje në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version