Mosrespektimi i protokolleve higjieno-sanitare në QKUK po lidhet me rritjen e infeksioneve brendaspitalore, madje edhe me vdekje. Dy pacientë kanë humbur jetën brenda më pak se një muaji dhe familjarët pretendojnë se shkaku nuk ka qenë vetëm sëmundja, por infeksionet e marra brenda QKUK-së. Në një rast, një pacient me kancer – i cili ishte në gjendje stabile – sipas familjarëve u infektua me një bakter në spital, çka më pas i shkaktoi sepsë. REL-i nuk arriti të marrë konfirmim nga mjekët, pasi infeksionet brendaspitalore rrallë dokumentohen saktë.

Të dhëna të siguruara nga REL tregojnë një situatë shqetësuese: në Qendrën e Mjekimit Intensiv, mbi 70% e pacientëve janë prekur nga infeksione gjatë disa muajve të këtij viti, ndërsa në Neonatologji përqindja ka kaluar 20%. Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahiu, thotë se njësia intensive ka nivelin më të lartë të infeksioneve për shkak të gjendjes së rëndë të pacientëve, por pranon se mungesa e infermierëve e vështirëson kontrollin. Drejtori i Torakales, Nazmi Kolgeci, shton se infeksionet shpesh i bartin shoqëruesit, jo pacientët.

Prania masive e familjarëve është bërë normë, pasi mungesa e stafit mjekësor i detyron ata të kryejnë detyra bazike të infermierëve. Si rezultat, korridoret dhe dhomat janë të mbushura me njerëz që hyjnë e dalin pa kontroll higjienik, duke rritur rrezikun e infeksioneve.

REL ka vëzhguar edhe shkelje të protokolleve nga vetë stafi: mjekë dhe infermierë që dalin jashtë klinikës me uniforma spitalore dhe rikthehen pa u ndërruar. SHSKUK pranon se “kodi i veshjes nuk respektohet”. Ekipi për Kontrollin e Infeksioneve ka evidentuar shkelje në pothuajse të gjitha klinikat: thonj të gjatë, stoli, uniforma të papërshtatshme. Burime të brendshme thonë se shkelësit më të mëdhenj janë kryeinfermieret dhe mjekët.

Raportet e mëhershme flasin për deri në 600 raste infeksionesh brendaspitalore brenda një viti, me trend në rritje. SHSKUK njofton se në vitin 2024, në QKUK dhe spitalet regjionale janë shtruar mbi 162 mijë pacientë. Inspektorati Sanitar ka nisur disa kontrolle dhe disa raste po riinspektohen.

Naser Gjonbalaj nga Oda e Mjekëve të Kosovës e quan situatën shqetësuese dhe thotë se mungesa e stafit, shërbimet e pakta dhe prania e shoqëruesve e nxisin përhapjen e infeksioneve që mund të çojnë në sepsë. QKUK nuk mban statistika të sakta për vdekje të lidhura me to.

Sipas OBSH-së, 1 në 10 pacientë në botë preket nga infeksionet gjatë trajtimit, me përqindje më të larta në vendet me të ardhura të ulëta dhe në kujdes intensiv. Në QKUK, infeksionet janë vetëm një prej shumë problemeve të vazhdueshme: mungesë personeli, lista të gjata pritjeje dhe kushte bazike të pamjaftueshme.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version