Kampi Pyjor 2025 ka nisur sot edicionin e tij të radhës, me misionin për t’i afruar të rinjtë me natyrën dhe për t’i angazhuar në njohjen e vlerës së pyjeve, biodiversitetit dhe rëndësisë së menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Kampi po zhvillohet në Blinajë dhe përfshin nxënës të shkollave të mesme, mësimdhënës, përfaqësues të institucioneve pyjore si dhe partnerë vendorë e ndërkombëtarë.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve”, që synon përmirësimin e jetesës në zonat rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë.
Programi financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, ndërsa zbatohet nga FAO – Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi.
Gjatë ceremonisë hapëse, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare theksuan rëndësinë e edukimit të brezave të rinj për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve.
Fidan Dema, ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, theksoi se kampi u krijon të rinjve hapësirë për të kuptuar vlerat e ekosistemeve dhe mundësitë profesionale që ofron fusha e pylltarisë.
“Kosovës i duhet dije, përgjegjësi dhe të rinj që e shohin pyllin si potencial dhe jo vetëm si sipërfaqe,” u shpreh ai.
Tahir Ahmeti, drejtor i Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR, foli për përgjegjësinë që mbajnë brezat e sotëm.
“Qëllimi është të ngrihet ndërgjegjësimi se pyjet duhet të ruhen dhe të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme – kjo është rruga e vetme drejt menaxhimit të mirëfilltë,” tha ai.
Nga Zyra e BE-së në Kosovë, Vadim Stirbu vuri në pah vlerën e dy resurseve më të rëndësishme të vendit: të rinjtë dhe pyjet.
“Këtu i kemi dy pasuritë më të çmuara të Kosovës: ju të rinjtë dhe pyjet që mbulojnë 45% të territorit,” theksoi ai.
Ndërsa Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-s, i inkurajoi nxënësit të shohin veten si ambasadorë të natyrës.
“Çdo hap që bëni dhe çdo fidan që mbillni është investim për të ardhmen e Kosovës. E ardhmja e pyjeve është në duart e atyre që sot mësojnë dhe ëndërrojnë,” u shpreh ai.
Gjatë kampit, nxënës nga Prishtina dhe Lipjani eksploruan tema të ndryshme që lidhen me pyjet, rolin e tyre ekologjik dhe ndikimin në klimë. Ekspertët udhëhoqën aktivitete praktike, shëtitje në pyll, vëzhgim të faunës së egër dhe ushtrime kreative që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e biodiversitetit.
Pjesëmarrësit u njohën nga afër me tipologjinë e pyjeve të Blinajës, prerjet, llojet drunore dhe mundësitë që ofron profesioni i pylltarisë.
Kampi pritet të përmbyllet nesër me ceremoninë e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e rinj.
