Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se autoritetet serbe, të përballura me protesta të vazhdueshme të studentëve, mund të përpiqen të devijojnë vëmendjen publike duke nxitur incidente në Kosovë. Ai paralajmëroi për rrezikun e provokimeve gjatë shënimit të festës së Vidovdanit këtë të shtunë në Gazimestan.

Në fjalën e tij para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se ndonëse Vidovdani ka një karakter fetar, prej vitesh ai shfrytëzohet nga Serbia për të nxitur retorikë politike dhe kërcënime ndaj sigurisë publike në Kosovë.

“Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më i madh në numër. Për këtë arsye, janë organizuar grupe serbësh që do të vijnë nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina për të marrë pjesë”, tha Kurti.

Ai shtoi se pjesëmarrësit e këtyre grupeve tradicionalisht kanë sjellë provokime, përmes simboleve nacionaliste serbe dhe ruse, të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe me vlerat demokratike evropiane.

Kurti u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos bien pre e provokimeve dhe të qëndrojnë të përkushtuar ndaj ligjit.

“U bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, në veçanti komunitetit serb në Kosovë, që të respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të manipulohen për qëllime politike”, theksoi ai.

Sipas Kurtit, tubimet për nder të Vidovdanit duhet të zhvillohen në përputhje të plotë me ligjin dhe nuk duhet të shndërrohen në instrument për qëllime politike të Beogradit, i cili, sipas tij, po përpiqet të eksportojë krizën e brendshme përmes provokimeve në Kosovë.

Vidovdani, që festohet më 28 qershor, mblidh serbë nga Kosova, Serbia dhe rajoni në Gazimestan  rreth 10 kilometra nga Prishtina  dhe në të kaluarën, organizime të tilla janë shoqëruar me arrestime për nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version